Azemi: 25-përqindëshi për energji të ripërtëritshme, vështirë i arritshëm

Azemi: 25-përqindëshi për energji të ripërtëritshme, vështirë i arritshëm

Aktuale March 11, 2020 - 08:22
Image

Visar Azemi, nga “Balkan Green Foundation”, ka konsideruar se Kosova nuk është afër përmbushjes së kuotës së kërkuar prej 25 për qind për konsum të energjisë së ripërtëritshme. Për këtë ai ka fajësuar direkt institucionet e Republikës së Kosovës. Gjatë një interviste për gazetën drejtori ekzekutiv i BGF-së ka folur edhe rreth projektit për “Kosovën e Re”, me ç’rast këtë projekt e ka quajtur të dëmshëm dhe të panevojshëm, shkruan Zëri.

Energjia diellore dhe ajo nga era mbeten format më të mira dhe më të arritshme të prodhimit të energjisë së ripërtëritshme në Kosovë. Kështu ka deklaruar Visar Azemi, drejtor ekzekutiv i “Balkan Green Foundation” (BGF) dhe koordinator i Konsorciumit Kosovar të Shoqërisë Civile për Zhvillim të Qëndrueshëm (KOSID), i cili megjithatë ka konsideruar se ka edhe mundësi të tjera për të prodhuar energji alternative, por që, sipas tij, janë shumë më të limituara. Prodhimin final të energjisë Kosova duhet ta ketë 25 për qind nga burimet e ripërtëritshme. Kjo përqindje paraqitet në objektivat afatgjata që institucionet përkatëse duhet t’i arrijnë deri në afatin obligativ, pra si detyrim nga Traktati i Komunitetit i Energjisë, anëtare e së cilit është edhe Kosova. 

Por ky synim prej 25% sipas Azemit është larg për t’u përmbushur, ndërkohë që afati i caktuar nga Asociacioni Energjetik Evropian është fare afër. E tërë kjo, siç ai është shprehur, ka të bëjë me neglizhencën institucionale dhe me barrierat e krijuara duke penguar këto investime. Gjatë intervistës drejtori ekzekutiv i BGF-së ka thënë se zhvillimi ekonomik ka nevojë për kapacitete të reja të energjisë elektrike, por gjithmonë në këto lloj investimesh sipas tij duhet të shihet ndikimi mjedisor dhe ai shoqëror i projekteve. Ndotja e ajrit në Kosovë, siç ka vazhduar koordinatori i KOSID-it, ka arritur vlera jonormale nëpër shumë qytete, vlera këto që janë arritur si pasojë e përdorimit të qymyrit për ngrohje dhe për prodhim të energjisë.

Arritja reale e synimeve për energji të ripërtëritshme, sfidë e Qeverisë

Zëri: Dihet se implementimi i energjisë së ripërtëritshme ka sfidat e veta. Është thënë disa herë që Kosova nuk ka edhe shumë mundësi për prodhimin e kësaj energjie për shkak të pozitës së saj gjeografike. Ku qëndron Kosova me përmbushjen e obligimeve ndërkombëtare të kërkuara për kuotën e kapaciteteve të ripërtëritshme energjetike?

Azemi: Nuk mund të themi që Kosova nuk ka mundësi të gjenerimit të energjisë elektrike nga burimet energjetike, pasi është dëshmuar ndryshe nga interesimi i shumë kompanive vendore dhe ndërkombëtare për të investuar në Kosovë. Për më tepër, tërheqja e Bankës Botërore nga mbështetja e idesë së termocentralit “Kosova e Re” si rezultat i studimit të opsioneve për energjinë në Kosovë tregon që Kosova ka potencial për prodhim të energjisë së pastër. Gjithashtu efikasiteti dhe risitë teknologjike të pajisjeve për prodhimin e energjisë së ripërtëritshme kanë bërë që edhe vendet si Kosova të jenë atraktive për investime në burime të ripërtëritshme dhe që ato të kenë produktivitet shumë më të mirë. Synimi prej 25% është larg për t’u përmbushur (ani pse targeti i arritur dhe i raportuar te Komuniteti i Energjisë është 22,9%, duke kalkuluar djegien e drurit si burim të ripërtëritshëm e jo sepse është bërë investim në energjinë e ripërtëritshme). Kjo ka të bëjë me neglizhencën institucionale dhe me barrierat e krijuara duke penguar këto investime. Andaj arritja reale e synimeve mbetet një sfidë për Qeverinë dhe për ta arritur atë duhet shumë punë e angazhim për të krijuar lehtësira për investitorët. Arritjen e miksit energjetik duhet parë edhe si rrugëtim drejt integrimit evropian dhe si përmbushje të kritereve bazike për standardin jetësor të qytetarëve të Kosovës.

Hidrocentralet e kanë rënduar gjendjen e mjedisit në Kosovë

Zëri: Ku janë mundësitë më të mëdha të Kosovës për energji të ripërtëritshme, te dielli, tek era apo te ndonjë burim tjetër energjetik?

Azemi: Energjia diellore dhe ajo nga era pa dyshim që mbeten format më të mira dhe më të arritshme të prodhimit të energjisë së ripërtëritshme në vend. Sigurisht që ka edhe mundësi të tjera, si biomasa dhe kapacitetet hidrike, por janë shumë më shumë të limituara. Për më tepër, jemi dëshmitarë që projektet e vogla të hidrocentraleve vetëm se e kanë rënduar edhe më shumë gjendjen mjedisore dhe kanë bërë dëme, duke kufizuar ujin për banorët e fshatrave ku janë vendosur këto projekte.

Zëri: Sipas kërkesave ndërkombëtare, kanë mbetur edhe disa vjet për t’u plotësuar përqindja e kërkuar për energji të ripërtërishme. A do të mundet Kosova ta përmbushë këtë kërkesë në afatin e paracaktuar?

Azemi: Me këtë ritëm të ngadalësuar dhe me barriera të llojllojshme Kosova vështirë që do t’i përmbushë këto kërkesa. Institucionet e Kosovës duhet të kenë një qasje më praktike dhe të mobilizohen për të ofruar mundësi te kompanitë që duan të investojnë, por edhe të punojnë në aspektin teknik të rrjetit, në mënyrë që të ketë mundësi të pranojë kapacitetet shtesë nga këto burime. Nevoja për investime në rrjet është e madhe, si për zvogëlimin e humbjeve teknike, por edhe për ta balancuar sistemin energjetik pas futjes së energjive të ripërtëritshme në rrjet. Për më tepër, Kosova duhet të kalojë nga “skema mbështetëse me feed-in tarifë” në formën e “ankandeve të prokurimit”, me anë të së cilës Qeveria lëshon një thirrje për tender për të instaluar një kapacitet të caktuar të energjisë elektrike të bazuar në energjinë e ripërtëritshme. Zhvilluesit e projektit që marrin pjesë në ankand paraqesin një ofertë me një çmim për njësi të energjisë elektrike, në të cilën ata janë në gjendje ta realizojnë projektin. Qeveria vlerëson ofertat në bazë të çmimit dhe të kritereve të tjera dhe nënshkruan një marrëveshje të blerjes së energjisë me ofertuesin e suksesshëm.

 Ndotja e ajrit në Kosovë, me vlera jonormale

Zëri: Si e vlerësoni projektin prej rreth 100 megavatesh të kapaciteteve të energjisë me erë, që ka nisur në Shalë të Bajgorës?

Azemi: Projekti i gjenerimit të energjisë nga era me kapacitet prej 105 MW është i një rëndësie të veçantë për dy arsye. E para, dëshmon që në Kosovë ka mundësi të gjenerimit të energjisë së ripërtëritshme dhe ka interesim e leverdi ekonomike për të investuar në to. E dyta, me shtimin e kapaciteteve të burimeve të ripërtëritshme ne mund ta zvogëlojmë gjenerimin e energjisë nga qymyri, që është ndotësi më i madh në vend. Shëndeti i qytetarëve dhe ambienti do të jenë në gjendje shumë më të mirë nëse kemi këso projektesh më shumë. Projekti i Shalës së Bajgorës është një projekt serioz dhe duhet vlerësuar jo vetëm për aspektin e gjenerimit të energjisë, por edhe për ndikimin pozitiv që do ta ketë në punësimin dhe në ekonominë e vendit.

Zëri: Cili është efekti më i madh i ndërtimit të kapaciteteve të pritshme të energjisë së ripërtëritshme, përmbushja e nevojave për energji apo ruajtja e ambientit nga ndotja?

Azemi: Ruajtjen e ambientit dhe përmbushjen e kërkesave për energji nuk duhet t’i ndajmë në këto raste. Jemi të vetëdijshëm se zhvillimi ekonomik ka nevojë për kapacitete të reja të energjisë elektrike, por duhet që gjithmonë në këto lloje investimesh ta shohim ndikimin mjedisor dhe atë shoqëror të projekteve. Ndotja e ajrit në Kosovë ka arritur vlera jonormale nëpër shumë qytete dhe kjo ka ardhur si pasojë e përdorimit të qymyrit për ngrohje dhe për prodhim të energjisë. Prandaj diversifikimi i miksit energjetik në Kosovë është më se i nevojshëm dhe prodhimi i energjisë nga burimet e ripërtëritshme duhet parë me interes të veçantë dhe të ketë prioritet.

Zëri: Dihet që ruajtja e ambientit po vazhdon të jetë sfidë për Kosovën. Si mund të parandalohet ndërtimi i kapaciteteve të reja energjetike në bazë të linjitit kur kihet parasysh fakti që Kosova ka nevojë të madhe për energji?

Azemi: Përmbushja e nevojave për energji elektrike nuk duhet parë si diçka që mund të bëhet vetëm me qymyr. Kapacitetet e reja të gjenerimit nga burimet e ripërtëritshme dhe hapja e tregut energjetik ia mundësojnë Kosovës që të ketë qasje në tregun e energjisë, ku çmimi i energjisë elektrike është më i lirë se ai që do të mundë të prodhojë Kosova me kapacitetet e reja të qymyrit. Një fakt që duhet përmendur kur flasim për nevojën për energji elektrike është ai se kërkesa për energji në vend nuk është reale për shkak të humbjeve të mëdha teknike dhe komerciale, si dhe për mënyrën joefikase të përdorimit të energjisë, të cilën e bëjmë (mungesën e efiçiencës së energjisë). Pra ka nevojë që të ketë një program nacional të izolimit të shtëpive dhe të investimeve në fushën e efiçiencës së energjisë. Duhet që operatori, i cili ka privatizuar rrjetin e distribucionit dhe të shpërndarjes, t’i përmbahet kontratës dhe marrëveshjes për investimet në zvogëlimin e humbjeve teknike në rrjet. Kur t’i kemi bërë të gjitha këto do të shohim se kërkesa për energji elektrike do të jetë dukshëm më e vogël dhe se mundësitë e arritjes së kësaj kërkese janë reale.

 Projekti “Kosova e Re”, i dëmshëm dhe i panevojshëm

Zëri: Organizata juaj në vazhdimësi e ka kundërshtuar projektin për “Kosovën e Re”, mirëpo Qeveria ende nuk ka dalë me një strategji rreth kësaj çështjeje. Cili duhet të jetë qëndrimi definitiv i Qeverisë rreth “Kosovës së Re”?

Azemi: Projekti “Kosova e Re” është një projekt i dëmshëm dhe i panevojshëm. Kundërshtimi ynë dhe i partnerëve tanë është i bazuar në fakte dhe në studime të mirëfillta, të cilat dëshmojnë se “Kosova e Re” jo vetëm që është e panevojshme, por është një projekt i cili do ta fuste Kosovën në një kolaps financiar dhe do të krijonte trazira sociale për shkak të rritjes së çmimit të energjisë elektrike. Mënyra e kontraktimit dhe marrëveshja për blerjen e energjisë përbejnë shkelje të ligjeve, respektivisht Rregullën për Ndihmë Shtetërore. Pas kërkesës sonë te Sekretariati i Komunitetit të Energjisë për shkeljet e ligjeve dhe të Rregullës për Ndihmë Shtetërore, Sekretariati ka filluar edhe zyrtarisht hetimet pas gjetjeve preliminare të bazuara dhe ka kërkuar të mos vazhdohet më tutje me këtë projekt. Pra ka shumë institucione dhe mekanizma, të cilët vlerësojnë që projekti do të shkaktojë më shumë dëme sesa benefite dhe kanë kërkuar që të mos vazhdohet më tutje me projektin./Zëri