Për pak minuta nisin takimet e Thaçit me kryetarët e partive, i pari është Kurti

Për pak minuta nisin takimet e Thaçit me kryetarët e partive, i pari është Kurti

Aktuale April 01, 2020 - 09:54

Zyra për Informim e Presidentit të Kosovës ka njoftuar për takimet që Presidenti Thaçi do të ketë me kryetarët e tri partive më të mëdha.

Presidenti do të takohet së pari me kryetarin e VV’së, Albin Kurti më pas me kryetarin e LDK’së, Isa Mustafa dhe me atë të PDK’së, Kadri Veseli.

“Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, sot pret në takime të ndara konsultative kryetarët e tri subjekteve më të mëdha politike. Në orën 10:00, presidenti Thaçi e pret në takim konsultativ Kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosjes, Albin Kurtin. Në orën 10:30, presidenti Thaçi e pret në takim konsultativ Kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafën.Në orën 11:00, presidenti Thaçi e pret në takim konsultativ Kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veselin”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Presidentit.

Këto takime nuk do të mund të mbulohen nga media për arsye të rekomandimeve shëndetësore si pasojë e koronavirusit.

“Si rrjedhojë e masave të ndërmarra kundër virusit COVID19 dhe rekomandimeve të personelit shëndetësor për ta ulur rrezikun, për shkak të hapësirës së papërshtatshme për dhjetëra gazetarë, fotografë e kameramanë në Zyrën e Presidentit, Departamenti i Informacionit dhe Komunikimit me Publikun do të përkujdesët që mediave t’ua dërgojë pamjet vizuale dhe fotografitë e këtyre takimeve”, thuhet në njoftim.