Hoti: Pa SHBA-në e pa BE-në s’mund ta ruajmë as sovranitetin tonë
Në kohën kur Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) kanë intensifikuar angazhimin e tyre në negociatat Kosovë – Serbi zëvendëskryeministri i parë i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti, ka thënë se qeveria “Kurti” dialogun me Serbinë e sheh si të vetmin opsion për normalizim të marrëdhënieve në mes të të dyja vendeve. Gjatë një interviste të dhënë për “Zërin” Hoti ka pohuar se Qeveria është për zëvendësim të taksës me masën e reciprocitetit, mirëpo ka konsideruar se paraprakisht duhet të ketë koordinim të plotë me bashkësinë ndërkombëtare, me SHBA-në e me BE-në, shrkuan sot gazeta "Zëri".
Përderisa ditëve të fundit është intensifikuar angazhimi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në procesin e dialogut Kosovë - Serbi zëvendëskryeministri i parë i qeverisë “Kurti”, Avdullah Hoti, ka thënë se Kosova është pro vazhdimit të dialogut me Serbinë, pasi që kjo është forma e vetme për arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare me Serbinë. Kësisoj numri dy në qeverinë “Kurti” gjatë një interviste për “Zërin” është shprehur se për cilindo veprim karshi Serbisë institucionet kosovare duhet të konsultohen fillimisht me Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA-në) dhe me Bashkimin Evropian (BE), pasi vetëm nën aleancën e tyre mund të ruhet sovraniteti i Republikës së Kosovës. Ndërsa i pyetur nëse qeveria “Kurti” duhet të vazhdojë me planin për vendosjen e reciprocitetit të plotë ndaj Serbisë, pavarësisht kundërshtimeve të bashkësisë ndërkombëtare, Hoti ka pohuar se qeveria e re është pro zëvendësimit të taksës ndaj produkteve serbe me reciprocitet të plotë, por Kosova assesi nuk guxon t’i rrezikojë marrëdhëniet me aleatët ndërkombëtarë. “Tash qëndron thënia e vjetër: ‘Përtej pragut të shtëpisë nuk kemi ku shkojmë’. Ne duhet ta ruajmë sovranitetin tonë, por duhet ta ruajmë sigurisht në bashkëpunim të ngushtë me partnerët ndërkombëtarë. Pa ta nuk mund ta ruajmë as sovranitetin tonë”, është shprehur më tutje Hoti. Ndërkohë gjatë kësaj interviste Hoti ka folur edhe për prioritetet e qeverisë “Kurti”, që sipas tij do të fokusohen në zhvillimin ekonomik dhe në përmirësimin e sistemit të drejtësisë në veçanti.
Reformat në ekonomi dhe në drejtësi, fokus i qeverisë “Kurti”
Zëri: Z. Hoti, pas disa muajve negociata me Lëvizjen Vetëvendosje ju arritët të lidhni koalicionin bashkqeverisës për 4 vjetët e ardhshëm. Sa ishte i vështirë ky rrugëtim juaji?
Hoti: Mund të them se nuk ishte proces i vështirë sa u përket çështjeve, të cilat do t'i adresojmë tash në Qeveri. Do të kisha thënë që ishte një proces jo i pazakontë i negociatave politike për koalicionin qeverisës. Besoj që ndoshta vërtet janë 3 muaj kohë, por janë definuar shumica e çështjeve me të cilat tash do të përballemi dhe kjo tash na bën qeverisjen më të lehtë dhe më të parashikueshme në vendimmarrje.
Zëri: Një proces që ka mbetur i padefinuar është posti i presidentit, për të cilin keni pasur pakënaqësi gjatë negociatave. Si jeni marrë vesh për këtë çështje me LVV-në?
Hoti: Dakordimin tonë politik si LDK e kemi bërë që marrëveshja, e cila është arritur tanimë me Lëvizjen Vetëvendosje, të jetë e balancuar, në kuptimin që njëra parti e ka kryeministrin, pra udhëheq me ekzekutivin, ndërsa tjetra parti i ka dy pozita të tjera të larta shtetërore, që është kryetari i Kuvendit, presidenti dhe përbërja e Qeverisë, e cila është ndarë në bazë të marrëveshjes. Atë që e kemi nënshkruar, marrëveshja pra, që është nënshkruar nga dy liderët, është një marrëveshje brenda parimeve të miratuara në organet e partisë sonë, pra të LDK-së.
Zëri: Cili është planprogrami i qeverisë “Kurti” dhe cilat janë prioritetet tuaja si Qeveri?
Hoti: Besoj që programi ynë është ndër programet më ambicioze që kanë pasur qeveritë e deritanishme. Duke pasur parasysh edhe nevojën që ka Kosova pas disa viteve qeverisje dhe problemeve me të cilat është përballur gjatë këtyre viteve, pa dyshim zhvillimi ekonomik do të jetë pika qendrore e programit tonë, sepse në fund të gjitha politikat qeveritare, të gjitha masat që i ndërmarrim, të gjitha ndryshimet që i ndërmarrim në fund përkthehen në krijim të vendeve të reja të punës dhe në përmirësim të standardit të jetës së qytetarëve. Por krahas kësaj për të mbështetur një agjendë të fuqishme të zhvillimit ekonomik neve na duhen edhe sektorët e tjerë, siç është sundimi i ligjit. Ajo që dëshirojmë ta bëjmë në këtë drejtim është që së pari të vendosim shembullin vetë si qeveri, duke u siguruar të zbatohet ligji në përpikëri nga gjithë zyrtarët e qeverisë, duke u siguruar që gjithë ata të cilët në çfarëdo forme kanë rënë ndesh me ligjin të spostohen derisa të kryhen procedurat ligjore dhe të sigurojmë përmes ligjeve të reja, ndryshimeve të nevojshme, që të betonohet ndarja e pushteteve në mes të ekzekutivit dhe sistemit të drejtësisë, në mënyrë që secila prej tyre ta bëjë punën e vet, por edhe të jetë e mbrojtur me ligjet përkatëse, që të mos ketë mundësi askush të ndërhyjë në vendimmarrje brenda organeve të drejtësisë.
Zëri: Është premtuar edhe fillimi i procesit të vetingut, sa besoni që do t’ia dilni ta realizoni këtë premtim, aq më parë kur dihet që ky proces është ballafaquar me probleme të mëdha në të kaluarën në Kosovë?
Hoti: Është një proces, për të cilin ne jemi dakorduar në parim. Por për mënyrën sesi do të zbatohet në praktikë ne do të angazhojmë ekspertizën më të mirë vendore dhe do të studiojmë edhe përvojën ndërkombëtare, pra ajo që është edhe më e rëndësishme, do ta bëjmë bashkë me partnerët tanë ndërkombëtarë. Në Kosovë ka pasur misione të ndryshme të sundimit të ligjit, UNMIKU më herët, EULEX-i dhe tash kemi programe të ndryshme të BE-së që e mbështesin reformën në sistemin e drejtësisë. Bashkë me ta do ta bëjmë këtë ndryshim, por dua të them se sistemi i drejtësisë në Kosovë më shumë vuan nga mungesa e performancës sesa nga problemet tipike që zgjidhen përmes vetingut, siç ta zëmë ka ndodhur nëpër vende të tjera.
Reciprocitet, pa cenuar raportet me SHBA-në
Zëri: Kosovën e presin shumë sfida edhe në sferën ndërkombëtare, madje e kemi çështjen e dialogut me Serbinë, proces në të cilin së fundmi është angazhuar në mënyrë intensive edhe SHBA-ja. Z. Kurti ka përmendur edhe reciprocitetin si masë kundrejt Serbisë, si do të realizohet ky proces?
Hoti: Sa i përket procesit të dialogut, pra edhe taksa, edhe reciprociteti, të gjitha lidhen me çështjen e arritjes së një marrëveshjeje përfundimtare me Serbinë. Para së gjithash besojmë se duhet ta kthejmë dialogun në binarë, ajo që po nënkuptoj me këtë është se dialogu duhet të kalojë te Qeveria e jo të udhëhiqet nga Presidenca e Kosovës. Pra të kalohet ky proces te Qeveria, që merr mandatin nga Kuvendi për të udhëhequr me të gjitha proceset, duke përfshirë edhe dialogun. Keni parë edhe sjelljen tonë sa kemi qenë në opozitë, kur e dërguam në Gjykatë Kushtetuese çështjen e Ligjit për Dialogun, që u miratua në legjislaturën e kaluar dhe tash dëshirojmë që këtë proces ta rikthejmë në binarë, të marrim përgjegjësi si Qeveri dhe në marrëveshjen e koalicionit ne kemi një kornizë për qasjen që do të kemi karshi dialogut dhe këtyre temave që i përmendët ju. Besoj se së shpejti me dikasteret qeveritare do ta përkthejmë në masa konkrete se si mund ta zbatojmë në praktikë këtë proces. Por është e rëndësishme që ne para qytetarëve dhe para partnerëve ndërkombëtarë, në veçanti, të japim mesazhin e qartë që ne jemi për dialog, nuk ka rrugë tjetër për zgjidhjen e çështjeve me Serbinë përveçse me dialog, por dëshirojmë të trajtohemi si partner i barabartë në këtë proces dhe bashkë me BE-në dhe me SHBA-në të bëjmë një plan të detajuar dhe një qasje se si do të hyjmë në këtë proces. Sigurisht që problemi me të cilin do të përballemi menjëherë është se si do të merremi me taksën e vendosur për mallrat që vijnë nga Serbia dhe nga Bosnjë e Hercegovina. Në parim ne kemi një përgjigje për këtë, reciprocitetin pra, masat reciproke, të njëjtat masa që Serbia i vendos ndaj Kosovës në çfarëdo aspekti, ta zëmë te njohja e diplomave të shqiptarëve të Luginës së Preshevës, që diplomojnë në Universitetin e Kosovës ose te certifikatat e origjinës së mallrave, ose te vula doganore, ose te lëvizja e lirë e qytetarëve e shumë çështje të tjera, që i zbaton Serbia për Kosovën, në parim ne duhet t’i zbatojmë të njëjtat për Serbinë, por nuk dëshirojmë t’i acarojmë raportet me partnerët ndërkombëtarë. Kështu që ajo të cilën do ta kërkojmë në komunikim të ngushtë me ta është që të ulemi të dakordohemi për një plan se si t’i relaksojmë marrëdhëniet me Serbinë, si të ulemi në tryezë diskutimi me ta dhe si të shkojmë drejt marrëveshjes përfundimtare.
Zëri: Nëse vazhdon insistimi i bashkësisë ndërkombëtare, përkatësisht i SHBA-së, për mosvendosjen e reciprocitetit të plotë ndaj Serbisë, a do të duhej që qeveria “Kurti” ta stopojë këtë proces?
Hoti: Tash qëndron thënia e vjetër: “Përtej pragut të shtëpisë nuk kemi ku shkojmë”. Ne duhet ta ruajmë sovranitetin tonë, por duhet ta ruajmë sigurisht në bashkëpunim të ngushtë me partnerët ndërkombëtarë. Pa ta nuk mund ta ruajmë as sovranitetin tonë. Taksa kur është vendosur, është vendosur krye në vete, bile është bërë pazar fillimisht se a të jetë 10%, 20% ose 100%, pra ka qenë një masë e njëanshme, e pakonsultuar dhe ndoshta e paarsyetuar. Unë mendoj se hapi i parë që është dashur të bëhet dhe që ne do ta bëjmë është të komunikojmë ngushtë me partnerët tanë ndërkombëtarë për nevojën që ka Kosova për të mbrojtur sovranitetin e vet sa u përket relacioneve me Serbinë. Pra të krijojmë një narracion ku binden partnerët tanë për presionin që duhet t'ia bëjnë Serbisë në mënyrë që ajo të bëjë progres në relacion me Kosovën, fillimisht duke respektuar marrëveshjet ekzistuese, sepse kemi nënshkruar dhjetëra marrëveshje e shumica prej të cilave nuk respektohen nga ana e Serbisë.
Liberalizimi duhet të ndodhë gjatë mandatit të qeverisë “Kurti”
Zëri: A mund të presim që liberalizimi i vizave për qytetarët kosovarë të ndodhë gjatë mandatit LVV - LDK?
Hoti: Unë dëshiroj të jem i kujdesshëm sa i përket dhënies së afateve kohore, por për një gjë jam i sigurt, që gjatë këtij mandati duhet të ndodhë liberalizimi i vizave. Pres që të ndodhë shumë shpejt ky proces, duke qenë se kemi një qeveri e cila ka në agjendë të qartë edhe integrimin evropian, por edhe sundimin e rendit dhe të ligjit.
Zëri: Njëra prej çështjeve me të cilat do të përballet qeveria e re është edhe termocentrali “Kosova e re”. Cila është strategjia që do ta përdorni rreth kësaj çështjeje?
Hoti: Problemi te ky projekt është që kanë avancuar shumë bisedat për të zbatuar këtë projekt. Ka një kontratë të nënshkruar. Parimi që do të na udhëheqë neve sa i përket këtij projekti është që ta trajtojmë atë brenda strategjisë së përgjithshme të furnizimit stabil me energji elektrike. Kjo duhet të sigurohet. Kosova duhet të ketë furnizim stabil me energji elektrike, e para. Kurse e dyta, duhet të sigurojmë treg konkurrent të energjisë elektrike në përputhje me direktivat e BE-së dhe gjithashtu duhet të arrijmë atë komplimentaritetin e furnizimit me energji me Shqipërinë. Nëse brenda kësaj kornize trajtojmë edhe këtë projekt, unë besoj se mund t’ia dalim mbanë.
Zëri: Kosova tashmë ka nënshkruar kontratën me “Contour Global”-in. A duhet të vazhdohet apo të tërhiqet përfundimisht kjo kontratë?
Hoti: Tash nuk i di detajet se në cilën fazë është në këtë moment projekti, por ministrja e re e Ekonomisë besoj që shumë shpejt do ta informojë kabinetin qeveritar për fazën në të cilën është projekti.
Zëri: Z. Hoti, cilat janë synimet që planifikoni t’i përmbushni në 100-ditëshin e parë të qeverisë "Kurti"?
Hoti: Ne veçse kemi filluar me disa vendime, të cilat u shpërbëjnë disa strukturave mbiinstitucionale, që kanë ekzistuar në qeveritë paraprake. Kemi shumë punë për të bërë edhe në sektorët e tjerë, në arsim e në shëndetësi, si dhe te rendi dhe ligji në veçanti. Pastaj tek investimet publike, te promovimi i zhvillimit ekonomik në veçanti, duhet të kthejmë besimin e partnerëve tanë, të investitorëve të jashtëm në ekonominë e Kosovës, i cili besim është humbur tash e sa vite. Unë besoj që situata është mjaft premtuese, pritjet e qytetarëve janë tejet të larta, pritjet e bizneseve janë bukur të larta. Besoj që është një ekip i mirë, një program i mirë qeverisës në reformat kryesore, që duhet të ndodhin sipas sektorëve dhe jam mjaft optimist se në mbarim të 100-ditëshit të parë do të kemi mjaft rezultate, në të cilat mund të thirremi.