Mbi 7 mijë vozitësve u merret leja, Kosova pa strategji për siguri në trafik
113 persona kanë humbur jetën vetëm gjatë vitit të kaluar nga aksidentet në trafik. Policia ka njoftuar se gjatë vitit paraprak gjithsej kanë ndodhur 16 mijë e 222 aksidente, teksa si pasojë e shkeljeve të rregullave në komunikacion mbi 7 mijë vozitës kanë mbetur pa leje të vozitjes, shkruan gazeta "Zëri".
Numri i lartë i aksidenteve në trafik në Kosovë po vazhdon të mbetet një ndër fenomenet më shqetësuese. Njohësit e çështjeve të sigurisë në komunikacion vlerësojnë se mungesa e strategjive për siguri në vend e veçanërisht në komunikacion po ndikon që numri i aksidenteve të rritet nga viti në vit. Vetëm gjatë vitit që lamë pas 113 persona kanë vdekur në aksidente trafiku, teksa për t’u përkujdesur për sigurinë në rrugë nuk ka munguar as shqiptimi i tiketave për kundërvajtje në trafik, si dhe marrja e lejeve të vozitjeve për vozitësit e pandërgjegjshëm. Për 7 mijë e 319 shoferë është ndaluar vozitja e automjeteve si pasojë e shkeljeve që kanë bërë në trafik, teksa në përgjithësi nga PK-ja janë shqiptuar 445 mijë e 776 tiketa trafiku. Me Ligjin e ri për Rregullat e Trafikut Rrugor parashihen dënime astronomike financiare për shoferët që bëjnë shkelje në komunikacion. Sipas këtij Ligji, nëse shpejtësia e lëvizjes brenda zonës urbane është mbi pesëdhjetë (50) km/h mbi shpejtësinë e lejuar, e përcaktuar me rregulla të përgjithshme, atëherë shoferi dënohet për kundërvajtje me gjobë prej 300 deri në 900 euro, ku përveç gjobës atij i shqiptohet masa mbrojtëse “Ndalim i të drejtuarit të mjetit me veprim motorik” në kohëzgjatje prej së paku një (1) viti, si dhe i shqiptohen pesë (5) pikë negative.
113 të vdekur në komunikacion
Policia e Kosovës ka bërë të ditur për “Zërin” se gjatë vitit 2019 në Kosovë kanë ndodhur gjithsej 16 mijë e 222 aksidente trafiku e që ka shënuar një rritje prej 2,17%, duke e krahasuar me vitin 2018. “Gjithsej numri i aksidenteve në trafikun rrugor, nga 15 mijë 877 sa ishin në vitin 2018, ka rënë në 16 mijë e 222 aksidente gjatë 2019-s, ose ka pasur një ngritje për 2,17% gjatë vitit paraprak”, ka konfirmuar PK-ja.
Sipas Policisë, aksidente me dëme materiale kanë shënuar ngritje nga 9 mijë e 537 në 9 mijë e 974 aksidente, teksa edhe aksidentet me pasoja kanë shënuar rritje. Gjatë vitit 2019 nga aksidentet në komunikacion kanë humbur jetën 113 persona. “Aksidente me dëme materiale, nga 9 mijë e 537 sa ishin në 2018-n, në 2019-n u shënuan 9 mijë e 974, ose ka pasur një ngritje për 4,58%. Aksidente me pasoja fatale janë 100, ashtu sikurse edhe në vitin 2018. Nga ky numër i aksidenteve 113 persona kanë humbur jetën”, theksohet në statistikat e Policisë.
Më tutje Policia e Kosovës ka dhënë statistika edhe për aksidentet me lëndime. Numri i tyre ishte më i ulët, i krahasuar me 2018-n.
“Numri i aksidenteve me lëndime, nga 6 mijë e 240 sa ishin në 2018-n, ka rënë në 6 mijë e 148 gjatë 2019-s, ose ka pasur rënie për 1,47%. Nga ky numër i aksidenteve 11 mijë 860 persona janë lënduar e që duke i krahasuar me vitin 2018 shënon rënie për 4,14%”, është bërë e ditur nga PK-ja.
Mbi 7 mijë shoferëve u është marrë leja e vozitjes
7 mijë e 319 shoferëve u është ndaluar drejtimi i automjeteve, me ç’rast u është konfiskuar edhe leja e vozitjes gjatë vitit 2019. Policia e Kosovës po në këtë vit për kundërvajtësit në trafik ka shqiptuar gjithsej 445 mijë e 776 tiketa trafiku. “Gjatë vitit 2019 7 mijë e 319 shoferëve u është ndaluar drejtimi i automjetit, si dhe janë evidentuar 445 mijë e 776 tiketa për kundërvajtje në trafik. Duke u bazuar në këto të dhëna, numri më i madh i aksidenteve mbetet në rajonin e Prishtinës”, ka konfirmuar për gazetën PK-ja.
Sipas njohësve të rrethanave, Prishtina prin si qyteti me më së shumti aksidente dhe me rrugë të pasigurta për qarkullim në komunikacion. Ndër rrugët më me rrezik, sipas njohësve të çështjeve të komunikacionit, është aksi rrugor Prishtinë – Podujevë.
Dedaj: Aksidentet janë bërë si sëmundje kronike
Njohësi i çështjeve të komunikacionit, Nol Dedaj, për gazetën “Zëri” ka thënë që kohëve të fundit aksidentet në komunikacion janë bërë sëmundje kronike. Sipas tij, institucionet e Kosovës nuk po marrin masa preventive për sigurinë në trafik dhe si pasojë e kësaj pritet që numri i aksidenteve të vazhdojë të jetë i lartë. “Aksidentet në komunikacion janë bërë sëmundje kronike, institucionet e Kosovës nuk i kanë diagnostikuar ato në mënyrë që të marrin masat preventive, kjo do të thotë se do të ketë aksidente në vazhdimësi”.
Sipas Dedajt, shkaktarët më të shpeshtë për këto aksidente janë faktori njeri, gjendja e rrugëve dhe faktorë të tjerë. “Faktorët më të shpeshtë që shkaktojnë aksidentet janë: faktori njeri, faktori rrugë, faktori automjet, faktori komunikacion rrugor dhe faktori incident. Këta faktorë përbëhen prej elementeve të tyre, që drejtpërsëdrejti shkaktojnë aksidentet në komunikacion”.
Më tutje ai ka thënë që Kosovës i mungojnë shumë institucione, të cilat merren me sigurinë në trafik. Prania e tyre, sipas Dedajt, do të lehtësohet edhe më tej me marrjen e masave preventive ndaj këtij fenomeni.
“Masat preventive merren pas hulumtimit të elementeve të faktorëve, të cilët kanë shkaktuar aksidentet dhe hulumtimet i kreu një institut shkencor. Kosovës i mungon edhe agjencia e sigurisë së komunikacionit, ku do të merreshin rekomandimet nga Instituti i Hulumtimeve lidhur me masat preventive. Pra nga kjo shohim se Kosova nuk ka institucione përkatëse për hulumtim dhe për marrjen e masave preventive për aksidente”, ka thënë profesori Dedaj./ZËRI