Pas lehtësimit të masave, prezantohet manuali për mbrojtjen nga përhapja e COVID-19
Ministria e Shëndetësisë dhe Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike kanë prezantuar sot manualin për mbrojtjen nga përhapja e COVID-19.
Ky manual do të shërbejë si udhëzues se si të sillen bizneset dhe qytetarët me rekomandim të IKSHP-së.
Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, në një konferencë për medie tha se ky manual ka për qëllim të ndihmojë parandalimin e përhapjes së COVID-19.
“Manuali ka për qëllim mbrojtjen e qytetarëve, varësisht nga situata në teren. Përmban udhëzues të hartuar nga fusha të ndryshme. Ky manual do të ndihmojë parandalimin e ekspozimin në vende të punës, në qendra tregtare, në gastronomi, udhëzime për vendvotimet. Do të shërbejë si mbështetës për inspektoratin”, tha Zemaj, duke shtuar se të gjitha institucionet janë të obliguara ta respektojnë këtë manual.
Në anën tjetër, drejtori i IKSHPK-së Naser Ramadani ka kritikuar qytetarët për mosrespektim të masave, gjë që sipas tij ka çuar në ngritjen e numrit të raste të reja me COVID-19.
“Dy javë pas lehtësimit të masave kemi thënë se do të bëjmë një manual, përmbledhje të dokumenteve që të vazhdojmë të marrim masa për parandalim të COVID-19. Me këtë lehtësim të masave, siç e dimë, qytetarët nuk e kanë dhënë provimin, nuk u janë përmbajtur masave të IKSHPK-së dhe në bazë të prognozës do të kemi rritje të rasteve këtë javë”, ka thënë Ramadani.
Ai shtoi se ky manual nuk është dokument ligjor ekzekutiv, por do të fillojë të funksionojë nga sot. /Zëri