7 të vdekur nga gripi sezonal në Kosovë, ndër ta edhe një fëmijë
Foto: Zeri

7 të vdekur nga gripi sezonal në Kosovë, ndër ta edhe një fëmijë

Aktuale February 21, 2020 - 08:17
Image

7 persona kanë vdekur nga gripi sezonal në Kosovë, derisa dy persona të prekur me grip gjenden në gjendje të rëndë. Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike në vend ka bërë të ditur se gripi në Kosovë ka kaluar pragun epidemik. Infektologët thonë se javëve të fundit është rritur numri i të prekurve me grip, shrkuan gazeta "Zëri".

7 persona kanë vdekur nga gripi sezonal, derisa mbi 16 mijë persona janë prekur me të, dy prej të cilëve janë në gjendje të rëndë. Në mesin e të vdekurve është edhe një fëmijë.

Pediatri Ramush Beiqi kishte bërë të ditur për gazetën se një fëmijë, i cili ka pasur probleme në zemër, ka vdekur, ngase ishte prekur edhe me grip. Ndërsa 6 personat të tjerë të vdekur nga gripi në Klinikën Infektive thuhet se kanë qenë me influencën A të gripit sezonal.

Drejtoresha e Klinikës Infektive në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, Lindita Ajazaj-Berisha, ka thënë për “Zërin” se ka fluks më të shtuar të rasteve të prekura me grip. Ajo ka bërë të ditur se pesë rastet që kanë përfunduar me vdekje kanë pasur edhe probleme të tjera shëndetësore, ndërsa njëri rast nuk ka pasur sëmundje shoqëruese, vetëm influencë A. “Prej muajit dhjetor deri tani kemi 6 raste të vdekjes. Ata janë konfirmuar me influencë A. Katër prej tyre kanë pasur edhe sëmundje paraprake kronike, të cilat për ne kanë qenë të njohura. Një rast i moshës së re ka pasur gjendje postoperative, ndërsa në ndërkohë është shfaqur influenca A, ku ka pasur edhe përkeqësim të gjendjes. Një rast është se nuk kemi pasur sëmundje shoqëruese, pra ka pasur influencë A, por pa sëmundje shoqëruese”, ka potencuar ajo.

Ajazaj-Berisha ka bërë të ditur se kanë edhe fëmijë, të cilët janë të prekur me influencën A dhe B, por që gjendja e tyre është e qëndrueshme, pra ata nuk kanë pasur përkeqësim të shëndetit.

“Momentalisht situata epidiomologjike në klinikë është nën kontroll. Kemi fluks më të shtuar të rasteve, por gjendja është stabile. Ata janë duke u menaxhuar nga ekipi mjekësor, format e lehta po trajtohen si ambulatore, format më të rënda po spitalizohen. Instituti Kombëtar vazhdimisht ka pasur prononcim dhe i ka dhënë të gjitha masat preventive se si duhet të sillen qytetarët”, ka shtuar ajo.

Nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike është bërë e ditur se nga 1 tetori i vitit të kaluar deri më 9 shkurt të këtij viti në këtë Institut janë testuar gjithsej 522 mostra të dyshimta në grip, prej të cilave 214 mostra kanë rezultuar pozitive, prej të cilave 98 pozitive në grip A dhe 116 pozitive në grip B.

Dy persona në gjendje të rëndë nga gripi

Dy persona janë në gjendje të rëndë, për shkak të gripit derisa 13 po marrin trajtim në Klinikën Infektive. Kështu ka bërë të ditur infektologu Valbon Krasniqi, i cili po ashtu ka konfirmuar se javëve të fundit kanë pasur një fluks më të madh të pacientëve me simptoma të gripit. “Situata është nën kontroll. Javët e fundit kemi pasur një fluks më të madh të pacientëve me simptomat e gripit. Aktualisht kemi disa të sëmurë që janë të shtrirë duke u trajtuar në Klinikë. Kemi diku 12-13 raste që janë të shtrirë, dy prej tyre janë në gjendje më të rëndë dhe janë në kujdesin intensive, ndërkohë të tjerët janë në reparte. Ajo që bie në sy, këto ditët e fundit është se kemi pasur numër më të madh të pacientëve të prekur me virusin e grupit B. Sidoqoftë, kemi edhe me gripin A”, ka theksuar ai.

Sipas tij, influenca A është sëmundje e rëndë dhe mund t’ua rëndojë gjendjen shëndetësore personave që kanë sëmundje të tjera shëndetësore. “Influenca është një sëmundje e rëndë, megjithatë në numrin më të madh të rasteve gripi kalon në forma të lehta deri në mesatare, në disa raste mund të paraqitet edhe në forma të rënda dhe fatkeqësisht edhe me veçori fatale. Zakonisht rastet me gripin A që shkojnë në gjendje më të rëndë janë pacientët, të cilët paraprakisht mund të kenë pasur edhe sëmundje të tjera”, ka thënë ai.

Krasniqi ka deklaruar se më të rrezikuar nga gripi janë personat në moshë të shtyrë, fëmijët, gratë shtatzëna e personat me sëmundje të tjera, sidomos ata që vuajnë nga sëmundjet e mushkërive, të zemrës e të kancerit. Ai është shprehur se pret të ketë raste me grip sezonal edhe gjatë muajit mars. “Nga përvojat e mëhershme dhe duke ditur faktin se gripi është sëmundje sezonale e sezoni i dimrit zgjat deri nga fundi i muajit mars, është e pritshme që të kemi numër të rasteve edhe gjatë muajit mars, por në përgjithësi në Klinikë ne këtë situatë e vlerësojmë si diçka të zakonshme në sezonin që jemi tash”, ka thënë ai tutje.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike në vend ka rekomanduar marrjen e masave për parandalimin e përhapjes së virusit të gripit sezonal. Sipas këtij Instituti, duhet të evitohen sa është e mundur kontaktet e afërta me individë të sëmurë, personat e sëmurë duhet të qëndrojnë në shtëpi në mënyrë që të parandalohet përhapja e sëmundjes, duhet të reduktohet numri i vizitave të familjarëve te personat e hospitalizuar e duhet të evitohen vendet e mbyllura dhe të mbingarkuara me njerëz.

Mbi 2 mijë viktima të koronavirusit, asnjë rast në Kosovë

Mbi 2 mijë persona kanë vdekur nga koronavirusi, derisa rreth 12 mijë persona raportohet të jenë në gjendje të rëndë. Në një deklaratë nga Komisioni Kombëtar i Shëndetësisë në Kinë është thënë se numri i të prekurve nga virusi është rritur në 74 mijë e 185, prej të cilëve 11 mijë e 977 persona ndodhen në gjendje të rëndë. Jashtë territorit të Kinës numri i të prekurve nga virusi është rritur në 62 në Hong-Kong, derisa raste të prekura me të janë paraqitur edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në Gjermani, në Zvicër, në Suedi e mbi 20 shtete të tjera. Në Kosovë deri më tani është raportuar se asnjë person nuk është prekur me këtë virus, ndonëse ekziston rreziku që ai të prekë edhe qytetarët e vendit./ZËRI