'Vetëvendosja në opozitë përafrohet me PDK-në njëjtë sikurse me LDK-në gjatë koalicionit PAN'

'Vetëvendosja në opozitë përafrohet me PDK-në njëjtë sikurse me LDK-në gjatë koalicionit PAN'

Aktuale April 30, 2020 - 15:37
Detajet e fundit
Image

Kreu i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Kadri Veseli, është deklaruar dje se si PDK nuk do ta përkrahin qeverinë “Hoti”, të cilën e ka quajtur edhe “Qeveria e mashtrimit”.

Distancimi i PDK-së nga partitë e udhëhequra nga krahu i luftës, si dhe drejtimi i qeverisë nga LDK-ja duket i drejtë sipas njohësve të qështjeve politike.

Arton Demhasaj, njohës i rrethanave politike, këtë qëndrim të PDK-së e sheh si veprim të duhur në këtë kohë, pasi në të kundërtën ky subjekt politik do të humbte poenë në elektorat.

Sipas tij, partia e Kadri Veselit po këtë qëndrim si kundërshtare e qeverisë duhet ta mbajë edhe në seancat e Kuvendit.

“Mendoj që është në rregull qëndrimi i PDK-së kundër qeverisë ‘Hoti’, sepse ata nuk janë pjesë e këtij koalicioni dhe nuk ka kuptim. Është krejt në rregull nëse PDK-ja del kundër qeverisë ‘Hoti’ dhe nuk e voton, njëkohësisht duhet me qenë po ashtu edhe kundërshtare e qeverisë ‘Hoti’ edhe në Parlament. PDK-ja e ka pranuar të jetë në opozitë më 6 tetor, nëse pranon të hyjë në një qeveri kur LDK-ja do ta udhëheqte atë qeveri ajo do të ndikonte që PDK-ja të humbë vota dhe të humbë elektorat", tha Demhasaj për “Zëri.info”.

Tutje Demhasaj teksa foli për “Zërin” tha se PDK-ja e Vetëvendosja do të jenë opozitë e zëshme dhe funksionale. Mes tyre, sipas tij, gjatë kësaj kohe mund të ketë edhe përafrime.

“Edhe në kohën kur LDK-ja dhe LVV-ja kanë qenë dy partitë që më së shumti kanë pasur kundërshtime në mes vete dhe kacafytje politike, por në kohën kur është krijuar koalicioni PAN dhe LDK-ja mbeti në opozitë, njëkohësisht edhe LVV-ja, ne i pamë që këto dy parti u përafruan së bashku dhe vepruan bashkë në opozitë. Kështu që një energji e tillë mund të merret edhe me Vetëvendosjen dhe me PDK-në nëse këto të dy parti mbesin në opozitë pas votimit të qeverisë ‘Hoti’. Atëherë një pjesë e madhe e aktiviteteve mundet të kordinohen në mes të PDK-së dhe Vetëvendosjes, sepse të dyja janë në opozitë dhe qëllimi i të dy partive është që të kundërshtohet sa më shumë qeveria”, përfundoi Demhasaj. /ZËRI