PDK: Jo idesë së Ballkaniadës, Kosova sovrane me ulëse në OKB

PDK: Jo idesë së Ballkaniadës, Kosova sovrane me ulëse në OKB

Aktuale February 16, 2020 - 11:11

Partia Demokratike e Kosovës po i përcjell me shqetësim të madh ndryshimet drastike dhe të paarsyeshme të qëndrimeve të Albin Kurtit. 

Në paraqitjen e tij në Konferencën e Munihut, duke dalë me “ide të reja”, të llojit të vjetër të Ballkaniadës, ai reagoi ashtu siç kishte bërë në kohën e Rambouillet dhe në kohën e Pavarësisë: mohues ndaj progresit dhe i hutuar para ngjarjeve historike. 

Pozicionimi i ri politik i Kurtit në Konferencën e Munihut, në emër të shtetit të Kosovës, për një Plan “Marshall” për vendet e Ballkanit Perëndimor, është përpjekje kamuflimi më e rrezikshmja e mundshme për kompromise para Serbisë, që mund të bënte ai si Kryeministër i vendit. 

Të kërkosh ta trajtosh Serbinë në përkrahje, njëjtë si vendin tënd, është si të pranosh ta bësh agresorin – Serbinë të barabartë me viktimën – Kosovën. 

Kurti, po ashtu, po bën gabimin e madh për vendin, kur mendon ta zgjasë Dialogun Kosovë-Serbi, duke e nisur atë prej fillimit – ashtu siç propozoi së fundmi spanjolli Borell, e jo që ai të përfundojë sa më shpejtë – ashtu siç kërkon SHBA.               

Kosova nuk ka nevojë për eksperimente dhe ide të tjera, por për marrëveshje që mbron sovranitetin  e vendit tonë dhe e anëtarëson Kosovën në Organizatën e Kombeve të Bashkuara. 

Ftojmë Albin Kurtin që të qëndrojë konform detyrimeve kushtetuese, e jo t’i shkelë ato si parimet që ka proklamuar para ardhjes në pushtet. 

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë qenë dhe janë në anën e Kosovës. 

PDK do të qëndrojë fort përkrah pozitës në çdo veprim dhe qëndrim që mbron dhe zhvillon shtetin e Kosovës, por do të jetë e pakompromis në çdo lëvizje të saj nga vullneti qytetar dhe Kushtetuta e Republikës së Kosovës.