Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë: Në qershor plazhet do të jenë të hapura

Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë: Në qershor plazhet do të jenë të hapura

Aktuale April 28, 2020 - 19:03

Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi, ka thënë se është optimist se në qershor plazhet në Shqipëri do të jenë të hapura.

Sipas Minxhozit, në këtë kohë armiku më i madh nuk është koronavirusi, por është stresi, ankthi, të cilat patjetër duhet evituar.

Kurse për situatën në Shqipëri ka thënë se, “edhe ata që janë pranë detit nuk po lahen. Kjo sëmundje është bërë pengesë e madhe. Them që kushdo në Kosovë mund të planifikojë të shkojë në Shqipëri sepse ajo do të jetë e hapur”.

Megjithatë, ai thotë se është e rëndësishme që situata të stabilizohet edhe në Kosovë edhe në Shqipëri.

“Ne jemi me fat që ka rënë shkalla e agresivitetit të koronavirusit. Shqipëria ka qenë në një fazë më të hershme. Do të jetë shumë e rëndësishme që të kemi situatë stabile edhe në Kosovë edhe në Shqipëri në mënyrë që të shkojmë drejt plazheve. Por, duhet të jemi të kujdesshëm. Qarkullimi rrugor është i pandërperë për mallrat, por për njerëzit do të duhet më tepër kohë, ndoshta më tepër se dy javë. Ajo që është e rëndësishme është se po merren masat pasi do të jetë një sezon krejtësisht ndryshe”, ka thënë Minxhozi në KTV.

Ai nuk pret që të ketë turizëm ndërkombëtar, derisa thekson se humbjet janë të mëdha për shkak të Covid-19.

“Gjithë bota do të ndryshojë pas Covid-19. Po u arrit 30-40 për qind të të ardhurave të vitit të kaluar do të ishim shumë të kënaqur. Në këto kushte mendojmë që të organizojmë më mirë turizmin brenda për brenda vetes. Njerëzit do të pushojnë brenda, e ne do të zhvillojmë edhe turizmin e vogël, atë familjar. Fluksi i vitit të kaluar është i pamundur të arrihet”, ka thënë ai.

Megjithatë, Minxhozi thekson se më i rëndësishëm është shëndeti publik, porse është optimist se qershori do të jetë me plazhe të hapura.

“Përpara turizmit kemi shëndetin e njerëzve, në asnjë mënyrë s’mund të bëjmë gabime sepse mund të ketë pasoja të parikthyeshme. Është shumë shumë e rëndësishme që të mos dëmtohet sektori i shëndetësisë. Ne duhet të mendojmë se jemi një familje e përbashkët dhe duhet të bëjmë hapa të kujdesshëm. Kur flasim për kufijtë duhet të kemi parasysh cila është shkalla e rikuperimit dhe cili është shkalla e koronavirusit. Aty ku jemi të sigurt aty do të hapim kufijtë. Mendoj se qershori do të jetë një muaj plazhi për të gjithë ne”, ka thënë Minxhozi.

Minxhozi ka bërë thirrje që të ketë kujdes të shtuar.

“Ka rënie të mallrave natyrisht, sepse kalojnë vetëm ato esenciale. Kjo bëhet për të ruajtur dhe të kemi situatën nën kontrollë. Por, është e rëndësishme se është arritur të ketë një ndërgjegjësim tek ne. Shpresojmë që të mos ketë një shpërthim, por duhet të jemi shumë të kujdesshëm, pasi do të ketë përceptim të ri të organizimit. Ne kemi pasur një vit shumë të vështirë, edhe për shkak të tërmetit”, ka thënë Minxhozi.