Dikush ka organizuar konsumim kolektiv të kanabisit nëpër ballkonet e Prishtinës

Dikush ka organizuar konsumim kolektiv të kanabisit nëpër ballkonet e Prishtinës

Aktuale April 10, 2020 - 14:23

Për shkak të situatës me pandeminë COVID-19 është pamundësuar grumbullimi i njerëzve brenda një hapësire, për këtë arsye në ballkone disa net radhazi qytetarët kanë protestuar kundër rrëzimit të Qeverisë e veç kësaj në po këtë mënyrë është duartrokitur për punonjësit shëndetësorë, të cilat janë vija e parë e frontit në luftën me pandeminë.

Por kësaj here një thirrje jo e zakonshme është bërë nga një grup i prishtinasve “Prishtina Calling”, shkruan gazeta “Sinjali”. Ata kanë kërkuar nga qytetarët që më 20 prill, në orën 16:20, të dalin në ballkonet e tyre dhe “t’i japin erë tjetër krejt lagjes e krejt qytetit”.

Sipas tyre, ndezja e një marihuane do të ishte ngritje e zërit kundër trajtimit kriminal, që po u bëhet përdoruesve të marihuanës. “Prishtina ka kohë që po e mban të ngulfatur debatin publik për marihuanën, edhe pas eventit të suksesshëm të mbajtur para dy viteve në Germi. Pos disa debateve, asgjë nuk ka ndryshuar, edhe pse marihuana është një nga temat e përditshme në Prishtinë dhe në Kosovë. Shteti në anën tjetër përdoruesit i trajton si kriminelë dhe nuk ka arritur kurrë të bëjë dallimin mes shitësve dhe përdoruesve të marihuanës. As nuk ka arritur që të hapë debat mbi cilësitë e marihuanës, që tashmë janë vërtetuar me shkencë. Madje alkooli, që është legal, është vërtetuar të jetë më i dëmshëm se marihuana. Ne në këtë kohë pandemie nga virusi COVID-19 nuk mund të dalim në natyrë, por mund të dalim në ballkonet tona dhe duke ndezur një në orën e minutën simbolike 4:20, ta ngremë zërin kundër trajtimit kriminal, që po u bëhet përdoruesve të marihuanës. Tek e fundit, vetëm për qejf”, thuhet në njoftimin e tyre në rrjetin social “Facebook”.

Image