4 të vdekur nga gripi sezonal, Kosova e rrezikuar nga virusi A dhe B
Gripi sezonal ka prekur mijëra qytetarë në vend, kështu ka shkaktuar vdekjen e katër personave, duke përfshirë këtu edhe një fëmijë. Mjekët thonë se frika ndaj koronavirusit ka lënë mënjanë epideminë virale, e cila po ashtu është e rrezikshme, shkruan gazeta "Zëri".
Mikrobiologu në Kosovë, Lul Raka, ka thënë për “Zërin” se përhapja e koronavirusit është bërë lajm kryesor nga shëndetësia qe gati një muaj, kështu edhe ka lënë mënjanë një tjetër epidemi virale, që godet vendet në të gjithë botën, atë të gripit sezonal.
Ai ka theksuar se gripi i zakonshëm shkakton mijëra vdekje në botë. “Të mos harrojmë se gripi i zakonshëm shkakton 5 milionë raste të sëmundjes në botë me gati afër gjysmë milioni raste të vdekjes. Tashmë ka shkaktuar vdekjen e 4 njerëzve edhe në Kosovë me mija raste të sëmundjes. Vetëm gjatë këtij sezoni në SHBA gripi ka shkaktuar 19 milionë raste të sëmundjes, 10.000 vdekje dhe shkallë të përgjithshme të vdekshmërisë prej 0,05%”, ka deklaruar ai.
Përndryshe, nga Klinika Infektive në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës është konfirmuar për gazetën se katër persona kanë vdekur nga gripi sezonal, derisa janë raportuar edhe raste me influencën A dhe B.
Infektologu në këtë klinikë, Valbon Krasniqi, ka thënë për gazetën se kanë ende raste me grip që janë duke i trajtuar.
Sipas tij, kjo situatë është e natyrshme. “Kjo është e pritshme dhe e natyrshme. Ne kemi ende raste që jemi duke trajtuar. Krahas virusit A kemi te disa fëmijë edhe virusin B, pra që është më i lehtë”, ka thënë ai./ZËRI