Barra që rëndon mbi qeverinë “Kurti” është e madhe, por do t’ia dalim
Foto: Laura Hasani

Barra që rëndon mbi qeverinë “Kurti” është e madhe, por do t’ia dalim

Aktuale February 22, 2020 - 10:40

Pas shkarkimit të Bordit të Telekomit të Kosovës, të 14 konsujve, të procesit të emërimit të noterëve dhe shfuqizimin e disa vendimeve qeveria “Kurti” do t’i shkarkojë edhe zyrtarët tjerë, të cilët kanë shkelur ligjet në fuqi.

Kështu ka bërë të ditur për “Zërin” deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje Artan Abrashi, i cili ka theksuar se një gjë e tillë do të bëhet pas analizimit të punëve të kryera nëpër institucionet shtetërore, të cilat janë nën kompetencat e ekzekutivit, shkruan gazeta "Zëri".

Zëri: Z. Abrashi, Lëvizja Vetëvendosje për herë të parë është në krye të Qeverisë e derisa pritshmëritë e qytetarëve për qeverisjen LDK - LVV janë të mëdha, cilat janë sfidat që e presin?

Abrashi: Në fakt qeverinë e re të Republikës së Kosovës e presin jo vetëm sfida, por jashtëzakonisht shumë probleme dhe kjo gjë është evidente. Kemi të bëjmë me akumulimin e shumë çështjeve të pazgjidhura, shumë raste të cilat kërkojnë trajtim urgjent të udhëheqësisë së re. Po flasim për procese, të cilat për fat të keq është dashur të kryhen në kohë dhe me kohë, porse kanë mbetur barrë e kësaj qeverisjeje. Mirëpo duke pasur parasysh vullnetin e deritashëm, energjinë e madhe dhe angazhimin për punë, i cili është dëshmuar qysh në javën e dytë të qeverisjes, unë jam jashtëzakonisht optimist se gjërat më në fund do të kthehen për së mbari dhe shumë probleme do të gjejnë zgjidhje. Kësisoj, besoj se do të krijohet një bazë e shëndoshë që tash e tutje kjo Qeveri të funksionojë si duhet, t’i realizojë pritjet e aspiratat e qytetarëve të Kosovës dhe ta kryejë rolin e vet ashtu siç e përcakton Kushtetuta dhe ligjet në fuqi.