Rukiqi prezanton rrugën drejt hapjes se bizneseve nga 4 maji
Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, pas një takimi me bizneset në vend ka deklaruar se kriza është serioze për ekonominë në vend pas përhapjes së pandemisë COVID-19.
Por, Rukiqi para bizneseve ka prezantuar rrugën drejt hapjes së tyre nga data 4 maj.
Postimi i plotë i Rukiqit në "Facebook":
Kriza eshte serioze, por biznesi mbetet optimist për të ardhmen, nëse ndërmerren veprimet e duhura nga vendimmarrësit.
Sot pata një bashkëbisedim të hapur dhe përmbajtjesor me disa nga kompanitë me kontributin me të madh në buxhetin e vendit dhe në krijimin e vendeve të punes, ku ndër të tjera prezantova rrugën graduale drejt hapjes, nga data 4 maj, si dhe propozimet e mundshme per rimëkembjen ekonomike.
Kompanitë pjesëmarrëse në bashkëbisedim shprehën shqetësimet me përmbajtjen dhe efikasitetin e masave të deritashme të Qeverise, por në të njëjtën kohë dhanë propozime konkrete për fazat e hapjes së ekonomisë dhe planin e mundshem për rimëkëmbjen dhe transformimin e ekonomisë. Ndër propozimet për planin e rimëkëmbjes dhe transformimit të ekonomisë janë:
– Mjetet e pakos financiare të mbesin sa më shumë në Kosovë, në furnizime me produkte që blihen në vend;
– Të aprovohet baza ligjore për mbledhjen e TVSH-së brenda vendit, pra pas shitjes së mallit dhe jo në kufi;
– Të krijohen lehtësira fiskale, duke përfshirë mundësitë për “Pushime tatimore”;
– Të mbulohet kostoja e interesit për kreditë e reja, që nevojiten per likuiditet dhe investime të reja;
– Të krijohen linja të veçanta financiare për financim të eksportit;
– Të financohen kompanitë që nuk kanë mundësi financiare per implementimin e masave për parandalimin e përhapjes së COVID-19.