Fjalimi i plotë i Kurtit në Munih: Serbia të çlirohet nga Kosova

Fjalimi i plotë i Kurtit në Munih: Serbia të çlirohet nga Kosova

Aktuale February 15, 2020 - 10:16

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, në konferencën e Sigurisë që po mbahet në Munih të Gjermanisë, ka thënë se ka ardhur koha që Serbia të çlirohet nga Kosova.

Kurti ka thënë se dialogu me Serbinë duhet të vazhdojë; mirëpo Kosova duhet t’i ketë parasysh tri parime për t’i shëruar plagët e planit të dështuar.

Sipas tij, 1) nuk ka marrëveshje pa dialog, 2) nuk ka dialog me harta, dhe 3) pa presidentë rreth hartave.

“Unë besoj se Ballkani Perëndimor dhe Bashkimi Europian janë shumë të rëndësishme për njëra-tjetrën. Ballkani Perëndimor është i rrethuar nga BE-ja dhe ne kemi nevojë për ndihmën e BE-së në fushën e drejtësisë dhe krijimit të vendeve të punës. Luftimi i krimit të organizuar dhe korrupsionit është e rëndësisë së madhe për demokratizimin e vendit”.

“Ne besojmë se BE mund të na ndihmojë me eksperiencën e saj e posaçërisht Gjermania. Ne e konsiderojmë si ngjarje shumë fatkeqe deklarimin e presidentit Junker në vitin 2014, kur ai tha se nuk do të ketë zgjerim të BE-së sepse kjo solli tri rreziqe të mëdha. Dy përpjekje puqesh: Njëri në Mal të Zi dhe tjetri në Maqedoni dhe gjithashtu projektin për shkëmbim territoresh ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”.

“Ne i kemi pasur këto tri rreziqe për shkak të mungesës së vizionit për zgjerimin e BE-së. Unë e kuptoj se reformat janë të nevojshme, por ato janë të nevojshme edhe përbrenda BE-së. Unë besoj se Ballkani Perëndimor duhet t’i bashkohet BE-së në të njëjtën kohë, nuk ka mënyrë tjetër”.

Kurti ka shtuar se duhet të punohet në atë drejtim që gjashtë shtetet e Ballkanit t’i bashkohen BE-së në të njëjtën kohë.

“Kjo ideja e Mini-Shengenit nuk është shumë e qartë për mua, nuk kam parë shumë dokumente, është një ide e pa projektuar për implementim. Besoj se duhet të hyjë në procesin e Berlinit, kështu do të ishte më së miri, kur të gjashta shtetet janë në tavolinë”.

“Njëjtë sikurse Plani Marshall, që u hartua nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës pas Luftës së Dytë Botërore, tani neve na duhet një Mini-Marshall Plan për shtetet e Ballkanit Perëndimor”.

“Gjëja e fundit, por edhe më e rëndësishmja, ne duhet të jemi të gatshëm për dialogun e ardhshëm mes Kosovës dhe Serbisë. Duhet t’i kemi parasysh tri parime për t’i shëruar plagët e planit të dështuar. Duhet ta përgatisim mirë, me parime të mira dialogun e ardhshëm në rajonin tonë, në veçanti atë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. 1) s’ka marrëveshje pa dialog, 2) s’ka dialog me harta, dhe 3) pa presidentë rreth hartave”.

“Pothuajse të gjithë prej jush na ndihmuat që 20 vjet më parë Kosova të çlirohet nga Serbia. Tani mendoj e ka ardhur koha që të ndihmohet Serbia për t’u çliruar nga Kosova. Pra, pas çlirimit të Kosovës nga Serbia, duhet të bëhet çlirimi i Serbisë nga Kosova”.