
Presidenti i Austrisë premton mbështetjen e pa rezervë në rrugëtimin e Kosovës në UE
Ambasadori i Republikës së Kosovës në Austri, Lulzim Pllana, i ka dorëzuar letrat kredenciale Presidentit të Republikës Federale të Austrisë, Alexander Van der Bellen.
Gjatë audiencës së rastit, presidenti austriak i ka uruar mirëseardhje ambasadorit Pllana duke ritheksuar mbështetjen e pa rezervë të Austrisë për Kosovën në rrugëtimin e mëtejshëm të saj në familjen europiane, si dhe duke shprehur interesim për zhvillimet në Kosovë.
Ambasadori Pllana i përcolli presidentit Van der Bellen përshëndetjet e përzemërta të Presidentit të Kosovës Hashim Thaçi dhe të popullit të Kosovës.
Ai falënderoi presidentin e Austrisë për mbështetjen e vazhdueshme të vendit të tij dhënë Kosovës dhe bashkëpunimin e shkëlqyeshëm ndërmjet dy shteteve.
Pas prezantimit të letrave kredenciale, ambasadori Lulzim Pllana parakaloi pranë Gardës së Nderit.