Njomza Emini tregon emocionet e nënshkrimit të Pavarësisë si deputetja më e re

Njomza Emini tregon emocionet e nënshkrimit të Pavarësisë si deputetja më e re

Aktuale February 16, 2020 - 18:21

Ishte vetëm 24 vjeçare kur e nënshkroi Deklaratën e Pavarësisë, më 17 shkurt 2008 si deputetja më e re e Kuvendit të Kosovës. Fjala është për Njomza Emini që si deputete e LDK-së nënshkroi për një akt historik siç ishte formimi i Kosovës, shtet i pavarur e sovran.

12 vjet pas, Emini tregon me emocion për Reporteri.net gëzimin që ka kishte atë ditë, të cilën thotë nuk do ta harrojë kurrë.

“Ndihem krenare që kam pasur fatin dhe mundësinë të nënshkruaj në Deklaratën e Pavarësisë së Kosovës. Më 17 shkurt të vitit 2008 kam ‘fluturuar’ si flutur. Mbase kjo është shprehja më e përshtatshme që mund t’i përshkruajë ato momente. Të jesh deputetja më e re është edhe nder, edhe përgjegjësi njëkohësisht. Mbi të gjitha është një përvojë e jashtëzakonshme, një shans të cilin për fat të keq nuk e kanë shumë të rinj”, ka thënë ajo për Reporteri.net.

Ajo ka treguar momentin kur i është dridhur dora nga emocionet derisa ka vënë firmën e Pavarësisë.

“Ka qenë emocion që nuk do ta harroj kurrë. Kur kam filluar ta nënshkruaj, edhe pse kimiku shkruante, dora sikur nuk më punonte nga emocionet e mëdha”, ka thënë Emini.

E pyetur se a ka ëndërruar se do të nënshkruante Deklaratën e Pavarësisë, ish-deputetja Emini thotë se nuk ka ëndërruar e as besuar se do ta kishte fatin.

“Nuk kam besuar e as nuk kam ëndërruar se do të jem nënshkruese e Deklaratës së Pavarësisë, edhe pse kam besuar në lirinë dhe në pavarësinë e vendit tim. 17 shkurti ka qenë një çast triumfi im personal e shtetëror. Natyrisht që për secilin prej nesh nënshkrimi i Deklaratës së Pavarësisë ka qenë ngjarje emocionale. Fundja nuk ndodh për çdo ditë, as për çdo vit që njeriu të përjetojë lindjen e një shteti. Dhe ky shtet, Kosova, lindi më 17 shkurt të vitit 2008”, ka treguar Emini.

Ajo aktualisht drejton Forumin për Lidership dhe Diplomaci që merret me fuqizimin e vajzave dhe grave.

Për dy mandate ka qenë deputete, kurse në tetor të vitit 2018 ishte dekoruar me titullin “Kalorës i Legjionit të Nderit” nga Franca.

Image