Analisti i njohur tregon se a duhet të krijohet qeveria e re me ose pa zgjedhje

Analisti i njohur tregon se a duhet të krijohet qeveria e re me ose pa zgjedhje

Aktuale April 02, 2020 - 13:26
Image

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, sot gjatë ditës ka vazhduar takimet me liderët e partive në vend, me të cilët është duke u konsultuar për hapat që duhet të merren pas rrëzimit të qeverisë “Kurti”.

Për “Zëri.info” në lidhje me këtë çështje është deklaruar analisti politik Ramush Tahiri, i cili thotë se njëjtë sikurse përmes zgjedhjeve, qeveria e re është e ligjshme dhe kushtetuese të bëhet edhe pa zgjedhje.

“Nuk ka opsion të mirë ose të keq për Kosovën në faktin se duhet shkuar në zgjedhje ose duhet formuar qeveri të re. Të dyja opsionet janë të ligjshme dhe kushtetuese”, tha Tahiri.

Gjersa presidenti është në takim me liderët partiakë të vendit tonë duke diskutuar për këtë çështje, Tahiri për “Zërin” thotë se ai vetëm mund ta bartë vullnetin e partive politike dhe jo të marrë ndonjë vendim ose të krijojë qeveri jashtë këtij vullneti.

“Presidenti vetëm e bart vullnetin e partive politike. Ai nuk ka të drejtë të marrë vendim a të shkohet në zgjedhje ose të krijohet qeveri e re jashtë këtij vullneti. Pra vendos shumica parlamentare”, deklaroi më tutje Tahiri.

Siç edhe potencon Tahiri, presidenti i vendit ka për obligim deri më datën 5 prill të vendosë pas konsultimit me partitë politike parlamentare. Nëse shumica do formimin e qeverisë se re, atëherë presidenti duhet të caktojë një mandatar të ri, i cili me kabinetin e tij qeveritar duhet të votohet në Kuvend deri më datën 20 prill 2020. Ai më tutje po ashtu ka thënë se nëse ky votim dështon behët shpërndarja e Kuvendit dhe vendi duhet të shkojë në zgjedhje brenda 40 ditësh, shkruan “Zëri.info”.