Parësore kthimi i besimit të pacientëve në sistemin publik
Foto: Zeri

Parësore kthimi i besimit të pacientëve në sistemin publik

Aktuale February 18, 2020 - 14:16

Qeveria e re po paralajmëron ndryshime të shumta në sistemin shëndetësor, duke përfshirë këtu përmirësim të furnizimit me barna e implementim të sigurimeve shëndetësore. Njohës të çështjeve të shëndetësisë kanë vlerësuar se ka shumë probleme në të cilat duhet përqendruar urgjentisht, shkruan sot gazeta "Zëri".

Kushtet e punës, sigurimet shëndetësore, përmirësimi i furnizimit me barna nga lista esenciale e investimet në aparatura konsiderohen si disa nga çështjet kryesore me të cilat duhet të merret qeveria e re.

Kryetari i Federatës së Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës, Blerim Syla, ka thënë ditë më parë për gazetën se për shkak të këtyre çështjeve mjekët po lëshojnë vendin. Ai ka deklaruar se nëse buxheti për shëndetësi rritet dhe Qeveria merr veprimet adekuate, atëherë priten ditë më të mira për këtë sistem.

Deputetja nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Fatmire Kollçaku, ka thënë për “Zërin” se Qeveria do ta ketë prioritet shëndetësinë, kështu edhe do t’i jetësojë disa projekte në këtë fushë. Ajo është shprehur se parësore është që t’u kthehet pacientëve besimi në sistemin publik e që të forcohet ky sistem, në mënyrë që pacientët të mos orientohen për trajtim në sektorin privat. “Është primare që t’u kthehet besimi pacientëve në sistemin publik e të forcohet sistemi publik, sepse varfëria në Kosovë është e madhe dhe ne nuk mund të presim që pacientët t’i orientojmë vetëm në sektorin privat. Ne jemi të interesuar ta forcojmë sistemin publik fillimisht, t’ia përmirësojmë kushtet punëtorëve shëndetësorë dhe njëkohësisht të kenë studentët, që përfundojnë Fakultetin e Mjekësisë, motiv që të mbesin në Kosovë dhe të mos ikin ashtu siç ka ndodhur në këto vitet e fundit”, ka potencuar ajo.

Kollçaku ka përmendur edhe jetësimin e projektit të mjekësisë familjare, ku pretendohet që të trajtohen deri në 80 për qind të rasteve, në mënyrë që ato të mos referohen për në nivel sekondar. Ajo ka thënë se edhe QKUK-së duhet t’i kthehet imazhi i mirë. “Duhet t’i kthehet imazhi i mirë QKUK-së dhe ajo të fillojë të funksionojë si qendër terciare. Duhet ta kemi edhe spitalin e Prishtinës, sepse duhet ta kenë edhe qytetarët e komunës së Prishtinës një spital, në të cilën do t’i referojnë rastet në nivel sekondar, sepse qendra terciare e vetme në Kosovë nuk po ka mundësi ta kryejë punën e saj për shkak të ngufatjes së referimit të rasteve që duhet të trajtohen në spitalet regjionale”, ka potencuar ajo./ZËRI