
Drenasi shënon Ditën Ndërkombëtare të Tokës
Komuna e Drenasit ka shënuar sot Ditën Ndërkombëtare të Tokës.
Në mënyrë simbolike për shkak të situatës që ndodhet vendi me epideminë në Drenas, duke mbajtur distancë, kanë mbjellur lule, përcjell "Zëri.info".
Njoftimi i plotë:
Sot komuna e Drenasit përkatësisht stafi i DSHPE/së në bashkëpunim me kompaninë K.R.M “Pastrimi” në mënyrë simbolike shënuan 22 Prillin - Ditën Ndërkombëtare të Tokës, ditë në të cilën ndërgjegjësohen shumë njerëz, që në mënyra të ndryshme mundohen që t’i vijnë asaj në “ndihmë” e me këtë ndihmojnë veten e tyre pra gjithë njerëzimin si dhe mjedisin ku jetojnë ata, për faktin se Toka është bazë për prodhimin e ushqimit dhe zhvillimin e jetës.
Gjatë këtij aktiviteti simbolik për shkak të situatës në të cilën gjendemi duke u përballur me virusin COVID – 19, në një distancë nga njëri tjetri është realizuar mbjellja e luleve. Ky aktivitet do të jetë një nismë e cila do të vazhdojë me aktivitete punuese më intensive në hapësirat publike duke përfshirë parkun dhe sheshin e qytetit të Drenasit.
Gjatë kësaj dite përcjellim mesazhin tek të gjithë qytetarët e Drenasit, se ne gjithsecili mund ta ndihmojmë planetin në të cilin jetojmë çdo ditë, duke filluar me ndryshimin e zakoneve të cilat janë pjesë e rutinës sonë si shembull duke ecur këmbë ose duke përdorur biçikletën, përdorimin e transportit publik, hedhja adekuate e mbeturinave, sa më pakë të përdorim qeset dhe gotat e plastikës, sa më shumë gjelbërim në kopshte, mbjellja e pemëve, aksione të shpeshta të pastrimit, përdorim sa më pak i letrës së printuar etj.
Komuna e Drenasit mbetet e përkushtuar për një zhvillim të qëndrueshëm, për ruajtjen dhe administrimin e burimeve natyrore, duke krijuar një raport të drejtë midis shkallës së përdorimit dhe mbrojtjes të mjedisit. Mbrojtja e tokës dhe mjedisit nuk është çështje e një dite, por e vazhdueshme. Të gjithë brezat kanë përgjegjësinë historike të kontribuojnë në mbrojtjen e tokës dhe burimeve të saj.
#EarthDay2020