Donika Gërvalla i reagon LDK’së, i del në krah Vjosa Osmanit

Donika Gërvalla i reagon LDK’së, i del në krah Vjosa Osmanit

Aktuale March 24, 2020 - 23:32

Donika Gërvalla thotë se në zgjedhjet e ardhshme LDK do të dënohet nga qytetarët për shkak të veprimeve të fundit. Thotë se nëndegët dhe degët e partisë së udhëhequr nga Isa Mustafa, nuk kanë guxim për t’i dalë krah Vjosa Osmanit, për shkak të të cilës sipas saj, “në zgjedhjet e fundit nuk kishin frikë të trokisnin në dyert e votuesve të LDK-së për të kërkuar vota”.

Nëpërmjet një shkrimi në Facebook, Gërvalla thotë se LDK’së aktuale “vdekjen nuk po ia sjell vetëm Isa Mustafa me partnerë të tij, por ne radhë të parë vet struktura e saj’.

“Rrini, vetëm rrini dhe heshtni, ndërkohë që qytetarët presin nga ju veprime të matura dhe të guximshme. Zgjedhjet e ardhshme do të vijnë, herët apo vonë, por për “Lidhjen” tepër vonë”, shkruan ajo.

Shkrimi i plotë i Gërvallës në Facebook:

“Lidhja” në kthetrat e vdekjes

Ish-Lidhjes Demokratike të Kosovës, të uzurpuar nga “Lidhja” e sotme, vdekjen nuk po ia sjell vetëm Isa Mustafa me partnerë të tij, por ne radhë të parë vet struktura e saj. Nëndegët dhe degët e saj ka vite që nuk kanë guxim të thonë as edhe një fjalë të vetme kur kryesia në Prishtinë merr vendime në dëm të Kosovës dhe të LDK-së. Si qyqana veç në kafene i dëgjon duke debatuar mes vete, por asnjëherë në publik.

Nuk folën as kur “Lidhja” e Isa Mustafës theu besën e dhënë dhe bëri koalicion me LDK-në, as kur e bënë me dhunë dhe presion Hashim Thaçin, president kundër vullnetit të shumicës dhe me pasoja shumë të rënda për vendin, as kur Isa Mustafa mbronte demarkacionin e Thaçit me Malin e Zi dhe humbjen e mijëra hektarëve tokë Dukagjini.

Nuk e hapin gojën as tash kur çohet nëntoka dhe ua sulmon znj. Vjosa Osmani, të vetmin personalitet, në emër të të cilit në zgjedhjet e fundit nuk kishin frikë të trokisnin në dyert e votuesve të LDK-së për të kërkuar vota.

Rrini, vetëm rrini dhe heshtni, ndërkohë që qytetarët presin nga ju veprime të matura dhe të guximshme.

Zdhjedhjet e ardhshme do të vijnë, herët apo vonë, por për “Lidhjen” tepër vonë. Koha e iluzioneve ka mbaruar.

Nënkryetari i LDK’së Agim Veliu tha sonte se nuk kanë vend në LDK ata që janë kundër vendimeve të partisë. Po sonte kryetari i LDK’së, Isa Mustafa tha se ka ardhur koha që të marrë fund tradita që dikush i LDK’së të votojë kundër LDK’së.

Ka qenë Kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani, e cila sot në Kryesi të Kuvendit ka votuar kundër mbajtjes së mocionit kundër qeverisë së udhëhequr nga Albin Kurti, e caktuar për nesër në orën 11:00.

Më 2016 Donika Gërvalla ishte tërhequr zvarrë nga mbledhja e Këshillit të Përgjithshëm të LDK’së në të cilën ajo pretendonte se kishte të drejtë të marrë pjesë pasi ishte kryetare e një dege të partisë.