Frika nga koronavirusi lë mënjanë gripin sezonal, që po vret kosovarët
Foto: Zeri

Frika nga koronavirusi lë mënjanë gripin sezonal, që po vret kosovarët

Aktuale February 14, 2020 - 08:00
Image

Gripi sezonal ka prekur mijëra qytetarë në vend, kështu ka shkaktuar vdekjen e katër personave, duke përfshirë këtu edhe një fëmijë. Mjekët thonë se frika ndaj koronavirusit ka lënë mënjanë epideminë virale, e cila po ashtu është e rrezikshme, shkruan gazeta "Zëri".

4 persona kanë vdekur nga gripi sezonal në Kosovë, derisa mijëra të tjerë janë të prekur me të. Vetëm nga muaji tetor i vitit të kaluar deri më 5 janar të këtij viti Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike ka bërë të ditur se mbi 16 mijë raste janë raportuar si të dyshimta me grip, ndërsa nga janari deri tani nga institucionet publike shëndetësore në vend është thënë për “Zërin” se numri i të prekurve me grip është rritur edhe më shumë. Gripi është gjendje akute infektive e sistemit respirator, që shkaktohet nga virusi A, B dhe C. Virusi A vlerësohet të jetë më i rrezikshëm se ai B dhe C.

Nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike (IKSHPK) në vend ishte bërë e ditur se virusi A i gripit është në qarkullim në vend e infektologët janë shprehur se edhe virusi B ka prekur qytetarët.

Nga IKSHPK-ja kanë rekomanduar të vaksinohen personat e ndjeshëm e në radhë të parë personat me sëmundje të rënda kronike, të mbahet higjiena personale, qytetarët t’i lajnë duart sa më shpesh e të mos rrinë në vende ku grumbullohen shumë njerëz.

Përndryshe, derisa koronavirusi është bërë lajm kryesor në botë për numrin e vdekjeve që ka shkaktuar, edhe gripi sezonal po vlerësohet të jetë shumë vdekjeprurës.

Gripi është një infeksion akut viral, i cili shpërhapet shumë lehtë nga një person në tjetrin. Ai karakterizohet me temperaturë të lartë, me kollë, me dhembje koke, muskujsh e me rrjedhje të hundëve dhe mund të jetë vdekjeprurës, sidomos për personat e moshuar e ata të cilët janë të prekur me sëmundje tjera.

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, mënyra më e mirë e parandalimit të virozëve dhe e gripit të zakonshëm është vaksinimi.

4 të vdekur nga gripi sezonal, Kosova e rrezikuar nga virusi A dhe B

Mikrobiologu në Kosovë, Lul Raka, ka thënë për “Zërin” se përhapja e koronavirusit është bërë lajm kryesor nga shëndetësia qe gati një muaj, kështu edhe ka lënë mënjanë një tjetër epidemi virale, që godet vendet në të gjithë botën, atë të gripit sezonal.

Ai ka theksuar se gripi i zakonshëm shkakton mijëra vdekje në botë. “Të mos harrojmë se gripi i zakonshëm shkakton 5 milionë raste të sëmundjes në botë me gati afër gjysmë milioni raste të vdekjes. Tashmë ka shkaktuar vdekjen e 4 njerëzve edhe në Kosovë me mija raste të sëmundjes. Vetëm gjatë këtij sezoni në SHBA gripi ka shkaktuar 19 milionë raste të sëmundjes, 10.000 vdekje dhe shkallë të përgjithshme të vdekshmërisë prej 0,05%”, ka deklaruar ai.

Përndryshe, nga Klinika Infektive në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës është konfirmuar për gazetën se katër persona kanë vdekur nga gripi sezonal, derisa janë raportuar edhe raste me influencën A dhe B.

Infektologu në këtë klinikë, Valbon Krasniqi, ka thënë për gazetën se kanë ende raste me grip që janë duke i trajtuar.

Sipas tij, kjo situatë është e natyrshme. “Kjo është e pritshme dhe e natyrshme. Ne kemi ende raste që jemi duke trajtuar. Krahas virusit A kemi te disa fëmijë edhe virusin B, pra që është më i lehtë”, ka thënë ai.

Rritet numri i fëmijëve të prekur nga gripi, një fëmijë vdes

Pediatri në Klinikën Pediatrike në QKUK, Ramush Beiqi, ka thënë për “Zërin” se është rritur numri i fëmijëve të prekur nga gripi në vend. Ai ka bërë të ditur se një fëmijë me probleme në zemër, i cili më pastaj është prekur edhe nga gripi, ka vdekur. “Gjendja është edhe më e rëndë, për faktin se numri i fëmijëve të prekur me grip është rritur. Mirëpo edhe kujdesi ndaj fëmijëve është i rritur. Fëmija që ka qenë me grip dhe me sëmundje të tjera të zemrës, ai fatkeqësisht ka vdekur. Ai nuk i ka përballuar komplikimet që ia ka shkaktuar gripi”.

Beiqi ka thënë se është përgjegjësi e shtetit dhe e prindërve të marrin masa për t’i mbrojtur fëmijët nga gripi.

Sipas tij, fëmijët duhet të kenë sa më pak kontakte me fëmijët e sëmurë e në qoftë se preken me grip, ata duhet të qëndrojnë në shtëpi, në mënyrë që të mos ua kalojnë atë fëmijëve të tjerë. “Shumica e fëmijëve trajtohen në mënyrë ambulantore ose shtëpiake, për shkak se terapia është simptomatologjike. Gripi është shumë i rrezikshëm. Është një grip që ka një agresivitet të shtuar ndaj fëmijëve, njerëzve të moshuar e njerëzve me sëmundje paraprake kronike. Mendoj se Kosova është duke e përballuar këtë problematikë. Numri i të vdekurve mendoj se është i vogël në krahasim me shtetet tjera ose në proporcion me agresivitetin e gripit”.

Beiqi është shprehur optimist që brenda dy javësh do të ketë rënie të të prekurve me grip.

Asnjë rast me koronavirus në Kosovë, MSH-ja angazhohet në sigurimin e masave mbrojtëse

Në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike gjatë ditës së djeshme është mbajtur një takim i Komitetit për Monitorimin e Sëmundjeve Ngjitëse, ku është diskutuar për koronavirusin.

Drejtori ekzekutiv i IKSHPK-së, Naser Ramdani, ka bërë të ditur se tashmë koronavirusi e ka marrë emërtimin e ri “COVID-19” dhe se deri më tani në Kosovë nuk ka asnjë rast të konfirmuar zyrtarisht me të.

Bashkim Gllareva, pjesë e ekipit mjekësor të aeroportit ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, është shprehur se në aeroport janë bërë 12 ekzaminime të personave të dyshuar me këtë virus, ku pjesa më e madhe e tyre ka ardhur nga vendet endemike. Mirëpo sipas tij asnjëri nga ta nuk ka rezultuar pozitiv me koronavirus. Ai ka bërë të ditur se në aeroport gjenden dy dhoma të izolimit, ku mund t’i fusin personat e dyshuar derisa ata të dërgohen në Klinikën Infektive, shkruan tutje "Zëri".

Shefi i Departamentit të Mikrobiologjisë në Institutin Kombëtar, Xhevat Jakupi, në takim ka thënë se kanë marrë testet për testimin e koronavirusit, me anë të të cilave mund të testohen deri në 650 persona të dyshimtë.

Ndërsa Faik Hoti, nga Ministria e Shëndetësisë, ka theksuar se Ministria është duke u marrë me sigurimin e pajisjeve personale mbrojtëse për personelin shëndetësor./ZËRI