Afaristi shqiptar në Gjermani që strehoi në hotelet e tij të moshuarit gjermanë gjatë pandemisë
Pandemia COVID-19 ka bërë që ekonomia botërore të pësojë rënie të madhe. Nëse jo të mbyllura, pothuajse të gjitha bizneset në botë patën humbje të shumta në fitimet e tyre.
Mirëpo, në kohën kur sektori i gastronomisë u mbyllë gati i tëri, në Gjermani, hotelet dhe restorantet e afaristit Ilir Mulaku, u bënë nikoqire të shumë personave, mbi moshën 65-vjeçe.
Këto restorante e hotele ofruan ushqime e shërbime falas për të gjithë ata që u strehuan te to, gjatë kohës së pandemisë.
Në një intervistë në televizionin publik të Kosovës, Mulaku tha se kanë akomoduar të moshuarit mbi 65-vjeç falas dhe kjo bëri një jehonë në Gjermani.
“Pati edhe lajme poashtu nga mediat këtu me titujt ‘konaku shqiptar hapi zemrën për gjermanët’”, tha ai, transmeton Zeri.info.
Restorantet e Mulakut, po ashtu ndër vite kanë pritur edhe shumë fytyra të njohura nga e gjithë bota, si Bill Clinton, Condoleezza Rice, Angela Merkel, Tony Blair, Richard Grenell e të tjerë.
“Ishte goxha e vështirë t’i sillnim të gjitha këto personalitete në restorantet tona, mirëpo e arritëm. Të gjithë këta emra kanë kontribuar në shtetin e Kosovës dhe të gjitha takimet ishin të këndshme dhe të frytshme”, u shpreh Mulaku, duke shtuar se do të vazhdojnë edhe më tutje lobimin për restorantet e tyre dhe Kosovën gjithashtu.
Emri i Ilir Mulakut nuk është i njohur tashmë vetëm për bizneset e tij të suksesshme në Gjermani. Poashtu, afaristi Mulaku njihet edhe në librin e rekordeve botërore të “Guinness”-it për pjekjen e mishit 10 metra të gjatë, i cili është pjekur në mes të qytetit Iserlohn.
“Kemi rregulluar një grill 10 metra të gjatë, i gjithë 10 metërshi është pjekur si duhet dhe me shije sigurisht”, u shpreh Mulaku.
Pas arritjes së këtij rekordi, u vendos që ky mish të shitet për bamirësi.
“Realizimi i një pjekjeje të tillë ka bërë krenar biznesin tonë”, përfundoi ai.
Mulaku, aktualisht po punon në një projekt të lobimit për Kosovën. Tani për tani, ky projekt ka pauzuar shkaku i pandemisë./Zëri