Lekaj i kundërpërgjigjet Kurtit: Shfuqizoji marrëveshjet me Serbinë nëse ke dyshime
Ish-ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, ka reaguar pas deklaratave të fundit të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, lidhur me marrëveshjet e nënshkruara në Munih mes Kosovës dhe Serbisë.
Kurti ka deklaruar se marrëveshja për hekurudhat dhe ajo për autostradat mes Kosovës dhe Serbisë u nënshkruan nga zyrtarët e Lekajt dhe pa njohurinë e tij.
“Sot në Munih janë nënshkruar dy marrëveshje nga zyrtarë të autorizuar nga ish-ministri Pal Lekaj dhe i gjithë procesi i negocimit është bërë para fillimit të Qeverisë sonë. Së këndejmi, këta zyrtarë nuk kanë marrë autorizim nga Qeveria e re as për të negociuar e as për të nënshkruar marrëveshje. Për më tepër as teksti i marrëveshjes nuk është bërë i njohur për publikun e për Qeverinë. Kanë qarkulluar drafte të ndryshme jozyrtare”, ka thënë Kurti.
Ndërkaq, Lekaj i është kundërpërgjigjur, duke thënë se Kurti “ka pasur të gjitha mundësitë dhe kompetencat për t’iu bashkangjitur këtij procesi”.
Nëpërmjet një shkrimi në Facebook, Lekaj ka thënë se “kryeministri Kurti duhet të kuptojë që tashmë nuk është në opozitë. Është koha e veprave jo e fjalëve”.
“Ai nga 3 shkurt 2020 ka të gjitha autorizimet të veprojë duke kërkuar informacione për marrëveshjet e Berlinit dhe Mynihut”, është shprehur Lekaj.
“Ka pasur të gjitha mundësitë dhe kompetencat për t’iu bashkangjitur këtij procesi, por ende nuk është vonë nëse ka dyshime ose mospajtime t’i shfuqizojë këto marrëveshje”, përfundon shkrimi i Lekajt.