Opozita kritikon Qeverinë për zmbrapsje nga INTERPOL-i

Opozita kritikon Qeverinë për zmbrapsje nga INTERPOL-i

Aktuale February 15, 2020 - 08:10
Image

Propozimi i ministrit të Punëve të Jashtme dhe të Diasporës, Glauk Konjufca, që Kosova këtë vit të mos aplikojë për anëtarësim në INTERPOL është kritikuar nga opozita. Ata thonë se pikërisht këtë vit Kosova i ka gjasat t’i marrë votat e nevojshme për anëtarësim, shkruan gazeta "Zëri".

Paralajmërimi i ministrit të Punëve të Jashtme dhe të Diasporës, Glauk Konjufca, që Kosova këtë vit të mos aplikojë për anëtarësim në organizatën ndërkombëtare INTERPOL është kritikuar nga opozita. Përderisa Konjufca tha se Kosova nuk është aspak e gatshme këtë vit të aplikojë, krahu tjetër i Kuvendit thotë se pikërisht këtë vit Kosova ka potencialet t’i marrë votat e nevojshme për anëtarësim. Sipas tyre, diplomacia kosovare duhet që këtë vit të shfrytëzojë çështjen e tarifës 100% ndaj Serbisë, në mënyrë që faktori ndërkombëtar ta stopojë shtetin serb në lobimin kundër Kosovës. Ndërkohë, njohësit e çështjeve të sigurisë përkrahin idenë që Kosova këtë vit të pauzojë dhe të përgatitet për vitin tjetër. Ata thonë se vendi duhet të fokusohet në krijimin e aleancave të reja dhe të krijojë mekanizma që e ndalin lobimin e Serbisë për mospranimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare, shkruan tutje "Zëri".

Konjufca: Kosova s’do të aplikojë sivjet në INTERPOL

Ministri i Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca, ka bërë të ditur se këtë vit me shumë gjasë Kosova nuk do të aplikojë për anëtarësim në organizatën ndërkombëtare INTERPOL. Sipas tij, Kosova nuk është e përgatitur mjaftueshëm, andaj s’duhet të aplikojë që të mos pësojë një dështim të radhës. “Sipas analizave të brendshme të Ministrisë që unë e përfaqësoj, gjendja nuk duket shumë optimiste, duke e krahasuar me dy vjetët e kaluar. Kosova nuk ka ndryshuar shumë pozicion sa i përket mbështetjes prej shteteve të cilat e kërkojnë Kosovën të anëtarësohet në INTERPOL. Nëse i krahasoni votimet me dy vjetët e kaluar dhe sipas analizave, Kosova do ta kishte po të njëjtin rezultat po të aplikonte edhe këtë vit”.

Ai ka thënë se deri vitin tjetër Kosova do të kishte kohë të përgatitej. E po ashtu, siç ka thënë Konjucfa, fakti që vitin tjetër Turqia do të jetë nikoqire e votimeve për INTERPOL do t’i ndihmonte Kosovës. “Nëse doni ta evitojmë këtë situatë, propozojmë të jetë në një takim të vitit të ardhshëm, i cili është shumë më i përshtatshëm edhe në kuptimin e vendit ku mbahet. Në vitin e ardhshëm takimi do të mbahet në Turqi, ndërsa deri atëherë do të kishte mundësi më të shumta për një organizim më të mirë. Ne kemi trashëguar një gjendje të rëndë nga qeveria e kaluar, e cila nuk ka qenë mirë e koordinuar dhe neve na ka ndodhur dështimi për anëtarësim të Kosovës në INTERPOL”, ka thënë ai.

Konjufca është përkrahur edhe nga partneri i koalicionit, LDK.

Skender Hyseni, nga kjo parti, i ka thënë “Zërit” se Kosova nuk duhet assesi të aplikojë dhe të ketë edhe një dështim të radhës. “Ministri ka vepruar drejt, pasi do të ishte e papërshtatshme për Kosovën sikur të kishte edhe një dështim të tretë”, ka thënë Hyseni.

Shala: Propozimi për mosaplikim të Kosovës në INTERPOL, i ngutshëm e i gabuar

Haxhi Shala, nga partia opozitare Nisma Socialdemokrate, ka thënë se propozimi i Glauk Konjufcës që Kosova të mos aplikojë këtë vit për anëtarësim në organizatën ndërkombëtare INTERPOL është i gabuar dhe i ngutshëm. Sipas tij, pikërisht këtë vit Kosova ka gjasa t’i marrë votat e nevojshme. Shala tha se është dashur t’i bëhet presion faktorit ndërkombëtar që Serbia të mos lobojë kundër anëtarësimit të Kosovës në INTERPOL. “Është një gabim i ngutshëm i ministrit të Punëve të Jashtme. Kosova është shumë e përgatitur për INTERPOL dhe këtë e dinë të gjitha vendet. Njëkohësisht është edhe presioni i taksës, që ndërkombëtarët po bëjnë presion për ta hequr, pra të shfrytëzohet ky presion ndaj Serbisë që të mos lobojë kundër anëtarësimit të Kosovës në INTERPOL. Mendoj që është një hap i gabuar i ministrit kur tha se Kosova nuk është e gatshme pa e matur se pse nuk është e gatshme. Nëse do të kishte dhënë arsyet e mjaftueshme, atëherë mund të themi, por ai nuk po jep arsye se në çka nuk është e përgatitur Kosova”, ka thënë ai.

Vendimi për të mos aplikuar ketë vit, sipas Shalës, te shtetet tjera lë për të kuptuar se Kosova nuk është e gatshme. Ndërkohë për arsyetimin e Konjufcës se vitin tjetër Kosova ka më shumë gjasa pasi vendi nikoqir është Turqia, Shala tha se kjo s’do të luajë rol fare, shkruan "Zëri".

“Të njëjtat shtete do të jenë edhe në Uruguai, edhe në Turqi dhe po të njëjtat vende do të votojnë. Këtu ka qenë shansi i Kosovës që të kërkojë nga Bashkimi Evropian të bëjë presion ndaj Serbisë që të mos lobojë ndaj Kosovës”, ka theksuar ai.

Shoqëria civile, pro vendimit për mosaplikim në INTERPOL

Avni Islami, njohës i çështjeve të sigurisë, ka përkrahur propozimin e ministrit të Punëve të Jashtme Glauk Konjufca që Kosova të mos aplikojë sivjet për anëtarësim në organizatën ndërkombëtare INTERPOL. Sipas tij, Kosova nuk duhet të aplikojë derisa t’i ketë të garantuara të gjitha votat e nevojshme. “Vendimi i ministrit të Punëve të Jashtme që sivjet të mos aplikohet për anëtarësim në INTERPOL mendoj që në bazë të rrethanave në të cilat gjendet Kosova në raport me Serbinë, me bashkësinë ndërkombëtare dhe faktorët kyçë është një vendim i drejtë. Në këtë afat nuk do të duhej të aplikonte Kosova në INTERPOL. Jo vetëm në këtë afat, por derisa nuk i ka numrat e mjaftueshëm dhe përderisa të mos të jetë e sigurt që ka përkrahje nuk do të duhej të aplikonte”.

Më tutje ai tha se Ministria e Punëve të Jashtme duhet të bëjë një analizë dhe të vlerësojë se kur është momenti i përshtatshëm për të aplikuar dhe të krijojë mekanizma që e ndalin lobimin e Serbisë kundër Kosovës. “Edhe disa shtete që e kanë njohur Kosovën nuk kanë qenë pro Kosovës të anëtarësohet në këtë organizatë. Ministria e Punëve të Jashtme duhet të bëjë një analizë të saktë dhe ta vlerësojnë se kur është momenti i përshtatshëm që të aplikohet. E po ashtu duhet të gjenden forma që do ta stoponin lobimin e Serbisë për mosanëtarësim të Kosovës në organizata ndërkombëtare”, është shprehur ai.

Drizan Shala, njohës i çështjeve të sigurisë, ka thënë se e mirëpret një vendim të Qeverisë që Kosova këtë vit të mos aplikojë për anëtarësim në INTERPOL, pasi duhet të ristrukturohet diplomacia kosovare. “Për arsye të dështimit të diplomacisë së Kosovës dy herë për t’u bërë anëtare e INTERPOL-it, e mirëpres vendimin e ministrit Konjufca, për arsye që duhet të kemi një ristrukturim të diplomacisë kosovare në përgjithësi dhe në veçanti me aplikimin për INTERPOL. Duhet që aplikimi kësaj radhe të fokusohet në forcimin dhe në krijimin e aleancave të reja në Asamblenë e Përgjithshme të kësaj organizate për ta kaluar procedurën e anëtarësimit”, ka thënë Shala./ZËRI