Degradim i lumenjve të Kosovës, lumi Llap - deponi mbeturinash
Me mbeturina të shumta vit pas viti mbushen lumenjtë e shumtë të Kosovës. Në mesin e tyre është edhe lumi Llap, përgjatë tërë rrjedhës së tij deri në bashkimin me lumin Sitnica, gjendja e të cilit vazhdon të jetë e rëndë. Në Milloshevë qytetarët shprehen të shqetësuar për hedhjen e vazhdueshme të mbeturinave dhe përveç degradimit të lumit po shkaktohet edhe kundërmim jashtëzakonisht i padurueshëm, shkruan sot gazeta Zëri.
Me mbeturina të shumta po vazhdon të jetë i mbushur shtrati i lumit Llap, i cili buron diku nga nën bjeshkët e Kopaonikut dhe rrjedh përgjatë një territori të madh të komunës së Podujevës, duke kaluar nëpër këtë qytet për të përshkuar edhe një rajon bukur të madh në verilindje të Prishtinës, deri në bashkimin e tij më Sitnicën.
Mbeturina të shumta janë të hedhura në lumë e përreth tij, ndërsa edhe kundërmimi që vjen nga ai është shumë i rëndë, saqë dëgjohet edhe pa iu afruar. Lumi Llap vit pas viti shndërrohet në një deponi mbeturinash edhe në fshatin Milloshevë e për këtë fajësohen qytetarët dhe Komuna e Prishtinës.
Kadri Baliu, banor i Milloshevës, derisa është shprehur i shqetësuar për mbulimin e lumit nga mbeturinat ka thënë për “Zërin” se gjendja e tij vit pas viti është e rëndë, ndonëse bashkë me banorët tjerë kanë pastruar shtratin e lumit, ai kthehet shumë shpejt në gjendjen e njëjtë. “Gjithmonë këtu është gjendja e njëjtë. Lumin e pastrojmë, por brenda një viti prapë mbushet njëjtë. Ne banorët e kemi pastruar këtë pjesë, po prapë është ndotur pasi të gjithë hedhin mbeturina këtu”, ka theksuar ai. Baliu ka thënë se më shumë banorët merren me pastrimin e këtij lumi sesa Komuna. Ai është shprehur i shqetësuar edhe për kundërmimin që vjen nga lumi Llap, për të cilën nuk kanë asnjë zgjidhje.
Edhe qytetarë të tjerë që jetojnë pranë lumit Llap janë shprehur të shqetësuar me gjendjen e tij. Ata tregojnë se ky lumë me vite të tëra qëndron i mbuluar nga mbeturinat. Derisa qytetarët kanë fajësuar Komunën e Prishtinës për mospastrimin e tij, Medina Braha, drejtoreshë e Shërbimeve Publike, të Mbrojtjes dhe të Shpëtimit në Komunën e Prishtinës, ka thënë se dy herë në vit bëjnë mirëmbajtjen e shtretërve të lumenjve. “Drejtoria e Shërbimeve Publike, Mbrojtjes dhe Shpëtimit bën mirëmbajtjen e rregullt të përroskave, të shtretërve të lumenjve, të kanaleve të hapura dhe të kanalizimit atmosferik. Kjo mirëmbajtje bëhet dy herë në vit, në sezonin pranverë/verë dhe atë vjeshtë/dimër, ku për disa javë radhazi bëhet pastrimi i të lartcekurave”, ka thënë ajo.
Braha është shprehur se pavarësisht që bëjnë mbledhjen e mbeturinave përgjatë lumit Llap brenda komunës së Prishtinës aty prapë hedhen mbeturina. Sipas saj, për një rregullim të lumenjve duhet një investim më i madh kapital. “Pavarësisht kësaj, fatkeqësisht aty hidhen mbeturina shumë shpesh dhe çdoherë largojmë sasi të mëdha të tyre. Lidhur me kundërmimin, kjo në të shumtën është për shkak të derdhjes së ujërave të zeza në pjesë të caktuara të këtij lumi. Për një rregullim të tyre nevojitet një investim më i madh kapital”, ka shtuar ajo.
Qeveria në planin e saj ka prioritet trajtimin e ujërave të ndotura
Në programin e qeverisë “Kurti” parashihet edhe trajtimi i ujërave të ndotura e investimet në gjelbërim. Ndonëse nuk janë dhënë detaje sa i përket ambientit, në një dokument të dërguar për gazetën thuhet se prioritet i veçantë do të jetë trajtimi i ujërave të ndotura. “Do të hartojmë program nacional për trajtim të ujërave, duke përfshirë furnizimin me ujë të pijshëm, për ujitje të tokave bujqësore, akumulimet e nevojshme ujore dhe mbrojtjen e ujërave mbitokësore si resurs natyror. Prioritet do të kenë komunat në të cilat furnizimi me ujë është i pamjaftueshëm. Akumulimet e ujërave do të bëhen duke u bazuar në studimin detal në nivel nacional. Do të punohet në rregullimin e lumenjve dhe në parandalimin e përmbytjeve gjatë vërshimeve dhe të reshurave të shumta”, thuhet më dokument.
Albena Reshitaj, e cila gjatë vitit 2017 ka qenë ministre e Mjedisit dhe e Planifikimit Hapësinor, ka thënë për gazetën se gjatë mandatit të saj mjedisi ka qenë prioritet qeveritar. Ajo është shprehur se me qeverinë e re dëshiron të shohë suksese edhe në trajtimin e ujërave të zeza, që është e nevojshme për qytetarët. “Do të doja të shohim suksese në trajtimin e ujërave të zeza, që është një nevojë imediate për qytetarët e vendit, pastaj në trajtimin e mbeturinave, pastaj në ajrin e ndotur dhe do të duhej t'i japim fokus arsimit, shëndetësisë dhe mjedisit, sepse mjedisi lidhet me shëndetësinë dhe të gjitha këto ndikojnë në mirëqenien dhe në cilësinë e jetës së qytetarëve”, ka thënë ajo.
Hasanaj: Duhet të organizohet pastrimi i gjithë shtretërve të lumenjve
Në fushën e ambientit thuhet se nuk ka përmirësime as gjatë këtij viti. Kryetari i organizatës “Let's Do It Kosova”, Luan Hasanaj, ka thënë për “Zërin” se situata në terren është ende problematike. Sipas tij, duhet të organizohet pastrimi i gjithë shtretërve të lumenjve në Kosovë. “Situata është e njëjtë, nuk ka përmirësim. Ministri i ri më duket më i prerë në disa vendime, ai i ka marrë disa vendime të mira. Mirëpo duhet të organizohet pastrimi i të gjitha shtretërve të lumenjve, jo vetëm i Llapit, por edhe i lumenjve të tjerë dhe pastaj duhet komunat të jenë më të vëmendshme e duhet t’i ndalin ata që po bëjnë ndotje”, ka thënë ai.
Ai është shprehur se ka shumë familje që nuk e kanë shërbimin e kompanisë që merret me menaxhimin e mbeturinave dhe Komuna duhet t’i detyrojë ato ta paguajnë këtë shërbim. “Shumë familje që jetojnë afër lumenjve e përdorin lumin për të gjuajtur bërllokun dhe nuk e kanë shërbimin e kompanisë që merret me menaxhimin e mbeturinave. Pra ata nuk e pranojnë shërbimin, sepse përdorin lumin si deponi. Komuna ishte dashur të ndërhyjë me inspektorë dhe t’i detyrojë ata ta paguajnë shërbimin e ndërmarrjes. Pos familjeve, ka edhe biznese që e bëjnë të njëjtën, pra janë afër lumenjve dhe bërllokun e gjuajnë aty”, ka theksuar ai.
Hasanaj ka treguar se si organizatë gjatë muajve të ardhshme do të organizojnë aksion për pastrimin e disa lumenjve në vend. “Ne jemi të rregullt me aktivitete. Ne kemi pastruar liqenin e Badocit, pastaj më 21 mars do të organizojmë aksion pastrimi në lumin Istog dhe në liqenin e Batllavës. Më 22 prill do të ketë aksion në krejt Kosovën për pastrim. Do të ketë aktivitete të rregullta në këtë fushë. Ne jemi duke e monitoruar edhe zbatimin e legjislacionit. Është një udhëzim administrativ për gjobat mandatore dhe ne e monitorojmë zbatimin e tij”, ka shtuar ai./Zëri