
Luftën kundër Jasharëve e udhëhoqi Millorad Ulemek - Legija

Gazeta “Zëri” ka siguruar një dokument (“Sluzbena beleska”) të MUP-it të Serbisë, në të cilin përshkruhen në detaje veprimet e të ashtuquajturës Njësia për Operacione Speciale e MUP-it të Serbisë, që udhëhiqej nga Milload Ulemek – Legija (në vitin 2003 ai kishte vrarë kryeministrin e Serbisë, Zoran Gjinxhiq) në luftën e 5, 6 dhe të 7 marsit në Prekaz. Sipas këtij dokumenti, më 5, më 6 dhe më 7 mars 1998 janë vrarë 66 shqiptarë, dy pjesëtarë të JSO-së dhe janë plagosur 9 pjesëtarë të SAJ-it. Si rrodhi varrimi i Jasharëve?
Fillimi i marsit të këtij viti shënon 22 vjet të luftës së lavdishme të Jasharëve me forcat policore e ushtarake të Serbisë. Më 5 mars të vitit 1998 mbi 5 mijë policë e ushtarë serbë zbarkuan në lagjen e Jasharëve në Prekaz, për të nisur luftën me komandantin legjendar të UÇK-së, Adem Jashari, me familjen e tij dhe me Jasharët e tjerë, shkruan gazeta "Zëri".
Pas tri ditësh lufte të pabarabartë, me ç’rast Serbia përdori edhe artilerinë e rëndë, ra heroikisht komandanti legjendar i UÇK-së Adem Jashari me 20 anëtarë të familjes së tij, si dhe 36 Jasharë të tjerë, burra, gra e fëmijë. Kishte shpëtuar vetëm vajza e Hamzë Jasharit, Besarta, e cila atëherë ishte 11 vjeçe.
MUP-i serb: Janë vrarë 66 shqiptarë dhe dy pjesëtarë të JSO-së
Tani kur kanë kaluar 22 vjet prej luftës së lavdishme të Jasharëve me forcat ushtarake e policore serbe, një luftë që ndryshoi historinë e popullit shqiptar të Kosovës, Serbia ka nxjerr dokumente, sipas të cilave ka treguar gjithë potencialin njerëzor e ushtarak për ta luftuar komandantin legjendar të UÇK-së Adem Jasharin dhe familjen së tij. MUP-i i Serbisë, duke u bazuar në një dokument të ashtuquajtur “Sluzbena beleska”, një kopje të të cilit e ka siguruar “Zëri”, ka treguar se në luftën me Jasharët kishte angazhuar edhe njësitet më elite të saj, posaçërisht Njësinë për Operacione Speciale, si dhe njësitin special SAJ-in.
“Në bazë të të dhënave operative të marra në vendin e ngjarjes, është konstatuar se Njësisë për Operacione Speciale i është urdhëruar të veprojë me urgjencë për shkak të sulmeve të terroristëve shqiptarë mbi policinë. Para se të gdhinte 5 marsi pjesëtarët e UÇK-së kanë sulmuar policinë në Llaushë, gjatë sulmit janë plagosur dy policë. Forcat tona menjëherë kanë marrë urdhër që ta ndërmarrin një aksion të befasishëm dhe të fshehtë, kanë marrë urdhër t’i izolojnë dhe t’i neutralizojnë terroristët shqiptarë. I autorizuar për ta realizuar aksionin ka qenë Millorad Ulemek – Legija. Përveç njësisë së tij JSO, ai ka pasur mbështetjen në terren edhe të pjesëtarëve të SAJ-it”, shkruan në raportin operativ, që ka mbledhur detaje nga vendi i ngjarjes. Sipas këtij dokumenti, Ulemeki dhe njësia e tij ishin vënë pas “terroristëve” shqiptarë. “Jashari (Adem) me luftëtarët e tij nga Llausha ishte drejtuar nga Prekazi i Epërm dhe i Poshtëm, të cilin e kishin shfrytëzuar si strehim të tyre. Në vendin e ngjarjes është konstatuar se luftëtarët e UÇK-së kishin bërë istikame në këtë vend, si dhe bunkerë. Njëri prej bunkerëve ka qenë i rezervuar për Adem Jasharin. Aksioni i komandantit të JSO-së, Millorad Ulemek – Legija, ka qenë shumë efikas. Paraprakisht terroristëve u ishte kërkuar të dalin e të dorëzohen, por meqë nuk kishte përgjigje lufta kishte filluar. Komandanti Ulemek kishte zhvilluar aksion të shpejtë e efikas, para së gjithash për ta paralizuar dhe për ta neutralizuar Adem Jasharin, rezistenca e shqiptarëve ishte e madhe, janë vrarë 66 ‘terroristë’, i gjithë grupi, Ademi e Hamza janë likuiduar. Nga ana jonë janë vrarë Andreas Konçareviq, pjesëtar i JSO-së dhe Rade Radakoviq, pjesëtar i SAJ-it, si dhe janë plagosur 6 pjesëtarë të JSO-së dhe 3 pjesëtarë të SAJ-it”, thuhet në dokument.
Ndryshe, në vitin 2003 Millorad Ulemek – Legija kishte vrarë në Beograd kryeministrin e Serbisë Zoran Gjinxhiqin dhe për këtë vepër kriminale është dënuar me 40 vjet burg.
Në anën tjetër, Këshilli i Varrimit të Jasharëve ka dalë me një deklaratë, me anë të së cilës ka njoftuar gjithë opinionin për rrjedhën e varrimit, si me emrat e njerëzve që kanë qenë pjesë e Këshillit të Varrimit, për shkak se, siç ka thënë Mehmet Çollaku, kryetar i Këshillit të Varrimit të Jasharëve, “tani po dalin e po flasin njerëz që nuk kanë pasur asnjë lidhje me varrimin e as me organizimin e varrimit të Jasharëve”.
“Këshilli i Varrimit ka qenë në përbërje: Mehmet Çollaku, kryetar, Ilmi Nuredini, Ibush Kabashi, dr. Nazif Goxhuli, Imer Gashi (tani i ndjerë), Emin Dajaku, Jahir Bejta dhe Rifat Bejta (i ndjerë), ndërsa në shkarkimin e kufomave nga kamionët në depon e materialit ndërtimor kanë marrë pjesë: Fetah Tahiri (tani i ndjerë), Selman Kameri, Idriz Kameri (tani i ndjerë), Behram Geci, Kajtaz Gecaj, Hajzer Ahmeti, Ilmi Jashari, që ka identifikuar kufomat dhe Zukë Jashari (i ndjerë), të cilit i ishte ekzekutuar djali i tij, Nazmiu. Këta kanë qenë dhe asnjë tjetër, sado që sot dalin njerëz e rrahin gjoks nëpër televizione, duke trilluar ngjarje që nuk kanë ndodhur fare. Asnjë tjetër, përveç anëtarëve të Këshillit të Varrimit, nuk mund të flasë për varrimin e Jasharëve”, insiston Mehmet Çollaku, kryetar i Këshillit të Varrimit të Jasharëve.
Çollaku: Varrimi i Jasharëve ishte sakrificë
Pas masakrës mbi Jasharët policia serbe kishte mbledhur kufomat, shumë prej të cilave vështirë për t’u identifikuar, pasi që ishin pothuajse krejtësisht të djegura, i kishte dërguar në Prishtinë, gjoja për t’ua kryer obduksionin, ndërsa më 9 mars, në orët e mbrëmjes, i kishin sjellë në Skenderaj, në “Fidanishte” dhe i kishin lënë aty të ngarkuar në kamionë deri në mëngjesin e 10 marsit. Policia insistonte që dikush t’i pranonte kufomat dhe që të varroseshin sa më shpejt, përndryshe policia ishte kërcënuar se “ata vetë do t’i groposin të gjitha kufomat në një varr masiv”. Madje komandanti i Stacionit të Policisë në Skenderaj, Ilija Trajkoviq, kishte thënë se në një rast të tillë “më kurrë nuk do t’i gjeni kufomat”.
Në këtë situatë ishte formuar Këshilli i Varrimit, i cili përbëhej nga Mehmet Çollaku, Ilmi Nuredini (mik i familjes së Jasharëve) Ibush Kabashi (fotograf), Nazif Goxhuli (mjek), Imer Gashi, Emin Dajaku, Jahir Bejta dhe Rifat Bejta e i cili kishte marrë gjithë përgjegjësinë për pranimin e kufomave dhe për varrimin e tyre, ndonëse për ta kryer punën duhej sakrificë e madhe, pasi secili që merrte guximin për të dalë jashtë shtëpive të tyre mund të vritej.
Mehmet Çollaku, kryetar i Këshillit të Varrimit të Jasharëve, i tha “Zërit” të enjten se udhëheqësit e policisë në Skenderaj insistonin që varrimi të bëhej më 10 mars, vetëm pak kohë pasi kufomat ishin dërguar në një depo të materialit ndërtimor në hyrje të Skenderajt. Madje, siç thotë Çollaku, nga Prishtina kishin ardhur Fatmir Sejdiu dhe Basri Musmurati, të cilët kishin konfirmuar atë që thoshte policia, se “nëse kufomat e Jasharëve nuk varrosen deri në orën 15:00, më 10 mars, atëherë policia do t’i marrë ato dhe do t’i varrosë vetë”.
“Kanë qenë momente shumë të vështira, duhej pak kohë që të hapeshin varret, mbi 60 varre, sepse aty kishte edhe kufoma që nuk ishin të Jasharëve. Në ditën e parë i kemi pranuar 48 kufoma të Jasharëve, kufomat e Shabanit dhe të Hamzës i kanë sjellë shumë më vonë. Duke parë se në çfarë situate ndodhemi, kemi vendosur që t’i varrosim më 10 mars, kufomat policia i ka marrë dhe i ka dërguar te varret me kamionët që i kanë sjellë nga Prishtina në Skenderaj. Varrimi ka filluar në orën 15:00 dhe për pak kohë filloi të errësohet. Nuk ka qenë ndonjë varrim, ka qenë urdhër veç me i mbulu varret. Kufomat u vendosen ashtu si mundeshin dhe kur përfundoi rreshti i parë policia serbe i mbuloi varret me ekskavator, por varret tjera mbetën hapur, sepse ekskavatori nuk mund të depërtonte e ndërkohë edhe ra terri”, tregon Çollaku.
Këshilli i Varrimit: Ritet fetare i ka kryer hoxha nga Malisheva, Fetah Begolli
Sipas tij, Këshilli i Varrimit kishte shkuar në Stacionin e Policisë në Skenderaj dhe nga Branko Jarediq, atëherë shef i Policisë në Skenderaj, kishte kërkuar që varrimi të bëhet edhe një herë, për shkak se “kufomat janë përzier dhe se nuk dihet kush ku është”. “Kemi shkuar në Stacionin e Policisë në Skenderaj. Zekeria Cana, i cili pati ardhur nga Prishtina, unë, Ilmi Nuredini dhe dr. Nazif Goxhuli u takuam me Branko Jarediqin dhe i kërkuam atij të lejojë që varrimi i kufomave të bëhet me radhë sipas familjeve, si dhe që ceremonia të bëhet me rite fetare. Jarediq dukej i kënaqur që varrimi po bëhej, pasi serbët besonin se me vrasjen e komandantit Adem Jasharit dhe të familjes së tij gjithçka përfundoi dhe në këtë mënyrë edhe na u lejua ta kryejmë edhe një herë varrimin. E kemi hapur sërish rendin e parë të varreve, i kemi nxjerrë kufomat dhe i kemi renditur sipas familjeve, duke shkruar edhe emrin e secilit. Kemi filluar prej Shaban Jasharit, pastaj Hamza e Ademi e kështu me radhë, varri i secilit është ditur”, përkujton Çollaku ditën kur ishin varrosur Jasharët.
Sipas Çollakut, punën më të madhe, edhe për hapje të varreve, edhe për varrimin e Jasharëve, e kanë banorët e Klinës së Poshtme, të cilët dy ditë rresht kanë kryer punë, ndonëse gjithnjë duke u kërcënuar, duke u sharë e duke u fyer nga policët serbë. Gjithsesi, edhe qytetarë të pjesëve të ndryshme të qytetit të Skenderajt kanë kontribuar që varrimi i Jasharëve të kryhet sa më shpejt, për të mos u dhënë shkas serbëve t’i marrin kufomat dhe t’i dërgojnë, ashtu siç kërcënoheshin, “diku ku nuk do të mundë të gjendeshin”.
Kryetari i Këshillit të Varrimit të Jasharëve, Mehmet Çollaku, ka konfirmuar se ritet fetare (faljen e kufomave) i ka kryer hoxha Fetah Begolli, nga komuna e Malishevës.
“Hoxha i Malishevës, Fetah Begolli, ka nejt dy ditë, derisa ka përfundu varrimi. E ka kryer ceremoninë fetare për të gjithë Jasharët, që u flijuan për lirinë tonë. Bile ai ka këmbëngulur se ‘do të rri këtu dhe nuk do të luaj vendi, edhe me kushtin që të shkoj me ta (Jasharët)’”, tregon Mehmet Çollaku, kryetar i Këshillit të Varrimit të Jasharëve, 22 vjet pas luftës së lavdishme të Jasharëve./ZERI