Mbijetesa në lëkurën e të moshuarit
Nga hulumtimi I OJQ-së “Iniciativa Kosova për Stabilitet” (IKS) “Mos u plaksh” del se jo të gjithë personat pas moshës 65-vjeçare në Kosovë e kanë mundësinë e ushqyerjes dhe të përkujdesjes nga dikush i afërm ose nga shteti. Sipas këtij hulumtimi, të realizuar në vitin 2018, në Kosovë kishte rreth 117 mijë qytetarë të moshës 65 plus e 2,6 për qind nga ta ose rreth 3 mijë nuk kishin kurrfarë kontakti me familjet e tyre.
Bahrija, 78-vjeçare, nga Mitrovica është njëra nga 79 banorët në Shtëpinë e të Moshuarve në Prishtinë (SHPMPF). Ajo nuk kishte pasur fëmijë dhe burri i saj solli në shtëpi gruan e dytë, me të cilën pati 3 fëmijë. “Pas vdekjes së burrit ortakja nuk më donte më në shtëpi dhe më la në rrugë. Unë nuk kisha asnjë familjar, as nga familja ime, as nga e burrit. Të gjithë më kishin vdekur, përveç një vajze të motrës, edhe ajo 65-vjeçare”, thotë Bahrija.
Mbesa e saj kishte kontaktuar me Shtëpinë e të Moshuarve në Prishtinë, mirëpo Bahrija në fillim nuk pranonte të strehohej në atë institucion. “Kam ardhur këtu me lot e shumë e mërzitur për fatin tim. Tash ka gati dy vjet që jam vendosur në këtë Shtëpi, por jam shumë e kënaqur. Nuk e kam ditur se është kaq mirë, shumë kujdesen për ne. Të gjitha i kemi. Tri herë në ditë hamë bukë, çka të kemi qejf, çdo ushqim që na shkon në mendje e kemi”, thotë ajo. Bahrija për 45 vjet kishte punuar në një fabrikë të tekstilit në Vushtrri dhe sot merr pensionin prej 180 eurove.
Edhe Ismajli, 86-vjeçar, gjithashtu banor i kësaj Shtëpie, po ashtu kishte punuar shumë vite, por në Gjermani, në Zvicër e në Amerikë. “I kam tri vajza. Të tria janë të martuara dhe janë jashtë vendit. Gruaja më ka vdekur para se të vijë këtu dhe tash kam mbetur i vetëm”, tregon ai. Ismajli gjatë gjithë kohës flet me mall për gruan dhe për vajzat e tij, tregon fotot e tyre të cilat i ruan me nostalgji. Po ashtu mban me vete edhe foto të tij kur ishte më i ri dhe ka shumë dëshirë t’ua tregojë edhe të tjerëve. “Kohën e lirë dal të pijë kafe, bisedojmë me shokët që janë në shtëpi, luajmë shah e domino. Kam ardhur këtu gati qe dy vjet dhe jam shumë i kënaqur me përkujdesjen e gjithë stafit dhe me kushtet të cilat i kemi”, thotë Ismajli.
Të moshuarit në Kosovë, shtresa më e varfër e shoqërisë
Brikena Hoxha, drejtoreshë ekzekutive e organizatës joqeveritare “Iniciativa Kosova për Stabilitet” (IKS), thotë se të moshuarit në Kosovë janë shtresa më e varfër e shoqërisë. Standardi i jetesës së tyre është rezultat direkt i pensioneve të vogla, i varfërisë së përhapur shumë dhe i varësisë nga familjet e tyre. Sipas saj, duke marrë në përgjithësi me të moshuarit nuk merret askush duke marrë parasysh se ata përbëjnë vetëm 7% të popullsisë dhe nuk sjellin vota. “Me 18% të popullsisë, e cila jetojnë në varfëri ekstreme, dalin probleme të mëdha edhe për përkujdesjen e të moshuarve duke ditur se sa shumë nevoja e shpenzime kanë ata”, shprehet Hoxha.
Por as kushtet në shtëpitë e të moshuarve nuk janë të lakmueshme. “Këto shtëpi gjithashtu janë dëshmuar të mos jenë të përshtatura si duhet me kontekstin social dhe familjar në Kosovë dhe nga ajo që kemi mbledhur gjatë hulumtimit (‘Mos u plaksh’) , shërbimet dhe pajisjet e tyre janë të dobëta”, thotë ajo. Sipas Udhëzimit Administrativ të Ministrisë së Punës dhe të Mirëqenies Sociale (10-/2014), që të strehohet në një Shtëpi të të Moshuarve, personi duhet të të jetë banor i përhershëm i Republikës së Kosovës, të jetë mbi moshën 65-vjeçare, të mos ketë fëmijë biologjikë ose të birësuar.
Gashi, drejtor i Divizionit për Persona me Aftësi të Kufizuara dhe pa Përkujdesje Familjare, thotë se në bazë të Ligjit për Familjen fëmija e ka për obligim të kujdeset për prindërit. “Në udhëzim ceket se vajza në njëfarë forme lirohet nga ky obligim, ndërsa djali obligohet të përkujdeset për prindërit. Për fat të mirë, duke pasur parasysh ashpërsinë e kritereve, nuk e kemi asnjë kërkesë në pritje”, thotë Gashi. Sipas tij, po të mos ishte kriteri i lartpërmendur për mospranimin e të moshuarve që kanë djalë, situata do të ndryshonte për të keq, meqë kjo do të ishte e papërballueshme për buxhetin e Kosovës.
Ndërsa Hoxha, nga IKS-ja, shton se edhe nëse ndonjë i moshuar shpreh vullnetin të jetojë në ato shtëpi, shumëkujt këto kritere ia pamundësojnë të strehohen atje. “Kriteret e vendosura në këtë Udhëzim tregojnë mentalitetin shumë të prapambetur të përpiluesve të legjislacionit. Sipas këtij Udhëzimi, patriarkati brenda relacioneve familjare bartet në institucione të mirëqenies sociale”, shprehet Hoxha.
Në Kosovë ekzistojnë 4 shtëpi për të moshuarit
Gashi, nga Divizioni për Persona me Aftësi të Kufizuara dhe pa Përkujdesje Familjare, shpjegon se shpenzimet mujore për një të moshuar nën përkujdesje sillen nga 900 e deri 1000 euro për një muaj, që sigurohen nga buxheti i Kosovës. Sidoqoftë, ai thotë se janë të interesuar edhe për ndërtimin e shtëpive publiko-private, ku në bashkëpunim me Komunën do të mundë të strehoheshin edhe të moshuarit edhe nëse kanë djalë. Aktualisht në Kosovë ekzistojnë 4 shtëpi për të moshuarit: në Prishtinë, në Graçanicë, në Skenderaj dhe në Istog, të cilat menaxhohen nga shteti, gjithsej me 120 e deri në 125 të strehuar.
Raze Aliqkaj, drejtoreshë në Shtëpinë e të Moshuarve në Prishtinë, thotë se për banorët kujdeset 24 orë stafi profesional.“Aktualisht janë 46 punëtorë, 30 femra dhe 16 meshkuj. Edhe vizita kemi mjaft shumë, nuk pengohet kushdo që dëshiron të vijë”, shprehet ajo. Sa i përket ushqimit, sipas saj kanë një meny shumë të begatshme dhe i marrin çdoherë duke i pasur parasysh rekomandimet e mjekut, duke ndarë ata persona që vuajnë nga sëmundje të ndryshme që të hanë diçka tjetër. “Kemi shërbimin social, i cili merret me akomodimin, me sistemimin e rezidentëve në hapësirat e institucionit. Përpiqemi që ata t’i vendosim në bazë të gjendjes shëndetësore, kështu rastet të cilat janë me shëndet më të dobët janë në katet më poshtë, që për çdo rast të jenë më afër ambulancës (me të cilën vjet është pajisur kjo shtëpi – v.j.), ndërsa rezidentët me shëndet stabilë vendosen në katet më lart”, thotë Aliqkaj. Aliqkaj thotë se të gjithë të strehuarit, që janë të vendosur në këtë Shtëpi, janë pa përkujdesje familjare dhe raste sociale.
Shtëpi private për të moshuarit në Istog
Para një viti e gjysmë një shtëpi private për të moshuarit, me kushte mjaft bashkëkohore, është hapur edhe në Istog. Njëri nga banorët e kësaj Shtëpie, Pjetri, 86-vjecar, nga Prizreni, ka dy djem dhe tri vajza që jetojnë jashtë vendit “Gruaja më ka vdekur tash e një kohë, ndërsa qe dy muaj kam ardhur këtu. Fëmijët më kontaktojnë çdo ditë dhe kur kam mundësi shkoj edhe te djemtë, edhe te vajzat në Gjermani e në Zvicër”, tregon Pjetri.
Shumë i kënaqur me gjithçka në këtë Shtëpi dhe thotë se nuk i mungon asgjë, ai thekson edhe ambientin malor ku gjendet kjo shtëpi dhe malin, në të cilin dalim të ecim dhe marrin ajër të pastër.
Flora Isenaj, pronare e kësaj Shtëpie, kishte punuar në një shtëpi për të moshuarit në Zvicër dhe i kishte lindur ideja për hapjen e një të tillë edhe në Kosovë. Ajo tregon se të gjithë banorët e vendosur në këtë Shtëpi kanë familjarë jashtë vendit dhe ata në pamundësi për t’i marrë prindërit me vete kishin vendosur t’i sjellin në këtu. “I kemi 13 banorë edhe 2 të tjerë do të vendosen në fund të marsit. Në shtëpi janë 18 dhoma, secila me banjë dhe me nga dy shtretër. Shërbimi është 24 orë dhe kemi edhe ambulancën e për çdo rast mund t’i dërgojmë edhe në spital këtu afër në Istog”, thotë Isenaj.
Kostoja e vendosjes në këtë Shtëpi për të moshuarit varet nga gjendja shëndetësore e tyre, ndonëse sipas saj, pagesa është shumë e arsyeshme duke marrë parasysh gjendjen financiare në Kosovë. “Banorët janë nga e gjithë Kosova: Gjilani, Prizreni, Peja, Istogu dhe kemi interesim edhe nga Maqedonia Veriore. Në shtëpi janë dy motra medicinave, të cilat punojnë gjatë ditës dhe një motër tjetër në ndërrimin e natës”, thotë ajo.
Olda Veselaj, motër medicinale, thotë se më shumë se për shëndet banorët e kësaj Shtëpie kanë nevojë për përkrahje psikiko-emocionale. Ajo thotë se shumë kujdes i kushtohet përgatitjes së ushqimit. “Ushqimi përgatitet tri herë në ditë dhe më së shumti ka gjella (të lëngshme). Çdo ditë hanë mish duke pasur parasysh se ata kanë nevojë të forcohen. Në mbrëmje i pyesim se çka dëshirojnë të hanë në mëngjes dhe e përgatisim për secilin”, thotë ajo.
Nga hulumtimi i OJQ-së “Iniciativa Kosova për Stabilitet” (IKS) “Mos u plaksh” del se jo të gjithë personat pas moshës 65-vjeçare në Kosovë e kanë mundësinë e ushqyerjes dhe të përkujdesjes nga dikush i afërm, ose nga shteti. Sipas këtij hulumtimi, të realizuar në vitin 2018, në Kosovë kishte rreth 117 mijë qytetarë të moshës 65 plus e 2,6 për qind nga ta ose rreth 3 mijë nuk kishin kurrfarë kontakti me familjet e tyre. Projeksionet e Agjencisë së Statistikave të Kosovës janë se deri në vitin 2050 numri i kësaj kategorie të të moshuarve do të katërfishohet duke arritur 25-përqindshin e popullsisë.