Reagon Bordi i shkarkuar: Kurti i solli militantët e LVV-së në Bord, do ta padisim në Gjykatë

Reagon Bordi i shkarkuar: Kurti i solli militantët e LVV-së në Bord, do ta padisim në Gjykatë

Aktuale April 03, 2020 - 12:35

Anëtarët e shkarkuar të Bordit të Drejtorëve të ujësjellësit rajonal “Prishtina” kanë reaguar pas vendimit të Qeverisë në detyrë për shkarkimin e tyre. Ata kanë paralajmëruar edhe padi në Gjykatë për këtë vendim, që e konsiderojnë si të jashtëligjshëm.

Përmes një komunikate të drejtuar mediave Bordi konsideron se shkarkimi i tyre është bërë me qëllim që këto pozita të plotësohen me militantë të Lëvizjes Vetëvendosje.

“…e konsiderojmë si shpërdorim të detyrës zyrtare të Qeverisë në shkarkim, pa legjitimitet kushtetues dhe për rrjedhojë ne përveçqë nuk do ta respektojmë këtë vendim, në afatin më të shkurtër kohor do t’i drejtohemi Gjykatës relevante për trajtimin e çështjes në fjalë”, thuhet në komunikatë.

Më poshtë mund ta gjeni komunikatën e plotë për medie të Bordit tashmë të shkarkuar:

Bordi i Drejtoreve të KRU “Prishtina” vendimin e mbrëmjes së djeshme të Qeverisë së shkarkuar “Kurti” e konsideron të jashtëligjshëm, për faktin se i njëjti përveçqë nuk ka arsyeshmëri objektive e ligjore, është marrë në mospërputhje me legjislacionin relevant, pasi është shkarkuar Qeveria nga ana e Kuvendit të Republikës me shumicë votash.

Tendencën e Qeverisë së shkarkuar për të sjellë në mënyrë të kundërligjshme militantë politikë të partisë së kryeministrit nga rruga pa ndjekur asnjë procedurë ligjore dhe për të shkarkuar Bordin aktual të ndërmarrjes KRU “Prishtina” të zgjedhur me konkurs në përputhshmëri me legjislacionin relevant nga Qeveria e Republikës në qershor të vitit 2019 e konsiderojmë si shpërdorim të detyrës zyrtare të Qeverisë në shkarkim, pa legjitimitet kushtetues dhe për rrjedhojë ne përveçqë nuk do ta respektojmë këtë vendim, në afatin më të shkurtër kohor do t’i drejtohemi Gjykatës relevante për trajtimin e çështjes në fjalë.