Shtabi Emergjent i Mitrovicës ndalon hyrjen e qytetarëve te Liqeni Akumulues
Kryetari i komunës, Agim Bahtiri, ka mbajtur mbledhjen e radhës me shtabin emergjent të kësaj komune që po vazhdon me monitorimin e gjendjes aktuale dhe zbatimin e masave parandaluese në mbrojtje të virusit COVID-19.
Në këtë mbledhje është potencuar se deri më tani në Mitrovicë nuk ka të verifikuar asnjë rast me virusin COVID-19, dhe stafi mjekësor në QKMF “Dr. Nexhat Çuni” dhe Spitali Rajonal “Dr. Sami Haxhibeqiri” vazhdojnë me ofrimin e shërbimeve 24 orë për qytetarët e Mitrovicës, njofton kjo komunë.
“Gjithashtu shtabi emergjent u dakorduan të merret edhe një masë shtesë preventive ndaj këtij virusi, duke ndaluar hyrjen e të gjithë qytetarëve në hapësirat përgjatë Liqenit Akumulues, përveç punëtorëve të kompanisë kontraktuese të cilët janë duke i kryer punimet në ato pjesë. Ky vendim është marrë me qëllim që të mbrohet shëndeti i gjithë qytetarëve”, thuhet në kumtesë.
Ky shtab ka njoftuar edhe lidhur me zbatimin e disa nga masave shtesë të cilat u ndërmorën në mbledhjen e kaluar, duke evidentuar personat e ardhur së fundi nga vendet e perëndimit, aktivizimi i linjës telefonike falas 194 të Qendrës Operative Emergjente Lokale, e cila thuhet se do të jetë në dispozicion për të gjithë qytetarët që kanë shenja gripoze, ku do të kenë mundësi të udhëzohen nga ekipi mjekësor pa pasur nevojë të paraqiten në QKMF.