Reka në debatin “The Future of Kosovo”: Dialogu të përfundojë me njohje reciproke, pa ndryshime territoriale

Reka në debatin “The Future of Kosovo”: Dialogu të përfundojë me njohje reciproke, pa ndryshime territoriale

Aktuale May 20, 2020 - 10:53

Ministri në detyrë i Integrimit Evropian, Blerim Reka, mbrëmë mori pjesë në debatin e “Columbia University”-s me temë “The Future of Kosovo” (E ardhmja e Kosovës), i organizuar nga ISHR-ja dhe SESC-i.

Në këtë debat online, të udhëhequr nga David Phillips, nga universiteti “Kolumbia” i Nju-Jorkut, Reka tha se e ardhmja e Kosovës nuk mund të jetë tjetër, pos si pjesë e familjes euroatlantike të demokracive liberale.

“Kosova si edhe SHBA-ja lindën në luftën çlirimtare kundër tiranisë koloniale, ndërkaq në paqe ndërtojnë demokracinë liberale. Kosova një shekull ishte nën regjimin kolonial serb, nga aneksimi, në fillim e deri tek aparteidi në fund të shekullit të kaluar. Andaj lufta çlirimtare ishte e vetmja zgjidhje për të hequr qafe pushtuesin e huaj, ndërkaq pas lufte qe mbështetur nga aleanca më e fuqishme perëndimore”, ka thënë Reka, raporton “Zeri.info”.

Tutje Reka ka thënë se e ardhmja e Kosovës është pjesë e civilizimit perëndimor, si dhe Republikë e bazuar në sundimin e ligjit.

“Pavarësia e Kosovës”, tha Reka, “ishte edhe legjitime (vullneti plebishitar i popullit për çlirim nga pushtuesi i huaj) dhe legale, (e bazuar në të drejtën ndërkombëtare, siç e thekoi edhe Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në mendimin e saj të vitit 2010)”.

“E ardhmja e Kosovës është si pjesë e civilizimit perëndimor, si një Republikë e bazuar në sundimin e ligjit, një shtet me kufijtë e mbrojtur me kushtetutë dhe një qeveri me qeverisje të mirë”, ka thënë ministri në detyrë i Integrimit Evropian.

Ndërkaq për dialogun Kosovë – Serbi ai ka thënë se duhet të përfundojë me njohje reciproke, pa ndryshim të territoreve.

“Dialogu nuk mund të jetë më sikur që ishte, pra jo më negociata asimetrike, por vetëm negociata të dy shteteve të barabarta, që duhet të përfundojnë me njohje reciproke ndërshtetërore – pa ndryshime territoriale”, citohet të ketë thënë në këtë debat ministri në detyrë i Integrimit Evropian, Blerim Reka. /Zëri