Injorohet zëri i ndërkombëtarëve, vazhdojnë akuzat për ngritje të tensioneve në veri
FOTO: LAURA HASANI

Injorohet zëri i ndërkombëtarëve, vazhdojnë akuzat për ngritje të tensioneve në veri

Aktuale April 06, 2020 - 14:05

Me akuza e me kundërakuza po shoqërohet edhe më tej vendimi i dy komunave veriore me shumicë serbe, të cilat të enjten që lamë pas u karantinuan si pasojë e mbrojtjes nga koronavirusi. Thirrjet e bashkësisë ndërkombëtare për t’i lënë anash përçarjet politike po bien në “veshë të shurdhër”, pasi që edhe më tej po vazhdon “lufta” mes presidentit, partive opozitare dhe LDK-së në njërën anë dhe Qeverisë në detyrë në anën tjetër, shkruan sot "Zeri"

Image

Ndonëse ambasadorët e shteteve të BE-së vazhdimisht po u bëjnë thirrje liderëve kosovarë të fokusohen te luftimi i pandemisë botërore e t’i lënë anash përçarjet politike, presidenti, partitë opozitare dhe LDK-ja edhe më tej po akuzojnë Qeverinë në detyrë për cenim të sovranitetit të vendit.

Sot ambasadori i Britanisë së Madhe në Prishtinë, Nicholas Abbott, përmes një postimi në rrjetet sociale deklaroi se s’ka politikë me virusin, teksa lavdëroi bashkëpunimin mes politikanëve shqiptarë e serbë kohëve të fundit. “Në këtë kohë të vështirë bashkëpunimi mes komuniteteve, që e kemi parë javën e shkuar mes ministrave Arben Vitia dhe Dalibor Jevtiq dhe mes kryekomunarëve Agim Bahtiri e Goran Rakiq në Mitrovicë, është i mirëpritur dhe i përshëndetur. Siç ka thënë edhe Mbretëresha dje, nëse jemi të bashkuar dhe të vendosur, do të tejkalojmë këtë sëmundje. S’ka politikë me virusin. Populli i Kosovës nuk meriton më pak”, ka shkruar ai. Thirrje të njëjta te liderët kosovarë tashmë ka përcjellë edhe ambasadori i SHBA-së Philip Kossnet, si dhe shefja e Zyrës së BE-së Natalia Aspotollova. Por pavarësisht këtyre thirrjeve “lufta” mes Presidencës dhe Qeverisë po vazhdon, teksa asaj po i kontribuojnë njëzëri edhe partitë opozitare dhe LDK-ja.

Kurti: Po tentohet të shpallet gjendje e jashtëzakonshme

Pas akuzave që mori nga presidenti Hashim Thaçi, nga partitë në opozitë, si dhe nga LDK-ja, Kurti dje ka reaguar, duke u bërë thirrje qytetarëve që deklarimet e presidentit për veriun të merren me rezervë. Kryeministri në detyrë ka thënë se po tentohet të shpallet gjendje e jashtëzakonshme. “Edhe deklarimet e presidentit, që po sillet si njëri nga liderët opozitarë, merrini me rezervë e qetësi. E dini thënien e urtë të popullit tonë se ‘kur dhelprës po i digjej bishti ajo thoshte se po digjet e gjithë bota’. Dhelpra po e tund bishtin e djegur që të na djegë gjithë vendin tonë. Mirëpo jo, nuk do ta lejojmë”, ka theksuar Kurti.

Rrjedhimisht, sipas Kurtit, si në Beograd, ashtu edhe në Prishtinë ka politikanë që synojnë një nxitje të konfliktit të veri të Ibrit. “Po, ka politikanë e zyrtarë të lartë në Beograd që duan konflikt në Kosovë, sidomos në veri të Ibrit. Mirëpo ka politikanë e zyrtarë të lartë edhe në Prishtinë që duan konflikt në Kosovë, sidomos në veri të Ibrit. Ata duan të provojnë tensione, sepse duan incidente. Projekti i tyre i shkëmbimit territorial sikur të realizohej do të shkaktonte konflikte e gjakderdhje të reja. Ai projekt dështoi. Tash duan konflikte e gjakderdhje në terren për t’u rikthyer te shkëmbimi territorial, përkatësisht te ndarja e Kosovës. Krejt njëjtë është edhe ajo intenca për të shpallur gjendje të jashtëzakonshme me çdo kusht e çmim. Pasi që nuk arritën ta shpallin për ta bërë, duan ta bëjnë që ta shpallin”, ka thënë Kurti.

Ai ka shtuar edhe se “atyre që kontribuuan për ndarjen e Mitrovicës dhe e lanë të pazhvilluar e në mjerim për mbi dy dekada mos u besoni tash kur kërkojnë sovranitet e integritet nga Qeveria që e rrëzuan pa i bërë as dy muaj në detyrë”.

LDK: Veriu i Kosovës duhet të jetë nën kontrollin e MSH-së

Duke e komentuar gjendjen në veri të Kosovës pas përhapjes së koronavirusit në këtë pjesë, deputeti i LDK-së, Ekrem Hyseni, për “Zërin” ka thënë se kjo pjesë domosdo duhet të jetë nën kontrollin e Ministrisë së Shëndetësisë. Kësisoj, sipas tij, duhet të respektohen të gjitha masat e vëna nga Qeveria. “Masat janë ato që neve na ndihmojnë ta kemi situatën nën kontroll. Unë mendoj që ajo pjesë detyrimisht duhet të jetë edhe nën kontrollin e Ministrisë së Shëndetësisë sa u përket masave për shëndetësinë”, ka thënë ai, shkruan tutje "Zeri"

Duke mos dashur të deklarohet për përplasjet politike mes institucioneve vendore për këtë pjesë, Hyseni ka thënë se duhet të respektohen rekomandimet e Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik, me qëllim që virusi të mos hapet edhe më tej. “Normalisht që janë bërë edhe hapa në atë drejtim. Është me rëndësi që të respektohen të gjitha rekomandimet e Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik në gjithë territorin e Kosovës, sepse përndryshe, nëse kemi çalim të zinxhirit të masave, atëherë munden ata të jenë burim i infeksioneve, sepse ne nuk e kemi kontrollin mbi ta”, ka theksuar më tutje ai.

Ismaili: Albin Kurti ka hyrë në lojën e Aleksandar Vuçiqit

Në anën tjetër sekretari i Partisë Demokratike të Kosovës, Uran Ismaili, pas zhvillimeve në veri ka kritikuar kryeministrin në detyrë Albin Kurtin se ka hyrë në lojë të presidentit serb Aleksandar Vuçiq.

Ismaili e ka cilësuar si lojë të rrezikshme sjelljen e kryeministrit në detyrë karshi situatës në veri të Kosovës. “Kryeministri Kurti mes shumë gabimesh ka nisur një lojë të re, për ta fituar simpatinë e bashkësisë ndërkombëtare, raportet me të cilën i ka thellësisht të çara. Me letrat e një projekti të rrezikshëm në duar, bashkë me disa ndërkombëtarë që janë kundër pavarësisë së Kosovës, ka nisur të bëjë lëshime ekstreme në veri. Për të mbetur disi në radarin e tyre e për të mbijetuar politikisht jashtë ai po sakrifikon gjithçka brenda. Ajo që e dëshmon më së shumti këtë skenar është rifaktorizimi i UNMIK-ut si palë ndaj Vuçiqit. Këtë rrethanë të izolimit nga qendrat kryesore ndërkombëtare të Kurtit, si dhe situatën me pandeminë, Serbia dhe Aleksandar Vuçiqi do ta shfrytëzojnë për qëllimet e tyre në Kosovë”, ka shkruar ai.

Ai thotë se për ta larguar vëmendjen nga gjendja në veri Kurti filloi të akuzonte për tradhti, shkruan tutje "Zeri"

“E vërteta është se komunat në veri janë vendosur në karantinë dhe qytetarëve atje u është kufizuar lëvizja për shkak të pandemisë me urdhër nga Beogradi. E vërteta tjetër është se kryeministri Kurti për ta larguar vëmendjen nga ky fakt vendosi të akuzojë për tradhti. Një metodë e vjetër kjo e tij, e njohur tashmë nga të gjithë, që sa herë i zihet ‘bishti me rrotë’ bërtet për ‘tradhtinë’”, ka thënë tutje Ismaili.

AAK: Të mos shfrytëzohet pandemia për ta destabilizuar situatën në veri

Ndryshe prej Ismailit është shprehur deputeti i AAK-së Rasim Selmanaj, i cili për “Zërin” ka thënë se institucionet kosovare duhet të veprojnë me maturi karshi zhvillimeve në veriun e Kosovës. “Në këtë kohë pandemie Qeveria dhe institucionet tjera të Kosovës duhet të jenë të matura me veprimet e me vendimet e tyre, sidomos në veriun e Kosovës”, ka thënë ai, shkruan tutje "Zeri".

Sipas tij, në asnjë mënyrë nuk duhet lejuar që pandemia të shfrytëzohet për realizimin e skenarëve që kanë për qëllim destabilizimin e situatës në veri. “Institucionet përgjegjëse i ftojmë të jenë në nivelin që kërkohet në këto rrethana, që pandemia të mos shfrytëzohet për çfarëdo skenari që destabilizon situatën atje”, është shprehur tutje deputeti i AAK-së.

Mirëpritet vendimi i MSH-së për të lejuar personalin mjekësor të Serbisë të punojë në veri

Ndërkohë politologu Ramush Tahiri në një deklaratë për “Zërin” ka theksuar se pandemia koronavirus nuk duhet të ketë politikë tjetër, pos asaj shëndetësore, që ka për qëllim mbrojtjen e qytetarëve të vendit. “Po, pandemia as nuk ka e as nuk duhet të ketë politikë tjetër, përveç asaj shëndetësore, efikase në mbrojtje të popullsisë dhe parandaluese. Shtabet e krizës ose shtabet emergjente të komunave Zveqan dhe Mitrovicë e Veriut kanë vendosur që për shkak të rritjes së numrit të të infektuarve të hyjnë në karantinë këto dy komuna, që të mos përhapet infeksioni në pjesët tjera të Kosovës”, ka thënë ai.

Tutje ai ka thënë se vendimi i Ministrisë së Shëndetësisë së Kosovës që të pranojë ndihmën e personelit mjekësor të Serbisë është hap pozitiv drejt luftimit të kësaj pandemie. “Është mirë që Ministria e Shëndetësisë e Kosovës ka lejuar ndihmën e personelit mjekësor dhe ndihmën tjetër nga Serbia . Vetëm në bashkëpunim mundet të jemi efikas e të rezultatshëm në luftimin e koronavirusit dhe në zvogëlimin e pasojave”, ka potencuar tutje Tahiri.

“Vuçiqi, i gatshëm të bashkëpunojë me shqiptarët për parandalimin e COVID-19”

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, të hënën zhvilloi një bisedë telefonike me shefin e misionit të OKB-së në Kosovë, Zahir Tanin, ku folën për gjendjen e komunave në veri të Kosovës pas përhapjes së pandemisë COVID-19.

Sipas një komunikate të Presidencës së Serbisë, thuhet se Vuçiqi është i gatshëm të ndihmojë serbët, ndërkohë ka shprehur gatishmërinë edhe të bashkëpunojë me institucionet në Kosovë, siç i ka quajtur ai “të përkohshme”, për të tejkaluar gjendjen e pandemisë.

“Presidenti Vuçiq ka thënë se është i shqetësuar me përhapjen e infeksionit në Kosovë. Ai ka shprehur gatishmërinë të ndihmojë komunitetin serb në Kosovë, por edhe të bashkëpunojë me shqiptarët në kuadër të ndalimit të përhapjes së COVID-19”, thuhet në komunikatën e Presidencës së Serbisë të hënën./ZERI