Testohen 14 persona në Drenas, familjarë të gruas që ka dalë pozitive me COVID-19
Foto: Laura Hasani

Testohen 14 persona në Drenas, familjarë të gruas që ka dalë pozitive me COVID-19

Aktuale April 21, 2020 - 11:49

Javën e kaluar është konfirmuar rasti i parë në komunën e Drenasit me koronavirus.

Siç ka mësuar "Zëri.info", e infektuar me COVID-19 ka dale një grua nga fshati Zabel i Ulët i Drenasit, e cila vuan edhe nga sëmundja e leukemisë, për çka ishte duke u trajtuar në QKUK tash e një kohë.

Drejtori i Shëndetësisë në Drenas, Arsim Haxhiu ka bërë të ditur për “Zërin” se sot janë marrë mostrat e 14 familjarëve, me të cilët ka pasur kontakte e infektuara.

Haxhiu gjithashtu ka njoftuar se gruaja e cila ka dale pozitive me koronavirus para disa dite është në gjendje stabile dhe dy familjet që kanë pasur kontakte me të janë në karantinim.

“Gjendja e pacientës është e mirë. Ne i kemi marrë masat e nevojshme që janë për karantinizim në dy familje, e kemi informuar Institutin Kombëtar të Shëndetësisë dhe sot kanë marrë mostrat e 14 familjarëve në dy familjet e gruas që ka dale pozitive”, ka thënë Haxhiu për Zërin. /A. Limani /ZERI