Haskuka: Komandant ‘Drini’ është meritori më i madh i çlirimit të Prizrenit
Kryetari i komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, sot, për nder të Ditës së Çlirimit, ka bërë homazhe te varrezat e dëshmorëve dhe mori pjesë në vënien e gurthemelit të memorialit të Ekrem Rexhës-Komandant Drinit.
Haskuka deklaroi se kjo ditë ka ardhur si rezultat i sakrificave qindra vjeçare, e cila u kulmua me luftën e lavdishme të UÇK-së, shkruan “Zeri.info”.
Ai theksoi se komandant "Drini" është meritori më i madh i çlirimit të Prizrenit.
“Edhe pse një veprim i vonuar, sot pas 21 vitesh në praninë e anëtarëve të familjes dhe bashkëluftëtarëve të tij, filluam punimet për ndërtimin e memorialit të Komandant Drinit në qendër të qytetit të Prizrenit, ku të gjithë do ta përkujtojmë jetën dhe veprën madhështore të tij”, tha Haskuka.
Vënia e gurthemelit u bë në lagjen “Bazhdarhane”, përballë Shtëpisë së Bardhë.
Haskuka, në homazhet e bëra në varrezat e dëshmorëve në Landovicë, u shpreh mirënjohës ndaj dëshmorëve, veteranëve dhe martirëve të luftës.
“Më 12 qershor të vitit 1999, pas një operacioni të suksesshëm me shumë pak pasoja arritëm deri në çlirimin e Prizrenit. Jam përjetësisht mirënjohës ndaj dëshmorëve, veteranëve dhe martirëve të luftës, të cilët iu bënë ballë planeve të egra të forcave okupatore serbe. Shteti jonë bazohet në sakrificën dhe luftën e dinjitetshme të tyre me vlera më të larta njerëzore, e cila nuk ka asnjë njollë në gjithë historinë e tyre”, tha Haskuka.
Pas përurimit, në bashkëpunim me veteranët e luftës së UÇK-së, u mbajt edhe një koktej rasti në oborrin e Shtëpisë së Bardhë. /Zëri.