AKP-ja mund të shuhet vetëm me ndryshim të ligjit
Foto: Zeri

AKP-ja mund të shuhet vetëm me ndryshim të ligjit

Aktuale February 15, 2020 - 09:07
Image

Agjencia Kosovare e Privatizimit pritet të shuhet, përkatësisht të funksionojë si një agjenci e veçantë brenda Qeverisë së Kosovës. Sipas njohësve të rrethanave, ky proces mund të ndodhë vetëm me ndryshime ligjore. Përfundimi i procesit të privatizimit, i filluar para shumë viteve, është i domosdoshëm për t’i hapur rrugë shuarjes së kësaj agjencie, shkruan gazeta "Zëri".

Shuarja e Agjencisë Kosovare të Privatizimit dhe transferimi i saj në kuadër të një agjencie brenda Qeverisë së Kosovës është njëra ndër prioritetet e kryeministrit Albin Kurtit për sa i përket zhvillimit ekonomik të vendit gjatë qeverisjes së tij. Me krijimin e fondit sovran pritet që asetet strategjike të Kosovës të kalojnë në duart e këtij fondi. Mirëpo një gjë e tillë sipas njohësve të çështjeve të ekonomisë po shihet me rrezik. Sipas tyre, këto vendime kanë rrezik për shkak që, siç theksojnë ata, sado që të jetë e parashikuar mirë reforma, të njëjtat varen nga jetëgjatësia e qeverisë. Po ashtu edhe mospërfundimi i procesit të privatizimit po shihet si pengesë për realizimin e këtij synimi. Kjo pasi që AKP-ja është ende në proces të privatizimit në kuadër të tranzicionit në këtë sektor. Ndërsa ish-anëtarë të Komisionit për Zhvillim Ekonomik gjatë legjislaturës së VI i kanë pohuar “Zërit” se shuarja e AKP-së duhet të bëhet me kohë dhe me procedura. Agjencia Kosovare e Privatizimit është themeluar si një organ i pavarur publik, i cili i ushtron funksionet dhe përgjegjësitë në mënyrë plotësisht të pavarur dhe të përcaktuara me ligj. Në bazë të këtyre premisave AKP-ja ka zotësi të plotë juridike, posaçërisht për të bërë kontrata, për të marrë, për ta mbajtur ose për ta shitur pronën, si dhe ka të gjitha kompetencat e vetëkuptueshme për përmbushjen në tërësi të detyrave dhe të kompetencave të dhëna me këtë ligj; si dhe të padisë e të paditet në emër të saj.

Hadërgjonaj: AKP-ja duhet të shuhet me kohë

Ish-deputetja e PDK-së, njëherësh edhe ish-anëtare e Komisionit për Zhvillim Ekonomik gjatë legjislaturës së kaluar, Safete Hadërgjonaj, në një prononcim për gazetën “Zëri” pohoi se shuarja e AKP-së duhet të bëhet me kohë. Megjithatë, sipas saj, duhet pasur kujdes që kjo agjenci të shuhet sipas procedurave të nevojshme, si dhe hap pas hapi. “AKP-ja ndoshta me kohë duhet të shuhet. Por edhe këtu duhet pasur kujdes, pasi procedura për shuarjen e saj dhe inkuadrimin në Qeveri, siç është paraparë, duhet të kryhet hap pas hapi, derisa të përfundojnë të gjitha punët dhe detyrat që i ka dhe që është e angazhuar AKP-ja”, ka thënë ajo për “Zërin”.

Shatri: Ndryshimet në AKP mund të bëhen vetëm përmes ligjit

Ish-ministri i Financave, Haki Shatri, i ka thënë gazetës se krijimi i Agjencisë Kosovare të Privatizimit është çështje e rregulluar me ligj dhe se e njëjta mundet të ndryshohet vetëm përmes ligjit. “Fillimisht kjo çështje është e rregulluar me ligj. Ligji për Agjencinë e Privatizimit e ka ndryshuar atë nga AKM në AKP, siç është tani. Forma, mënyra e rregullimit dhe obligimet janë të përcaktuara me ligj. Qeveria duhet të nisë iniciativën për të ndryshuar ligjin dhe ta transformojë atë në një agjenci në kuadër të ndonjë ministrie ose në ndonjë formë tjetër”, ka thënë Shatri.

Të nevojshme ai e ka parë edhe mbylljen e procesit të privatizimit, pasi pa u përfunduar ky proces nuk është e preferueshme as mbyllja e agjencisë. “AKP-ja nuk mund të mbyllet si proces, sepse procesi i privatizimit duhet të përfundojë si një fazë e tranzicionit. Pronat, të cilat po degradohen, pronat të cilat janë pa mbikëqyrje, mbesin në mëshirë të askujt dhe duhet të përmbyllen këto procese”, ka thënë më tutje ai.

Për sa u përket synimeve të qeverisë “Kurti” për shuarjen e kësaj agjencie dhe për inkuadrimin e saj në një agjenci, e cila pritet të krijohet brenda Qeverisë, Shatri theksoi në rast se kjo bëhet me qëllim të ndërrimit të punonjësve të AKP-së, atëherë nuk mund të ketë asnjë efekt pozitiv. “Se si do ta realizojë këtë gjë mandati i ri qeverisës nuk e dimë. Nëse dëshirojnë që këtë veprim ta bëjnë veç sa për të ndërruar personat dhe në pozita të vendosin të tjerë në vend të atyre që janë, nuk ka asnjë efekt në Kosovë dhe mund të ketë interes vetëm për ndonjë grup të interesit. Mbetet të shihet, nuk dua të paragjykoj asgjë. Për sa i përket ekonomisë së Kosovës, procesi i privatizimit nuk vlerësohet se ka qenë në masën që është pritur si shtytës i proceseve zhvillimore. Ky proces duhet të përmbyllet”, ka thënë ndër të tjera ai.

Kadrijaj: Shuarja e AKP-së bart në vete rrezik

Sipas Mustafë Kadrijajt, njohës i çështjeve të ekonomisë, shuarja e AKP-së bart një dozë të rrezikut, pasi një gjë e tillë mund të krijojë paqartësi në administrim. “Nëse shihet prapa, në Kosovë partitë politike kanë dështuar t’i jetësojnë planet për zhvillim ekonomik si pasojë e moszgjatjes së qeverisjes së tyre. Një gjë është dëshmuar që nga paslufta, sado që të jetë e parashikuar mirë reforma, nëse nuk ka jetëgjatësi Qeveria vetëm do të krijonte paqartësi në administrim. Ta shuash AKP-në ka edhe një dozë të rrezikut, pasi nëse dështon ose menaxhohet jomirë do të bëhet edhe më keq, përderisa qytetari ia ka dhënë besimin për një qeverisje më të mirë”, ka thënë Kadrijaj për “Zërin”.

Duke folur mbi këtë synim të qeverisë “Kurti”, sipas Kadrijajt, nuk është e nevojshme reduktimi i institucioneve. Sipas tij, qeverisja e re duhet ta ketë parasysh që reformat nuk mund të bëhen me vendime, por me krijimin e ambientit ligjor dhe infrastrukturor.

“Nuk jam i prirë për paragjykime, por çdo vendim i ri bart në vete rrezikun se si do të funksionojë dhe sa do të jetë me frytdhënëse në arkën e shtetit, sepse nuk është patjetër vetëm të reduktojmë institucione, por të jenë kontribuuese në arkën e shtetit dhe për lehtësira në të bërit biznes në Kosovë. Z. Kurti duhet ta ketë të qartë se nuk bëhen reforma me vendime, por me ndryshim në ligje dhe me krijimin e ambientit ligjor e infrastrukturor, që do të ketë lehtësira në të bërit biznes në Kosovë dhe të njëjtat do të kontribuonin në arkën e shtetit”, ka thënë më tutje ai./ZËRI