
“Jetimat e Ballkanit” po ndërton në Suharekë shtëpinë e të moshuarve për 500 persona
Shoqata bamirëse “Jetimat e Ballkanit” po vazhdon edhe në këtë kohë aktivitetet e saj. Çdo ditë po dhurohen shujta, pako ushqimore e “çelësa” për familjet në nevojë, shkruan “Zeri.info”.
Veç këtyre aktiviteteve të përditshme, falë idesë së kësaj shoqate dhe kontributit të madh të donatorëve, është pothuajse në përfundim projekti më i madh, në të cilën janë angazhuar dekadën e fundit.
Bëhet fjalë për një shtëpi të të moshuarve në Gjinoc të Suharekës.
Kjo shtëpi do të ketë hapësirë prej 14 mijë metrave katrorë, të mjaftueshme për më shumë se 500 persona dhe më e madhja e këtij lloji në Kosovë.
Në këtë shtëpi, për dallim nga aktualet, do të strehohen edhe të moshuarit që kanë fëmijë, por që janë pa përkujdesje, të cilët janë në nevojë e që nuk kanë mundësi kujdesi ndaj vetvetes.
“Jetimat e Ballkanit”, në krye me hoxhë Halil Kastratin, do të bëjë një memorandum bashkëpunimi me Ministrinë e Shëndetësisë që të dërgohet një staf mjekësor në këtë shtëpi.
Inaugurimi i kësaj shtëpie planifikohej të bëhej në fund të gushtit të këtij viti, por shkaku i pandemisë dhe ndërprerjes së punës është shtyrë për të paktën dy muaj. /Zëri