Thaçi: Kurti po hapet me Serbinë e po e mbyllë Kosovën nga Shqipëria
Foto:Laura Hasani

Thaçi: Kurti po hapet me Serbinë e po e mbyllë Kosovën nga Shqipëria

Aktuale June 01, 2020 - 19:26

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka lëshuar kritika tjera ndaj kryeministrit në detyrë, Albin Kurti.

Përmes një postimi në Facebook, Thaçi thotë se Kurti, “derisa ka hapur krahë më krah kufirin me Serbinë, për të hyrë kushdo, pa asnjë procedurë si në bahçe të babës, ai nga zyra e uzurpuar sot ka urdhëruar dhe keqpërdorur Policinë e Kosovës”, transmeton Zeri.info

Më tej, Thaçi thotë se Qeveria “Kurti”, padrejtësisht dhe kundërligjshëm sot ka urdhëruar policinë që të gjithë qytetarët e Shqipërisë që hyjnë në territorin e Kosovës, përpos vonesave procedurale, të dërgohen shtatë ditë në karantinë për të pritur testimin për COVID-19.

Po ashtu, me veprime shtesë, Kurti, sipas Thaçit, “ka urdhëruar që automjetet transportuese që hyjnë nga territori i Shqipërisë në emër të dezinfektimit të ngarkohen me taksë të veçantë, duke rënduar edhe më shumë lëvizjen e lirë dhe qarkullimin e mallrave”.

“Ky është absurditet! Hapet me Serbinë dhe e mbyllë Kosovën nga Shqipëria. I heq taksën Serbisë dhe ia vë Shqipërisë”, ka thënë Presidenti, duke përfunduar: “Ky është predikuesi i bashkimit kombëtar! Në fakt, këto veprime janë shqelmat e fundit të Kurtit nga zyra e uzurpuar”.