BE-ja përkrah Kosovën edhe me një grant prej 9.4-milionësh për rimëkëmbjen e ekonomisë pas koronavirusit

BE-ja përkrah Kosovën edhe me një grant prej 9.4-milionësh për rimëkëmbjen e ekonomisë pas koronavirusit

Aktuale April 08, 2020 - 14:26

Bashkimi Evropian ka ndarë një grant prej 9.4 milionë eurosh për Kosovën me qëllim të krijimit të vendeve të reja të punës dhe rimëkëmbjen e ekonomisë pas krizës me pandeminë COVID-19.

Një lajm i tillë është bërë i ditur përmes një komunikate për medie nga Zyra e BE-së në Prishtinë, ku thuhet e Brukseli do të përkrahë efiçiencën e energjisë në Kosovë me një shumë prej afro 10 milionë eurosh.

Ky grant dhe implementimi i tij do të administrohet nga Banka Botërore. “BE-ja mbështet efiçiencën e energjisë në Kosovë me 9.4 milionë euro, duke krijuar vende pune, për të zvogëluar ndikimin negativ të virusit COVID-19 në ekonomi”, thuhet në njoftim.

Implementimi i këtij granti do të fillojë menjëherë pas përfundimit të situatës më COVID-19. “Marrëveshja për grantin prej 9.4 milionë eurosh nga ‘IPA 2017’ u nënshkrua dje nga BE-ja dhe nga Qeveria e Kosovës me Bankën Botërore si administrues i besuar. Implementimi i projektit do të fillojë sapo të tejkalohet situata me përhapjen e virusit COVID-19 dhe do t’i kontribuojë zvogëlimit të ndikimit të tij negativ në ekonomi”, shton komunikata.

“Ky grant do të përdoret nga Fondi i Kosovës për Efiçiencë të Energjisë si kapital për financimin e zbatimit të masave të efiçiencës së energjisë në infrastrukturën publike komunale, përkatësisht në shkolla, në qendra të kujdesit shëndetësor, në spitale etj. dhe do të krijojë vende pune në sektorin e ndërtimtarisë”, theksohet ndër të tjera.