Borrell: T’ia nisim nga e para, përndryshe s’mund të ketë bisedime Kosovë-Serbi

Borrell: T’ia nisim nga e para, përndryshe s’mund të ketë bisedime Kosovë-Serbi

Aktuale February 14, 2020 - 23:08

 

Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, ka deklaruar sot se dialogu është e vetmja mënyrë për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve mes Serbisë dhe Kosovës.

“Na duhet zbutje e tensioneve dhe nisje nga e para, përndryshe bisedimet nuk do të jenë të mundshme”, ka shkruar kryediplomati i BE’së, në rrjetin social Twitter. 

Komentet e spanjollit vijnë pas takimit të përbashkët të tij me udhëheqësit e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, në Munih, ku po mbahet Konferenca për Sigurinë.

“Negociatat duhet të fillojnë sa më shpejt të jetë e mundur – gjithashtu për të bërë përparim në rrugën evropiane”, është shprehur Borrell.

“Na duhet një perspektivë evropiane për krejt rajonin”, ka vlerësuar funksionari i lartë i BE’së.

Borrell ka folur edhe për procesin e zgjerimit të BE’së në të ardhmen.

“Zgjerimi – na është dashur të ndalemi. Të riorganizohemi. Të rimendojmë”, ka deklaruar Borrell.

“Qëllimi i metodologjisë sonë të re është që tani ta bëjmë procesin më të besueshëm, më dinamik dhe më të parashikueshëm”, ka shkruar ai në Twitter.