Haziri ka dy njoftime të rëndësishme për Gjilanin, paralajmëron orar të ri qarkullimi
Foto: Laura Hasani

Haziri ka dy njoftime të rëndësishme për Gjilanin, paralajmëron orar të ri qarkullimi

Aktuale April 10, 2020 - 11:36

I pari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, në një konferencë për medie njoftoi se që nga 14 prilli gjilanasit do të kenë një orar të ri për qarkullim, raporton “Zëri.info”. Ai ka njoftuar se Komiteti i Emergjencave në Komunën e Gjilanit që nga dita e parë do të hartojë një orar të ri qarkullimi, derisa deri atëherë do të vlejë orari aktual.

“Ne kemi marrë vendimin e Qeverisë dje që komunat të autorizohen për vlerësime dhe janë autoritete tashmë kryesore që vendosin për masat në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë. Komiteti i Emergjencave në Komunën e Gjilanit gjatë ditës sot do ta bëjë pakon e re të emergjencave dhe kohën e re të ndalim qarkullimit prej 14 prillit. Deri më 13 prill është orari i njëjtë, prej orës 17:00 nuk lejohet qarkullimi, por më 14 prill do të jetë orar i ri. Do të njoftoheni më pastaj për këtë gjë”, tha Haziri para medieve.

Tutje ai shprehu ngushëllimin për qytetarin gjilanas, i cili dje ndërroi jetë si pasojë e koronavirusit.

Ndërkohë Haziri në këtë konferencë njoftoi se Zhegra që nga sot fillon masat lehtësuese për të dalë nga karantina, por, siç tha ai, një gjë e tillë nuk do të ndodhë menjëherë. “Zhegra nga sot me masa lehtësuese, fillon procesi i karantinës, por nuk është akt që ndodh menjëherë, ne do të shkojmë me lehtësime derisa të shohim si po shkon. Në Vrapqiq vazhdon derisa sot i presim”, tha tutje ai. /A.K