Lirohet mjeku popullor nga Gjilani, që ofronte “ilaç” për shërimin e COVID-19
Mjeku popullor nga Gjilani, Kadrush Abazi, që u arrestua dje nga Policia, është liruar sot. Zëdhënësja e Prokurorisë Themelore të Gjilanit, Liridona Xheladini, i tha gazetës “Express” se pas intervistimit nga prokurorja e rastit, i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt.
Mjeku popullor, Kadrush Abazi, kishte bërë publik në rrjetin social “Facebook” një bar, për të cilin pretendonte se shëron të infektuarit me koronavirus.
Abazi kërkonte vullnetarë të infektuar me koronavirus për ta provuar barin me bazë bimore, që sipas tij i shëron të prekurit pas një jave përdorim.
Prokuroria Themelore në Gjilan e ka ndaluar mjekun gjatë ditës së djeshme nën dyshimin për veprën penale “Prodhimi dhe shpërndarja e produkteve të dëmshme mjekësore”.
Ai për këtë vepër penale u arrestua nga Policia dhe u dërgua për 48 orë në burg.
Zëdhënësja e Prokurorisë Themelore të Gjilanit, Liridona Xheladini, tha se mjeku popullor Kadrush Abazi sot është intervistuar nga prokurorja e rastit dhe më pas është liruar.
“Ju njoftojmë se i dyshuari K.A., i cili është ndaluar gjatë ditës së djeshme, më 15 prill 2020, për shkak të veprës penale ‘Prodhimi dhe shpërndarja e produkteve të dëmshme mjekësore’, të KPRK-së, pas intervistimit nga prokurorja e rastit është liruar në procedurë të rregullt”, tha ajo të enjten.
E për këtë rast ka dhënë detaje edhe nënkryetari i Komunës së Gjilanit, Arbër Ismajli.
Ismajli ka thënë se Prokuroria ka bastisur lokacionin ku ka vepruar mjeku popullor.
Ai tutje theksoi se sipas informatave të deritanishme, nuk është numër i madh i qytetarëve të cilët kanë shkuar te mjeku popullor për ilaçin, që ai pretendon se e ka zbuluar.
Derisa bëri të ditur se gjatë ditës së sotme do të zbardhen të gjitha detajet e këtij rasti nga institucionet përkatëse.
“Nuk ka nevojë për shqetësim dhe sipas informacioneve të para nuk është numër i madh i qytetarëve që kanë frekuentuar këtë të ashtuquajtur mjek. Kjo për shkak se ne vazhdimisht kemi qenë në kontakt me këshillat e lagjeve dhe për çdo informacion dhe detaj që ka mundur të ndodhë është lajmëruar Shtabi Emergjent në Gjilan dhe janë ndërmarrë masat”, ka deklaruar Ismajli.