Kurti kujton zgjedhjet e para në Kosovë, 28 vjet më parë

Kurti kujton zgjedhjet e para në Kosovë, 28 vjet më parë

Aktuale May 24, 2020 - 23:09

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka kujtuar zgjedhjet e para të mbajtura në Kosovë, më 24 maj të vitit 1992.

Kurti, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se zgjedhjet e këtij viti janë me peshë, kurse pjesëmarrësit e tyre meritojnë respekt dhe vlerësim.

“Zgjedhjet e 24 majit të vitit 1992 janë një ngjarje me peshë që duhen trajtuar drejt, kurse pjesëmarrësit e saj meritojnë respektin dhe vlerësimin tonë. Zgjedhjet e para parlamentare, organizuar nga Alternativa e padhunshme demokratike e kohës, ishin një rast i mirë për pasurimin e arsenalit të metodave të organizimit dhe veprimit politik si dhe konsolidimin e pozitës politike së çështjes së Kosovës dhe viseve tjera shqiptare”, ka shkruar Kurti.

Mes tjerash, ai ka rikujtuar edhe organizimin vetanak të atyre zgjedhjeve në kushte robërie, ku kishin marrë pjesë 766.068 votues brenda vendit dhe 105.300 në mërgatë. Ai ka thënë se ato zgjedhje nuk mbetën pa jehonë mbarëkombëtare e kombëtare, ku kjo datë ishte dhe data kur Dr. Ibrahim Rugova u zgjodh president për herë të parë

“Organizmi vetanak i zgjedhjeve në kushte te robërisë dhe të shtypjes kishte pjesëmarrje impresive: 766.068 votues brenda vendit dhe 105.300 në mërgatë. Ato ishin sukses në vete dhe nuk mbetën pa jehonë mbarëkombëtare e ndërkombëtare. 24 maji 1992 është data kur Dr. Ibrahim Rugova u zgjodh President i Kosovës për herë të parë”, tha ai.

Në ato zgjedhje, Kurti tha se qytetarët treguan guxim dhe vullnet anembanë Kosovës. Por, për fat të keq, asokohe nuk vazhdoi procesi i kompletimit dhe funksionalizimit të strukturës së pavarur institucionale të Republikës.

"Megjithatë, 24 maji 1992 shënohet si datë kur populli kishte përzgjedhur rezistencën dhe po e konfirmonte pavarësinë. Ai injoronte zgjedhjet e Republikës së Serbisë dhe merrte pjesë masivisht në ato të Republikës së Kosovës, paçka se nën okupim", potencoi kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti.