Trump uron Presidentin Thaçi
Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka pranuar sot një telegram urimi nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, me rastin e 12 vjetorit të pavarësisë së Kosovës.
Në këtë telegram thuhet se populli amerikan i bashkohet urimeve të Presidentit për popullin e Kosovës në përvjetorin e 12 të pavarësisë.
“Ne urojmë Kosovën për zgjedhjet demokratike të zhvilluara në tetor dhe vlerësojmë vazhdimin e përpjekjeve për të rritur paqen, sundimin e ligjit dhe mirëqenien për popullin e Kosovës dhe rajonin e Ballkanit Perëndimor”, thuhet në telegramin e Trump drejtuar presidentit Thaçi.
Presidenti Trump i ka uruar suksese presidentit Thaçi edhe sa i takon dialogut Kosovë-Serbi.
“Ne iu urojmë sukses në vjetet e ardhshme, derisa jeni të fokusuar për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, forcimin e sundimit të ligjit dhe krijimin e parakushteve për forcimin e sektorit privat”, ka shkruar ai.
Më tej Trump shkruan se e ardhmja e Kosovës do të jetë e ndritshme.