Kuvendi formon komisionet parlamentare
Foto: Laura Hasani

Kuvendi formon komisionet parlamentare

Aktuale February 14, 2020 - 07:54
Image

Kuvendi i Kosovës dje ka mbajtur seancë plenare, në të cilën ka miratuar zgjatjen buxhetore edhe për muajin mars. Në këtë seancë gjithashtu deputetët votuan për funksionalizimin e 14 komisioneve parlamentare, shkruan gazeta "Zëri"

Gati dy muaj pas formimit të Kuvendit të Kosovës dje deputetët u mblodhën në seancë për t’i konstituuar edhe trupat e punës së legjislativit. Në nderim të jetës dhe të veprës së ikonës së muzikës shqipe Nexhmije Pagarushës, e cila ndërroi jetë ditë më parë, kryetarja e Kuvendit Vjosa Osmani i hapi punimet e seancës nën tingujt e muzikës së saj. Kënga e Pagarushës nuk ishte karakteristika e vetme e kësaj seance. Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Mërgim Lushtaku, në shenjë proteste ndaj kryeparlamentares Osmani, e cila e zhvendosi fotografinë e presidentit Hashim Thaçi nga muri ballor i zyrës së saj, vendosi një fotografi tjetër të presidentit pas ulëses së saj në sallën e seancave të Kuvendit. Përveç kësaj, opozita e sidomos partia më e madhe opozitare, PDK-ja, gjatë gjithë seancës pati kritika ndaj qasjes së kryeparlamentares Osmani kundrejt opozitës. Madje PDK-ja gjeti vërejtje edhe në rendin e ditës së përgatitur nga Kryesia e Kuvendit, në mbledhjen e së cilës partia e Kadri Veselit nuk kishte marrë pjesë. Në pjesën e parë të seancës plenare pavarësisht dallimeve pozitë e opozitë, me 100 vota për deputetët miratuan propozim-vendimin e Qeverisë së Kosovës për zgjatjen e ndarjes buxhetore edhe për muajin mars të këtij viti, e cila do të vlejë deri në votimin e buxhetit për vitin 2020. Votimi për zvogëlimin e numrit të komisioneve parlamentare dështoi, meqë në votim nuk morën pjesë mjaftueshëm deputetë, pavarësisht se kishte kuorum. Në linjë me këtë kryekuvendarja ndërpreu seancën për të vazhduar me një mbledhje të Kryesisë së Kuvendit dhe për t’u kthyer sërish në seancë, në të cilën u miratua funksionimi i komisioneve parlamentare.

Polemika mes deputetëve të opozitës dhe kryetares së Kuvendit

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Bedri Hamza, është përplasur me kryeparlamentaren Vjosa Osmani pasi derisa po fliste ende pa i përfunduar minutat, Hamzës i është ndërprerë fjala. Shefi i deputetëve të PDK-së e quajti arrogante sjelljen e Osmanit, e cila më pastaj i kërkoi atij ta ulë zërin dhe të komunikojë me ton më të butë. Hamza tha se kryeparlamentarja po vazhdon të ketë sjellje arrogante ndaj PDK-së, duke i rikthyer në debat ngjarjet me fotografinë e presidentit Thaçi. “Kryetare nuk ju duhet kjo arrogancë, nuk e keni nisur mirë. Ne jemi për kohezion të brendshëm, por kohezionin duhet ta krijojë pozita. Faleminderit për këshillën, do të flas më butë, por keq e keni nisur. Kjo arrogancë nuk ju çon askund”, është shprehur Hamza.

Përgjatë seancës pati polemika edhe mes deputetëve të tjerë të pozitës e të opozitës. Deputetja e Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari, e këshilloi PDK-në të mos e marrin me vrull të bërit opozitarizëm, sepse kanë rrugë të gjatë në këtë drejtim. “Si maratoniste që jam starti nuk duhet të jetë shumë i shpejtë. Ju sugjeroj të shkoni më ngadalë dhe ta ruani energjinë, sepse opozitarizëm nuk do të bëni vetëm një mandat, por dy”, ka thënë Kusari.

Kuvendi ndërpret seancën për mbledhje të Kryesisë

Pas dy orëve seancë Kuvendi e ndërpreu punën për ta mbajtur një mbledhje të Kryesisë, në të cilën do të merrte pjesë kësaj radhe edhe PDK-ja për t’u dakorduar për procedurën e zvogëlimit të komisioneve parlamentare nga 16 në 14 dhe votimin e tyre.

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së Arben Gashi, pas mbledhjes pohoi se ka dakordim të plotë për votimin e komisioneve parlamentare. Të njëjtën e pohoi edhe nënkryetari i Kuvendit Memli Krasniqi. Por ai pati kritika për qasjen që pati kryeparlamentarja Vjosa Osmani gjatë udhëheqjes së seancës, ku theksoi se në mbledhje të Kryesisë u morën parasysh vërejtjet e opozitës. “Të gjitha kritikat që i thamë në mënyrë të argumentuar për tendencë për ta zvogëluar ose për ta pamundësuar debatin janë marrë parasysh dhe shpresojmë që në të ardhmen nuk do të kemi sjellje të tillë”, deklaroi ai.

Pas bojkotimit të dy mbledhjeve të Kryesisë për shkak të zhvendosjes së fotografisë së presidentit Thaçi, Krasniqi nuk tregoi nëse do ta vazhdojnë bojkotin, por u shpreh se në mungesë të përmirësimit të sjelljes së Osmanit së paku në seancën e Kuvendit qëndroi fotografia e presidentit. Fotografia e Thaçit u largua nga seanca menjëherë pas shkuarjes së deputetëve në pauzë.

Formohen 14 komisionet parlamentare

Kuvendi i Kosovës ka miratuar me 90 vota për formimin e komisioneve parlamentare. Kjo legjislaturë ndryshe nga e kaluara do t’i ketë 14 trupa punues, që do të jenë: Komisioni për Punë të Jashtme dhe për Diasporë që do të udhëhiqet nga AAK-ja, Komisioni për Integrim Evropian që do të udhëhiqet nga LDK-ja, Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsion që do të udhëhiqet nga LDK-ja, Komisioni për Arsim, Shkencë, Teknologji, Inovacion, Kulturë, Rini dhe Sport që do të udhëhiqet nga LDK-ja, Komisioni për Buxhet dhe Financa që do të udhëhiqet nga LVV-ja, Komisioni për Qeverisje Lokale, Zhvillim Rajonal dhe Medie që do të udhëhiqet nga PDK-ja, Komisioni për Ekonomi, Punësim, Tregti, Industri, Ndërmarrësi dhe Investime Strategjike që do të udhëhiqet nga Nisma, Komisioni për Çështje të Sigurisë dhe të Mbrojtjes që do të udhëhiqet nga LVV-ja, Komisioni për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale që do të ushëhiqet nga AAK-ja, Komisioni për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural, Infrastrukturë dhe Mjedis që do të udhëhiqet nga LVV-ja, Komisioni për të Drejtat dhe Interesat e Komuniteteve që do të udhëhiqet nga Lista Serbe, Komisioni për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, Persona të Pagjetur dhe Peticione që do të udhëhiqet nga Grupi 6 Plus, Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike që do të udhëhiqet nga PDK-ja dhe Komisioni për Mbikëqyrjen e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë që do të udhëhiqet gjithashtu nga PDK-ja.

Unanimisht miratohet vlefshmëria e Rregullores së Punës së Kuvendit

Deputetët me 91 vota për miratuan edhe propozimin e nënkryetarit të Kuvendit nga radhët e PDK-së, Memli Krasniqit për vlefshmërinë e Rregullores së Punës së Kuvendit. Me këtë vendim u konfirmua vlefshmëria e Rregullores së Punës së Kuvendit edhe për legjislaturën e shtatë deri në miratimin e rregullores së re të punës së Kuvendit me përjashtim të Nenit 69, paragrafi 4. “Paragrafi i 4 i parasheh komisionet funksionale dhe meqenëse propozimi që ka qenë i paraparë për rendin e ditës së sotme e paraqet një numër prej 10 komisioneve dhe me emërtime të reja, ne i japim vlefshmëri Rregullores së Kuvendit edhe për legjislaturën që jemi, por lëmë hapësirë që pas miratimit të këtij vendimi, një vendim tjetër për komisionet të krijojë mundësinë që 14 komisionet të konstituohen menjëherë pas marrjes së këtij vendimi”, tha Krasniqi.

Pas votimit kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani, theksoi se me këtë legjislatura e shtatë e Kuvendit njeh Rregulloren e Punës së Kuvendit të vitit 2010 me përjashtim të Nenit 69, paragrafi 4./ZËRI