Ambasadorët e shkarkuar përplasin Thaçin me Konjufcën

Ambasadorët e shkarkuar përplasin Thaçin me Konjufcën

Aktuale March 12, 2020 - 08:01
Image

Propozimi i ministrit të Punëve të Jashtme dhe të Diasporës, Glauk Konjufca, për shkarkimin e shtatë ambasadorëve nuk është përfillur nga presidenti i vendit Hashim Thaçi, i cili tha se ambasadorët do ta vazhdojnë punën në përputhje me ligjin. Për këtë refuzim të presidentit Konjufca tha se do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese, shrkuan sot gazeta Zëri.

Ministri i Punëve të Jashtme dhe i Diasporës, Glauk Konjufca, ditë më parë ka bërë publik propozimin për tërheqjen e shtatë ambasadorëve duke u bazuar në Ligjin për Shërbimin Diplomatik, Neni 2, pika 7.8, ku thotë se “Të emëruarit në pozitën e ambasadorit dhe shefit të misionit, që nuk janë anëtarë në detyrë të shërbimit të jashtëm të Republikës së Kosovës, shërbejnë vetëm për një mandat dhe pas përfundimit të këtij mandati nuk konsiderohen pjesë e shërbimit të jashtëm”.

Po këtë nen e ka potencuar Konjufca me rastin e propozimit të tërheqjes për shtatë ambasadorët. “Fjala është për ambasadorë, të cilët kanë qëndruar në detyrë më gjatë se 4 vjet. Sipas Ligjit për MPJ-në dhe për Shërbimin e Jashtëm, ambasadorët politikë e kanë një mandat 4-vjeçar, pas të cilit u përfundon mandati”, ka thënë Konjufca.

Mirëpo një propozim të tillë nga ana e ministrit Konjufca nuk e ka përfillur presidenti i vendit Hashim Thaçi. Ai duke folur për këtë çështje ka thënë se ambasadorët do ta vazhdojnë punën në përputhje me ligjin. Në bazë të Udhëzimit Administrativ për Misionet e Republikës së Kosovës Jashtë Vendit, Neni 10, pika 2, thuhet se “Shkarkimi i ambasadorit, të ngarkuarit me punë ose konsullit të përgjithshëm nga misioni bëhet me dekret nga presidenti”, thuhet në këtë nen.

Ndërkohë gjatë ditës së djeshme Konjufca ka njoftuar se do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për refuzimin e presidentit për t’i shkarkuar ambasadorët.

Thaçi: Ambasadorët do ta vazhdojnë punën e tyre në përputhje me ligjin

Presidenti i vendit Hashim Thaçi është deklaruar për propozimet e kryediplomatit Glauk Konjufca për shkarkimin e shtatë ambasadorëve, në mesin e tyre edhe të ambasadores së Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Vlora Çitakut. Thaçi ka thënë se ambasadorët do ta vazhdojnë punën e tyre në përputhshmëri me ligjin dhe me Kushtetutën, duke thënë se emërimi i tyre ka qenë i drejtë. Tutje ai ka këshilluar të mos merren vendime të nxituara me motive politike. “Për gjithçka do t’i respektoj ligjet dhe Kushtetutën. Nuk do të marr qasje ose orientim të motivit politik. Zyrtarët do të vazhdojnë t’i kryejnë punët e tyre në përputhshmëri me ligjin dhe me Kushtetutën. Me çështje të rëndësishme nuk duhet të merren veprime të nxituara dhe mund të instalojmë praktikë të keqe”, është shprehur Thaçi.

Konjufca: Do t’i drejtohem Gjykatës Kushtetuese për refuzimin e presidentit

Këtë deklaratë të presidentit Hashim Thaçi nuk kanë dashur ta komentojë Ministria e Punëve të Jashtme. Megjithatë ata në një përgjigje dhënë gazetës “Zëri” kanë deklaruar se ministri Konjufca propozimin për tërheqjen e shtatë ambasadorëve e ka marrë në përputhje me ligjin. “Ministri i Punëve të Jashtme dhe i Diasporës, z. Glauk Konjufca, ka propozuar tërheqjen e ambasadorëve duke u bazuar në Ligjin për Shërbimin e Jashtëm dhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Kujtojmë se ligji ndër të tjera thotë ‘Të emëruarit në pozitën e ambasadorit dhe shefit të misionit që nuk janë anëtarë në detyrë të shërbimit të jashtëm të Republikës së Kosovës shërbejnë vetëm për një mandat dhe pas përfundimit të këtij mandati nuk konsiderohen pjesë e shërbimit të jashtëm”, thuhet në përgjigjen e MPJ-së.

Ndërkohë për çështjen e ambasadorëve politikë ka folur dje ministri i Punëve të Jashtme dhe i Diasporës, Glauk Konjufca, në Komisionit për Punë të Jashtme. Ai ka thënë se sipas ligjit të emëruarit ambasadorë dhe shefa të misioneve diplomatike qëndrojnë vetëm për një mandat. “Nuk parashihet një mandat i dytë i shefave të posteve diplomatike. Të emëruarit si ambasadorë dhe shefave të e misioneve diplomatike, sipas ligjit, shërbejnë vetëm në një mandat dhe pas këtij përfundimi nuk parashihen si pjesë”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për refuzimin e presidentit për ta shkarkuar ambasadoren Çitaku. “Presidenti nuk ka të drejtë të vendosë në këtë çështje. Nëse presidenti do të shkojë në Gjykatë Kushtetuese për këtë punë unë jam shumë i gatshëm. E di që e dëmton shtetin e Kosovës, por e kisha ftuar presidentin të mos e dëmtojë. Presidenti është njoftuar për këto çështje”, tha ai.

Ai ka shtuar se kanë qenë shtatë raste dhe se do të ketë edhe vendime të tjera. “Jam detyruar të marr vendim për dy arsye: E para për të vendosur një ligjshmëri brenda MPJ-së dhe ky angazhim imi nuk përfundon me këto dy vendime. Këto janë vendime të para dhe do të ketë edhe të tjera”, ka thënë ai.

Tutje Konjufca ka thënë se tash për tash 70% e përfaqësuesve diplomatikë janë politikë dhe tha se synon që kjo përqindje të bëhet 50% politikë dhe 50% të karrierës. “Kemi pasur shtatë raste, për të vendosur një ligjshmëri brenda Ministrisë, që janë eksplicite në raport me ligjin. Rezultati është shqetësues, 70% janë të emëruar politikë. Presim ta bëjmë 50/50, por këta kanë qenë jashtëligjorë”, u shpreh ai.

Tahiri: Ligji është i qartë, mes MPJ-së e presidentit ka inate politike

Politologu Ramush Tahiri ka thënë se me ligj është përcaktuar emërimi dhe shkarkimi i ambasadorëve. Siç ka shpjeguar ai, tërheqja e ambasadorit propozohet nga Qeveria, por s’mund të shkarkohet nga ministri. Atë, siç ka thënë ai, e bën vetëm presidenti dhe ambasadori s’mund të tërhiqet pa u emëruar ambasadori i ri. “Me Kushtetutë dhe me Ligjin për Shërbimin Diplomatik ambasadorët propozohen nga Qeveria dhe emërohen nga presidenti. E njëjta qëndron edhe në tërheqjen e tyre ose në përfundim të mandatit. Ambasadorit i caktohet një mandat 4-vjeçar. Në këtë rast ambasadori e ruan shtetin e dinjitetin e shtetit dhe ambasadori mund të tërhiqet në konsultim me Ministrinë, por ambasadori nuk mund të shkarkohet nga Qeveria dhe ambasadori nuk tërhiqet pa u emëruar ambasadori i ri, sepse nuk lihet vakuum”, ka thënë ai.

Tutje Tahiri ka thënë se ministri i Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca, nuk është dashur ta bëjë publik propozimin për tërheqjen e shtatë ambasadorëve pa marrë miratim nga presidenti. “Ka shkuar keq dhe prapë. Konjufca e ka bërë publike e nuk ka njoftuar me shkrim kreun e shtetit. Përveç kësaj, Konjufca s’mund të njoftojë pa e marrë miratimin e presidentit, sepse ambasadorin vetëm presidenti e shkarkon. S’ka tërheqje të ambasadorëve pa letrën e presidentit”, ka thënë Tahiri.

Tutje ai tha se ligji e përcakton që një të emëruari si ambasador ose shef i misionit i caktohet mandati katërvjeçar, mirëpo në Kosovë ka ndodhur që ata të qëndrojnë 7 ose 8 vjet. Sipas tij, në këtë mes ka inate politike pasi ligji i përcakton mjaft qartë detyrat e secilit. “Ligji është i qartë dhe pse po bëjnë politikë nuk e di. Ky është inat politik dhe jomoskoordinim. Këtu e kemi një manipulim politik, sepse koordinimin e bën Kushtetuta”, ka përfunduar ai. /ZERI