Pesë lagjet e Prishtinës që kanë persona të prekur me COVID-19
Drejtori i Shëndetësisë në Komunën e Prishtinës, Bujar Gashi, ka treguar se në cilat lagje të kryeqytetit janë shfaqur rastet pozitive me Covid-19.
Gashi tha se deri tani janë 11 persona të prekur me koronavirus në Prishtinë.
“Arsyeja se pse bëjmë të ditura lagjet ku janë shfaqur personat pozitiv me Covid-19 mendoj se është mënyra më e mirë për të ndihmuar që sa më shumë mos-afërsinë apo mos kontaktin e qytetarëve të tjerë me pacientët që rezultuan pozitiv”, tha ai.
Derisa bëri të ditura pesë lagjet nëpër të cilat është përhapur virusi Covid-19.
“Në pesë lagje të qytetit ka pacientë të shtrirë, si Lagja e Spitalit, Lagja e Muhaxherëve, Arbëria, rruga “Haxhi Zeka” dhe një lagje tjetër të cilës tani nuk më kujtohet emri. Për shumicën e rasteve informatat që i kemi marrë deri sot kanë qenë raste kontakti. Ndërsa për rastin e fundit që ka qenë sot nuk kemi informata se a ka qenë rast kontakti apo jo”, tha ai.
Gashi theksoi se ata kanë marrë masa radikale për parandalimin e përhapjes së koronavirusit.
“Komuna e Prishtinës që nga fillimi ka marrë masa më radikale mund të jemi kritikuar ndonjëherë , mirëpo mendoj se ato masa që në fillim kanë rezultuar se kanë qenë masat e duhura. Në të gjitha qendrat e mjekësisë familjare kemi vendosur nga një infermier dhe të gjithë pacientët që kanë pasë ankesa ose kanë qenë të dyshuar për këtë virus janë orientuar në tendën që është vendosur në qendrën kryesore të mjekësisë familjare”, tha Gashi për Klan Kosovë.
Ai më tej ka thënë se e mbështet propozimin e kryetarit të Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, i cili kishte kërkuar që të ndryshojë orari për lëvizjen e qytetarëve. Sipas Gashit gjatë kësaj kohe ka qarkullim më të madh të qytetarëve se sa gjatë kohës kur nuk ishte vendosur kjo masë nga Qeveria.