Kosovarët të dhunshëm gjatë izolimit, raportohen 481 raste të dhunës në familje për tre muaj

Kosovarët të dhunshëm gjatë izolimit, raportohen 481 raste të dhunës në familje për tre muaj

Aktuale May 07, 2020 - 12:17
Fenomeni i dhunës në familje vazhdon të mbetet në nivel shqetësues në shoqërinë kosovare, ku viktimat më të shpeshta janë gratë, të cilat përjetojnë dhunë nga bashkëshortët ose nga familjarët tjerë
Image

Shqetësuese kanë qenë edhe raportimet për dhunë gjatë kohës së izolimit, ku vetëm gjatë muajit mars, kur Kosova kishte marrë masa për kufizim të lëvizjes, janë raportuar 169 raste, shkruan “Zeri.info”.

Policia e Kosovës dhe institucionet tjera gjatë kësaj kohe të izolimit kanë pasur një kujdes të shtuar ndaj këtij fenomeni, i cili duket se ka pasur një rritje në krahasim me dy muajt e parë të vitit.

Në tremujorin e parë të 2020-ës, sipas statistikave të Policisë, janë raportuar 481 raste të dhunës në familje: në janar janë regjistruar 161 raste, në shkurt 151 dhe në mars 169 raste.

Policia gjithashtu ka bërë të ditur se nga viti 2017 deri në vitin 2019 ka pasur një ngritje të raportimit të rasteve të dhunës në familje.

“Trajtimi i rasteve me prioritet nga ana e PK-së, bashkëpunimi i qytetarëve me policinë dhe sensibilizimi i qytetarëve kanë ndikuar në ngritjen e raportimit të rasteve ndër vite, ku gjatë vitit 2017 kanë qenë të raportuara 1.269 raste, në vitin 2018 kanë qenë 1.541 dhe në vitin 2019 kanë qenë 1.915 raste të raportuara në nivel vendi”, thuhet në statistikat e Policisë.

Në anën tjetër, psikologu Imri Zabeli ka thënë për “Zërin” se izolimi mund të ndikojë në rritjen e rasteve të dhunës në familje, pasi të gjitha kategoritë kanë përjetuar ndryshim të funksionimit normal si pasojë e masave ndaj pandemisë.

“Ndryshime në funksionimin normal kanë përjetuar të gjitha moshat, nxënësit/studentët janë privuar nga shkolla, nga aktivitetet e zakonshme fizike dhe sociale, prindërit përveç brengosjes për shëndetin e familjes janë ballafaquar me presionin e uljes së të ardhurave dhe menaxhimin e shpenzimeve dhe obligimeve rrjedhëse, derisa mosha e shtyrë, për shkak të rrezikshmërisë më të lartë, i janë ekspozuar stresit dhe presionit psikologjik nga frika e infektimit nga virusi dhe si rrjedhojë mund të kenë qenë burim i tensioneve në familje”, ka thënë Zabeli.

Ai ka treguar edhe faktorët psikologjikë që mund të konsiderohen si shkaktarë të rritjes së dhunës në familje.

“Faktori i jashtëm i përbashkët që ka nxitur shqetësime mendore dhe emocionale te secili individ ka qenë izolimi, derisa më të cenuarit në këto rrethana janë njerëzit që nuk kanë gëzuar shëndet të mirë psikologjik dhe fizik, në veçanti ata që vuajnë nga çrregullimet e ankthit dhe të depresionit. Ndjenja e izolimit dhe se diçka e keqe mund t’u ndodhë atyre ose njerëzve të dashur i ngarkon tej mase njerëzit që vuajnë nga ankthi dhe jorrallë bëhet burim i shqetësimeve në gjithë familjen, ku edhe mund të vijë deri te konfliktet”, ka shtuar psikologu Zabeli, duke treguar se faktorë tjerë me ndikim për rritjen e dhunës në familje në këtë kohë pandemie janë ndërprerja e punës, humbja e të ardhurave, falimentimi i bizneseve, obligimet rrjedhëse si kreditë e bankave ose borxhet ekzistuese.

Policia e Kosovës, edhe përkundër angazhimeve shtesë, thotë se këto raste i trajton me prioritet dhe bën apel për të gjithë personat nëse janë pre e dhunës në familje ose çfarëdolloj dhune tjetër, t’i raportojnë këto raste përmes numrave të telefonit 192 dhe 080019999 ose në stacionin më të afërt policor. /Zëri/