Gjuriq: Vuçiqi heshti përfaqësuesit e Prishtinës që tentuan ta ofendojnë Serbinë
Drejtori i të ashtuquajturës Zyre për Kosovën në qeverinë serbe, Marko Gjuriq, i cili hodhi edhe nënshkrimin në marrëveshjet historike për hekurudha dhe autostrada, lavdëroi sjelljen diplomatike të presidentit Aleksandar Vuçiq karshi kosovarëve.
Për Gjuriqin ishte ofenduese që shteti i tij u quajt okupator nga përfaqësuesit e Prishtinës.
“Në një panel në Konferencën e Sigurisë së Munihut, presidenti Aleksandar Vuçiq heshti përfaqësuesit e Prishtinës në një mënyrë diplomatike, por të qartë, të cilët u përpoqën të ofendonin Serbinë në një mënyrë shumë të pamatur dhe të turpshme”.
“Në këtë mënyrë të turpshme ata folën për Serbinsë si një okupatore, si një shtet që skllavëron dhe dëbon njerëzit, ata që menduan se kjo është mënyra se si bisedohet me Serbinë e morën nga Vuçiq përgjigjen”.
Megjithatë, Gjuriqi nuk tregoi se çfarë ishte ajo përgjigje që ia “mbylli gojën” kryeministrit kosovar Albin Kurtit.
Gjuriq tha gjithashtu se në Munih “disa njerëz mendojnë se Serbia dhe vendet e Ballkanit Perëndimor mund dhe duhet të japin mësim për demokracinë”.
Gjuriq tregoi se Vuçiqi ka thënë atje se “po luftonte për bashkëpunim dhe marrëdhënie racionale midis shteteve dhe popujve në rajon, duke theksuar luftën për t’i bazuar ato marrëdhënie në bashkëpunim ekonomik dhe politik e jo në konflikte”.