Numri i mjekëve të papunë në Kosovë ka arritur në 680
Largimi i mjekëve nga Kosova dhe moszbatimi i një strategjie afatgjate në sistemin shëndetësor në Kosovë ka bërë që në sektorin publik shëndetësor të mungojnë rreth 5,000 punëtorë. Ndërsa në shëndetësinë familjare, mungojnë rreth 200 mjekë.
Kjo është thënë muaj më parë nga kryetari i Federatës Sindikale të Shëndetësisë së Kosovës, Blerim Syla.
Paradoksale është se krahas gjithë këtyre, rreth 680 mjekë janë të papunë, shkruan Zëri.
Kështu i kanë thënë në takim përfaqësuesit e mjekëve specialistë të papunë, kryetarit të Odës së Mjkëve të Kosovës, Pleurat Sejdiut.
Në faqen zyrtare të OMK-së, thuhet se përfaqësuesit e mjekëve të papunë kanë shprehur shqetësim për numrin e lartë të të papunëve të po të njëjtit profesion.
“Shqetësimi i shprehur nga mjekët e papunë është pasi që numri i mjekëve të papunë ka arritur në 680. Ndër pikat kryesore që u diskutua gjatë takimit, është çështja e punësimit të mjekëve specialist numri i të cilëve arrin në 98, si dhe punësimi i mjekëve të përgjithshëm në klinka dhe reparte, të cilët janë 582 mjekë”, thuhet në njoftim, transmeton Zëri.
Ndërkohë nikoqiri i takimit, Sejdiu ka shpalosur planin për koordinimin me Ministrinë e Shëndetësisë në çështjen e punësimit dhe specializimeve si aktivitete prioritare gjatë këtij viti.
Ministria e Shëndetësisë në tri vitet e fundit nuk ka hapur konkurs për specializantë të rinj./Zëri/