Albin Kurti dhe Vjosa Osmani bëjnë homazhe te varrezat në Mejë

Albin Kurti dhe Vjosa Osmani bëjnë homazhe te varrezat në Mejë

Aktuale April 27, 2020 - 10:23

Sot kryeministri në detyrë i vendit, Albin Kurti, bashkë me kryetaren e Kuvendit Vjosa Osmanin, bëri homazhe te varrezat në Mejë, për nderim të ditës së 27 Prillit - përvjetorit të të zhdukurve.

Me kryeministrin në detyrë Kurtin ishte edhe këshilltarja e tij ligjore, Furtuna Sheremeti.

Meja është vendi i masakrës më të madhe të policisë serbe dhe ushtrisë jugosllave gjatë luftës së fundit në Kosovë. Prandaj 27 Prilli shënon Ditën e të Zhdukurve në Kosovë.

376 shqiptarë të moshave të ndryshme u vranë, u masakruan dhe u kidnapuan brenda ditës.

Sot, si rrjedhojë e rrethanave të krijuara nga COVID-19, në pamundësi për të qenë me familjet e atyre që humbën më të dashurit e të atyre që akoma presin të dinë për fatin e tyre, kryeministri i vendit zgjodhi të jetë afër kujtimit të atyre që nuk janë më mes nesh.

Hapësira të zbrazëta mes varresh, pa pllakë përkujtimore e pa varr, qëndronin mes varreve aktuale, në pritje të 13 të tjerëve, të cilët akoma sot mungojnë nga kjo masakër e kobshme.

Sot, 21 vjet pas, përgjegjësit - emrat e të cilëve janë përmendur edhe në gjykimet e Tribunalit të Hagës - janë akoma të lirë dhe jetojnë pa shqetësime në vende të ndryshme të Ballkanit.

Bëjmë thirrje që me të pasur mundësinë e gjykimit në mungesë këta persona do të ndiqen penalisht dhe do të dënohen në mënyrë meritore për krimet që kanë kryer, sepse familjarët meritojnë drejtësi, kurse kriminelët gjykim.