Si do të jetë moti në Kosovë gjatë fundjavës dhe ditëve pasuese?
Nga dita e diel, mot i butë dhe intervale më të gjata me diell
Me kalimin e sistemit frontal gjatë natës, mbi rajon do të fillojnë të shtrihen fusha të presionit të lartë nga Evropa Qendrore. Ditën e shtunë mbesin ende vranësira, mirëpo gjatë mbrëmjes dhe nga dita e diel priten kthjellime, e në fillim të javës së ardhshme vranësira të ndryshueshme dhe intervale me diell, bën të ditur Prishtina Weather.
Shërbimi i meteorologjisë njofton se masa të ngrohta ajrore nga Evropa Perëndimore dhe Mesdheu do të shtrihen mbi rajon, që nga dita e diel kushtëzojnë mot të butë, dhe rritje të temperaturave mbi vlera mesatare.
Sipas PW, nga mesi i javës së ardhshme fusha të presionit të ulët dhe masa më të ftohta ajrore, do të depërtojnë mbi rajon, që rrisin mundësitë për reshje shiu, e vende-vende edhe për reshje kalimtare bore.
Ditën e shtunë vlerat e cilësisë së ajrit do të përmirësohen dhe do të zbresin në vlera mesatare dhe të mira, mirëpo nga dita e diel kur pritet të stabilizohet situata meteorologjike, do të kalojnë edhe në vlera të pashëndetshme, paralajmëron PW.
Parashikimi për periudhën 15-19 shkurt:
15.02 – Vranësira dhe intervale me diell. Herët në mëngjes aty-këtu mundësi për riga lokale shiu. Në mbrëmje priten kthjellime.
16.02 – Kryesisht me diell, e gjatë ditës butë. Në vise të ulëta, orëve të mëngjesit mundësi për mjegull/mjegullinë.
17.02-18.02 – Të hënën mot i butë dhe kryesisht me diell. Ditën e martë butë, paradite kryesisht me diell. Ditën vranësira dhe intervale me diell.
19.02 – Vranësira dhe intervale me diell.
Temperaturat minimale do të luhaten nga -1C deri në 3C, e maksimalet nga 8C deri në 14C.
Do të fryjë erë mesatare nga veriu 3-7m/s, e nga dita e diel erë e lehtë nga juglindja 1-3m/s.
Shtypja atmosferike do të rritet lartë mbi vlera normale, e më pas gradualisht do të pësojë rënie.